Unë, Doktori dhe frika nga historia
E nis me një parantezë: “BUNK’ART” nuk është një muze i Enver Hoxhës, por ekzaktësisht e kundërta. Në banjon luksoze të strehimit, e destinuar për diktatorin, është montuar një “skaldabanjo vajguri”, që nuk do mend se Enver Hoxha nuk e ka përdorur kurrë, ndërsa pjesa më e madhe e popullit të tij, po. Në njërin mur të tunelit, ajo që mbetet nga një parrullë e vjetër, ka rrëshkitur e rraskapitur deri në tokë me shkronja pa kuptim, ashtu siç kurrë Enver Hoxha nuk do ta kishte lejuar.
Makina e tij, pikërisht në hyrje të bunkerit, ka në krurskot një gjobë për ndalim qëndrimi, ndërsa në dhomën e Mehmet Shehut një televizor i vjetër Iliria transmeton si me magji, me ngjyra, pamje të funeralit të Enverit; edhe ky është një paradoks i qartë. Ashtu si edhe teli me gjemba i montuar në dhomë që pason atë dedikuar Çlirimit, ose si bunkerët prej bukëpeshku të vendosur në sallën e Kuvendit të bunkerit të vërtetë.
Po si mund të jetë një muze dedikuar Enverit, nëse në hollin e “kinemasë” së tij, qëndrojnë fotot e martirëve të feve që regjimi i vrau dhe në lozhat e “parlamentit”, afër fotove të Enverit që ngre dolli mbi një tavolinë mbushur me pjatanca, janë fotot e shqiptarëve të thjeshtë të detyruar të mbajnë radhën për një bukë të zezë. E çfarë duhet thënë për krijimet e artistëve të rinj shqiptarë, që kanë përdorur librat e Enver Hoxhës për të bërë abazhurë, ose artistë të huaj që projektojnë mbi mure skena metafizike që regjimi socialist nuk do të kishte lejuar kurrë të transmetoheshin.
Gjithçka aty brenda është vendosur në një këndvështrim paradoksal, ashtu si dhoma e blinduar me pamje nga deti sepse nuk është parë ndonjëherë një bunker me dritare panoramike.
Vetëm kush nuk e ka parë ‘BUNK’ART”, pra, mund ta përcaktojë si një muze dedikuar Enver Hoxhës. E megjithatë, hapja e tij ka vënë në lëvizje diçka të thellë në shpirtin e shumë vetëve. Ambasadorët nga SHBA, Italia dhe Gjermani që e panë mbetën të impresionuar në të njëjtën mënyrë si mijëra qytetarë të thjeshtë (të rinj, të moshuar, studentë) që po mbajnë radhë për ta vizituar.
Nuk është vetëm sharmi i objekteve të vjetra që ekspozohen (si jorgani i pambukut prej Atlazi) që krijon kuriozitet dhe interes. Habia e vërtetë qëndron në një pyetje kolektive: Si është e mundur që një pallat i tillë nëntokësorë të mbahej i fshehtë deri më sot, 22 vjet pas rënies së komunizmit. Pas fundit të çdo regjimi, sekretet e diktatorit vendosen menjëherë në shesh: kështu ka ndodhur kudo, që nga fundi i Musolinit te ai i Hitlerit, nga Bukareshti në Bagdad.
Ndërsa në Shqipëri kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë. Këtu, e kundërta, u tentua që nga dita e parë e erës së re demokratike të fshiheshin dokumentat dhe simbolet e të shkuarës, duke kryer një operacion kulturor të ngjashëm me atë të imponuar nga Enver Hoxha prej dekadash, që fshinte nga fotot zyrtare fytyrat e personave që ishin deklaruar ndërkohë armiqtë e tij. Duke varrosur brenda tuneleve, bashkë me sekretet, edhe frikën nga vetvetja.
Bunk’Art nuk ka dashur kurrë të ishte një muzeum i Enver Hoxhës, por do të ishte e drejtë që të bëhej. Për të njëjtën arsye sipas të cilës hebrenjët ndërtuan muzeun e Holokaustit, italianët hapën bunkerin e Musolinit dhe në Berlin gjermanët realizuan muzeun Checkpoint Charlie, simbol shumë i dhimbshëm i një Gjermanie të ndarë në dy pjesë. Një muze nuk është një apologji e të shkuarës, ashtu si dhe një foto e diktatorit apo një yll nuk janë domosdoshmërisht prova e ndonjë nostalgjie.
Historia nuk mund të ngjallë frikë, Doktor Berisha. Përkundrazi, memoria është një pjesë e çmuar e kulturës së çdo kombi dhe ta kultivosh, – përkundër asaj që ju gjithmonë duket se besoni – ndihmon të shmanget përsëritja e tmerreve të saj.
Carlo Bollino
"Shqiptarja.com"