Unë ministër?!
Nga Thoma Goga
Sapo trokiti dera e shtëpisë, vrapova ta hapë. Desh theva qafën, megjithëse ka kohë që nuk pres njeri. Helbete, si i papunë, nuk i hyj në punë askujt. Përballë postieri me një zarf në dorë. E përshëndeta dhe zgjata dorën ta marr. “Të lutem, – më tha postieri gjithë mirësjellje.- Është më përgjegjësi”. Pastaj më kërkoi kartën e identitetit. Heu, thashë, sa mirë që edhe për letrat e zakonshme të kërkojnë identitetin. “Jo, tha postieri. Ka letra e letra. Ka letra me njëckë vulë, po ka dhe letra me pesë vula. Pa hidh një firmë këtu” e zgjati fletoren dhe një laps të lidhur me gjalmë.
Këtu filloi monologu im. Nga më vinte letra? Se unë as letra nuk prisja. Le që sot jemi në Shqipërinë digitale. Ç’na duhen letrat?! Kemi portale, rrjete sociale…Kemi telefona, mikrofona…Me një klik të gjejnë. Jemi në shekullin e çudirave, kupton apo jo. Po kush të jetë kujtuar për mua? Një herë mendja më fluturoi tek ndonjë shaka shokësh. Tani jemi në demokraci e ç’nuk bën vaki! Po jo, shokët e mi janë seriozë. Pastaj s’bëhet kjo shaka me një fukara.
Pa e hapur fillova të shoh vulat. Tamam ishin pesë rrumbullake dhe një katrore. Ajo katrorja dukej qartë se ishte e postës. Po ato rrumbullaket ma prishën mendjen. “Kryeministria”, “Kryemini…”, “Krye…”. Këtu më iku zëri fare. Heu, thashë, mbahu Çome, se më duket të trokiti fati. Po sa ngrita kokën postieri kishte fluturuar. T’i kisha dhënë një karamele të paktën, se e di që ata lekë s’marrin. Se mos unë kisha lekë që t’i jepja… Edhe një herë që fati u tregua bujar me mua, nuk u tregova unë bujar me postierin. E ndava mendjen; po qe letër e mirë, qeni qepën të hajë, postierit do t’ia bëj një peshqesh.
U ula në një karrike që “rënkon” sa ulem unë. Ndërrova dritat “e gjata” me ato “të shkurtërat”. E kam llafin për gjyslyket. Erdhi momenti që ta hapja letrën. Po më parë e ngrita nga dielli, siç bëjmë kur shohim për ndonjë lekë…Ose kur lekët i shohim se mos janë fallso. Dora më dridhej. O, çfarë emocionesh! Nxora letrën dhe nisa të lexoj:
“Qeveria në mbledhjen e saj të fundit vendosi që ju të emëroheni Ministër i Punës, Rinisë e Shanseve të Barabarta, në vendin e mbetur vakant që la zoti Erjon Veliaj, i cili kandidon për kryebashkiak”
Kryeministri (d.v.) + firma.
