Unë, Xhorxh Soros kërkoj një Europë tjetër
Nga Xhorxh Soros.
Bashkimi Europian i sotëm ka nevojë për shpëtim dhe ristrukturim radikal. Shpëtimi i BE-së duhet të marrë përparësi, sepse Europa është në rrezik ekzistencial. Por, siç e theksoi dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjatë fushatës së tij, rigjallërimi i mbështetjes që BE-ja ka pasur nuk është më pak i rëndësishëm.
Rreziku ekzistencial me të cilin përballet BE-ja është pjesërisht i jashtëm. Bashkimi është i rrethuar nga fuqi që janë armiqësore me atë që ai përfaqëson – Rusia e Vladimir Putinit, Turqia e Recep Tayyip Erdoğan, Egjipti i Abdel Fattah el-Sisi dhe Amerika që Donald Trump do të krijonte nëse do të mundej.
Por kërcënimi gjithashtu vjen nga brenda. BE-ja qeveriset nga traktatet, të cilat pas krizës financiare të vitit 2008, u bënë shumë e parëndësishme ndaj kushteve që prevaluan në eurozonë. Edhe inovacionet më të thjeshta të nevojshme për ta bërë monedhën e përbashkët të qëndrueshme duhet të trajtohen vetëm përmes marrëveshjeve ndërqeveritare jashtë traktateve ekzistuese. Dhe, ndërsa institucionet funksionuese europiane u bënë gjithnjë e më të ndërlikuara, BE-ja vetë gradualisht u bë jofunksionale në disa mënyra.
Eurozona veçanërisht u bë krejt e kundërta e asaj që synohej të ishte në fillim. BE-ja supozohej të ishte një lidhje vullnetare e shteteve që mendonin njëlloj të cilat kishin vullnetin të hiqnin dorë pjesërisht nga sovraniteti i tyre për të mirën e përbashkët. Pas krizës financiare të 2008, eurozona u transformua në një formë ku vendet kreditore diktonin kushtet për vendet debitore që nuk mund të përmbushnin detyrimet e tyre. Duke diktuar kursime, kreditorët e bënë praktikisht të pamundur që debitorët të kapërcejnë pengesat e tyre.
Nëse BE-ja vazhdon punën si zakonisht, ka pak shpresë për përmirësim. Kjo është arsyeja përse Unioni duhet të rikrijohet radikalisht. Qasja nga lart-poshtë që Jean Monnet përdori kur u lançua integrimi europian në vitet 1950 e ka sjellë procesin shumë përpara, derisa humbi shpejtësinë. Tani Europa ka nevojë për një përpjekje të përbashkët që kombinon qasjen e institucioneve të BE-së nga lart-poshtë me iniciativa nga poshtë-lart për të inkurajuar elektoratin.
Marrim për shembull Brexitin, që është padyshim shumë dëmtues për të dyja palët. Negocimi i ndarjes me Britaninë do të shpërqendrojë vëmendjen e BE-së nga kriza e vet ekzistenciale dhe diskutimet pritet të zgjasin më shumë se dy vitet e parashikuara. Pesë vite duken më të mundshme – një përjetësi në politikë – veçnarisht në kohë revolucionare si tani.
BE-ja duhet kështu të ketë një qasje të shpirtit konstruktiv për bisedimet e Brexit, duke njohur paparashikueshmërinë e të ardhmes. Gjatë procesit të stërgjatë “të divorcit”, publiku britanik mund të vendosë që pjesëmarrja në BE është më tërheqëse sesa largimi prej saj. Por ky skenar presupozon se BE-ja do të transformohet në një organizatë që vendet e tjera si Britania duan t’i bashkohen dhe se njerëzit nga të dyja anët e Kanalit Anglez mund të ndryshojnë mendje.
Shanset që këto kushte të përputhen janë të pakëta, por jo zero. Do të duhej një pranim i gjerë i BE-së se Brexit është një hap drejt disintegrimit europian – dhe kështu një propozim me humbje për të dyja palët. Përkundrazi, bërja e BE-së tërheqëse sërish do t’i jepte njerëzve, veçanërisht të rinjve, shpresë për një të ardhme më të mirë.
Një Europë e tillë do të dallonte nga marrëveshja aktuale në dy aspekte kyçe. Së pari, do të dallonte qartazi BE-në dhe eurozonën. Së dyti, do të pranonte që eurozona qeveriset nga traktate të vjetra të dala nga moda dhe se qeverisja e saj nuk mund ndryshohet për shkak se traktati është i paprekshëm.
Traktatet thonë se të gjitha vendet anëtare duhet t’i bashkohen euros nëse dhe kur të kualifikohen. Kjo ka krijuar një situatë absurde ku vende si Suedia, Polonia dhe Republika Çeke e kanë bërë të qartë se nuk duan t’i bashkohen euros, por ato ende përshkruhen dhe trajtohen si hyrëse.
Efekti nuk është vetëm në dukje. BE-ja është bërë një organizatë ku eurozona përbën thelbin e brendshëm dhe anëtarët e tjerë janë të një pozicioni inferior. Kjo duhet të ndryshojë. Problemet e shumta të pazgjidhura të euros nuk duhet të lejohen të shkatërrojnë BE-në.