Nuk po i besoja syve. Ajo s’ishte firmë. Ajo ishte vetëtimë… I fshiva një herë sytë. Pastaj fshiva edhe dritat “e gjata”, edhe ato “të shkurtërat”. Zemra po ecte me 200 km në orë. Të kisha lënë ndonjë amanet, të paktën. Adelat nuk kisha. Donte dhe pesë ditë të merrja ilaçet e muajit. Kësaj i thonë, të vjen nga s’e pandeh… Hajde Çome, hajde!…Unë ministër!. Nga i papunë, ministër. Dhe ku, ministër i punës. Do kem në dorë kushedi sa punë. Tashti dhe ndonjë nder do ta bëj. Po, për fukarenjtë ama… E po, ky është fat. O zot, si do qetësohesha! Kisha dëgjuar nga doktor Arqileja, ndjesë pastë, se në këto raste një teke raki të sjell pak në terezi. Ashtu bëra. Edhe zemra sikur e ndërroi marshin. Edhe me “llambat” isha më mirë, paçka se xixa më dilnin nga sytë. Po që të vija më në terezi, i futa dhe një teke tjetër raki. Tani filloi brenda meje monologu në pjesën e dytë:
Hallall, më në fund u kujtuan edhe për mua. Po kush të ma ketë bërë këtë nder kaq të madh, ë?! Ta kem dhuratë nga këta të LSI-së që nuk po i zë gjumi deri sa të më rregullojnë mua?! Jo, se kjo ministri është “pronë e hipotekuar” e PS. Po në PS ka ca që thonë se “ky s’është i yni”. Një herë e një kohë dhe ata të PD-së kështu thoshin për mua; “ky s’është i yni” e më vunë drunë nga puna. Vura trurin në punë. Kur s’jam “i yni” me asnjë, i bie që unë të jem i pavarur… Nejse, bravo rilindjes thashë, se më në fund u kujtua për një të pavarur që do të varet…
Fillova të mendoj që të ecja në gjurmët e ministrit të mëparshëm. Hallall, la gjurmë se bëri ca reforma. Megjithëse ishte dhe djalë i ri, gjithë energji. Tashti edhe ne nuk mbetemi pas. Ja, si do zote sot, marrim pak energji kur hedhim nga një teke raki…Po prapë meraku nuk më linte që ta dija se nga kush e kisha këtë mrekulli. Nuk e di pse më shkoi mendja te Erdogani. E takova tek konferenca për shtyp. Më njeh se unë jam dhëndërr te një fis Pashallarësh (po vetëm llagapin kanë kështu fukarenjtë…). Po kur mori vesh se unë isha pa punë, u pikëllua. Pastaj futi dorën në xhep. Oho, thashë, e nxori kuletën byrazeri i madh turk… Jo, u bë pishman; mori shaminë e fshiu lotët që i pikuan për mua.
– Yxhym e gajret Thoma shakaxhiu, -më tha, – hiç qejf qeder. Sakllam deri në saba të xhuma do kesh një haber marshalla. Hallall kalem hosten! Çok gjyzel defter!…
Au, thashë më vete, e paska lexuar gazetën. I paskan pëlqyer edhe fejtonet. Po vrisja mendjen se për cilën të xhuma e kishte fjalën. Se ju e dini që viti ka 52 copë të premte…U binda plotësisht; nga mysafiri turk e kisha sevapllëkun. Atë ditë kisha me vete CV-në time. Më kishte thënë një deputet ta mbaja gjithmonë me vete se nuk i dihet. E po, kot nuk është deputet tjetri. Them mbase e bekoi CV-në birinxhi nipi i Sulltanit. Me të dëgjuar e kam, po burimet jozyrtare, thonë se për mua, i paska “hequr veshin” këtij tonit. Ishallah! Hë, m’i lumtë ajo dorë. Kollaj kur ky ua heq veshin të tjerëve. Jo po, ta dijë se nuk jami pa mbështetje…
Sido që të jetë e kushdo që të ketë dalë garant për mua, ta dijë mirë dhe u siguroj; nëqoftë se deri tani kam qënë një herë korrekt, siç më njohin, do të jem dhjetëfish më shumë. Stop korrupsionit! Stop hatërllëqeve! Tek unë nuk pinë ujë dallaveret. Përpara për reforma, përpara për mirëqënien sociale, përpara për… para. Sa u kujtova për paratë, këtu sikur m’u ngatërrua edhe monologu. Bile këtu u këput fare “filmi”. Dikush më tronditi. Tërmet dhe u hodha përpjet.
… Ishte gruaja që më zgjoi. Kisha qenë në ëndërr. Kurse fraza që vijon, ju betohem, nuk është ëndërr, por realitet.
– Merr këtë 200 lekshen e bli një bukë e një kos, -urdhëroi ajo.- Mos humb kusurin, se teprojnë 10 lekë…
E po, keni parë kështu?! Dhe një herë që desh u bëra ministër, s’më la gruaja…