Dështimi për të qartësuar marrëdhënien mes euros dhe BE-së reflekton një defekt më të gjerë: supozimin se shtete të ndryshme mund të lëvizin me shpejtësi të ndryshme, por janë të gjitha të drejtuara për nga i njëjti destinacion. Në fakt, një proporcion në rritje i vendeve anëtare kanë refuzuar kategorikisht pretendimin e “një bashkimi më të ngushtë”.
Zëvendësimi i një Europe “me shpejtësi të ndryshme” me një Europë “me korsi të ndryshme” që i lejon shteteve anëtare një varietet të gjerë zgjedhjesh demokratike do të kishte një efekt më të mirë. Vendet anëtare duan të rifitojnë sovranitetin e tyre, në vend që ta dorëzojnë më tej. Por nëse bashkëpunimi prodhon rezultate pozitive, sjelljet mund të përmirësohen dhe objektivat e ndjekur nga koalicionet mund të tërheqin pjesëmarrje universale.
Progresi i thellë është i domosdoshëm në tre zona: disintegrim territorial, si shembulli i Brexit; kriza e refugjatëve; dhe mungesa e zhvillimit të mirë ekonomik. Që të treja këto çështje, aktualisht kanë një bazë të ulët bashkëpunimi.
Kjo bazë është veçanërisht e ulët kur vjen te kriza e refugjatëve dhe trendi është për poshtë. Europa ende nuk ka një politikë bashkëkohore të migracionit. Çdo vend ndjek atë që percepton të jetë interesi kombëtar, shpesh duke punuar kundër interesave të vendeve anëtare. Kancelarja gjermane Angela Merkel kishte të drejtë: kriza e refugjatëve mund ta shkatërrojë BE-në. Por ne nuk duhet të heqim dorë. Nëse Europa mund të bëjë progres të thellë në ritrajtimin e krizës së refugajtëve, lëvizja do të ndryshonte në një drejtim pozitiv.
Besoj shumë te lëvizja. Edhe përpara zgjedhjes së Macron, duke filluar me mundjen bindëse të nacionalistit holandez Geert Ëilders në zgjedhjet e përgjithshme të Holandës në mars, dikush mund ta dallojë zhvillimin e lëvizjes që mund të ndryshojë procesin politik nga lart-poshtë të BE-së për mirë. Dhe me Macronin, i vetmi kandidat pro-europian që fitoi në Francë, jam më shumë se i bindur rreth rezultatit të zgjedhjeve në Gjermani në shtator. Ka shumë kombinime që do të çonin në një koalicion pro-europian, veçanërisht nëse mbështetja për anti-europianen dhe ksenofoben Alternative für Deutschland vazhdon të bie. Kjo lëvizje në rritje pro-europë mund të jetë pastaj mjaft e fortë për të tejkaluar rrezikun më të madh: një kriza bankare dhe migracioni në Itali.
Jam gjithashtu i inkurajuar nga iniciativat spontane në komunitete – mbështetur kryesisht nga të rinjtë – që po shohim sot. Kam në mendje lëvizjen “Pulse of Europe” [Pulsi i Europës] që filloi në Frankfurt në nëntor dhe u përhap në 120 qytete në kontinent; lëvizjen “Best for Britain” [Më e mira për Britaninë] dhe rezistencën ndaj Partisë Ligj dhe Drejtësi në Poloni dhe partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban në Hungari.
Rezistenca në Hungari duhet të jetë po aq befasuese për Orbanin sa është për mua. Orban ka kërkuar t’i përkufizojë politikat e tij si konflikt personal me mua, duke më trajtuar si shënjestrën e fushatës së propagandës së paepur të qeverisë së tij. Ai e tregon veten si mbrojtës të sovranitetit hungarez dhe mua si spektator që po përdor paratë për të përmbysur Europën me imigrantë të paligjshëm si pjesë e një komploti të paqartë, por të lig.
Por e vërteta është se jam krenar të jem themelues i Universitetit Qendror Europian, i cili pas 26 vitesh ka hyrë mes 50 universiteteve më të mira të botës në shumë shkenca sociale. Duke financuar universitetin, i kam dhënë mundësinë të mbrojë lirinë e vet akademike nga ndërhyrja e jashtme, qoftë e qeverisë hungareze, ashtu dhe e kujtdo tjetër (përfshirë themeluesit).
Kam mësuar dy leksione nga kjo eksperiencë. Së pari, nuk mjafton të mbështetesh vetëm te sundimi i ligjit për të mbrojtur shoqëritë e hapura; duhet gjithashtu të ngrihesh për atë që beson. Universiteti dhe përfituesit e fondeve të mia po e bëjnë këtë. Fati i tyre është në peshore. Por kam besim se mbrojtja e tyre e vendosur e lirisë akademike dhe liria e shoqatava me kalimin e kohës do të vërë në lëvizje sistemin e ngadaltë të drejtësisë në Europë.
Së dyti, kam mësuar se demokracia nuk mund të imponohet nga jashtë; duhet të arrihet dhe të mbrohet nga vetë njerëzit. E admiroj mënyrën kurajoze të hungarezëve që rezistuan mashtrimin dhe korrupsionin e shtetit mafioz që Orban ka krijuar dhe inkurajohem nga përgjigjja energjike e institucioneve europiane ndaj sfidave që burojnë nga Polonia dhe Hungaria. Ndërsa rruga përpara është e rrezikshme, mund të shoh qartazi në përpjekje të tilla perspektivën e rigjallërimit të BE-së.
/Project Syndicate