Urimi i Kardinalit për Ramazan, si mundësi reflektimi për raportet me fenë dhe besimin

Nga Imam Muhamed B. Sytari*

Prej shenjave të mirësisë së Ramazanit, bekimeve hyjnore dhe sakrificave në këtë muaj të madhërishëm është edhe shfaqja e shenjave të vëllazërisë dhe unitetit në mesin e besimtarëve në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi.
A ka diçka më të bukur sesa të shohësh njerëzit duke uruar njëri-tjetrin, duke e ditur mirë se ky lloj komunikimi është shfaqje e vërtetë e një ndjesie të strukur thellësive të qenies njerëzore, që papritur del në pah, duke na vërtetuar sesa e rëndësishme është ajo për mbizotërimin e paqes sociale dhe spikatjen e shembujve të qytetëruar në marrëdhëniet e civilizuara të njeriut me vëllanë e tij njeri!
Kam vënë re, se në Shkodër ku bashkëjetojnë në harmoni muslimanë dhe të krishterë, në një realitet në kufi; sa herë ka festa të komuniteteve fetare, qytetarët urojnë njëri-tjetrin, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët, komshitë, etj. Muslimanët urojnë të krishterët dhe të krishterët urojnë muslimanët. Më pëlqen ky mozaik, ku secili ka vendin e vet e, ku secili, sado vezullues që të jetë, nuk e plotëson dot imazhin e mrekullueshëm të pamjes së plotë, pa tjetrin dhe dritën e tij!
Këtë e kemi vënë re tani, edhe në harkun e dy-tre javëve të fundit, ku të tre komunitetet fetare kanë qenë të përfshira në një atmosferë të begatë me festa dhe ngjarje të shënuara në secilën prej besimeve.
Besimi dhe qëllimet fisnike të përkthyera nga parime hyjnore, janë dhe mbeten përherë siguresa garancie për tabanin e harmonisë kombëtare, zhvillimin e shëndetshëm të shoqërisë dhe ecjen përpara, mbështetur në besimin dhe dijen, vetëdijen kombëtare dhe largpamësinë e të jetuarit si paqtues. Këto s’i zvenit dot as egoizmi i sëmurë, as dëshirat e paekuilibruara, as tendencat kapriçioze, që herë pas here ngrenë krye, si për ta vënë edhe më në levizje shpirtin e papërlyer të tabanit, kodet e të cilit burojnë nga Fjala e Zotit dhe drita e Tij!
Nga këtu themi se, kushdo që nxit harmoninë në mesin e njerëzve, duke e pranuar tjetrin e duke respektuar shenjtëritë e tij, përkatësinë fetare në veçanti, duhet respektuar dhe nderuar!
Para dy ditësh ndoqa me kënaqësi përshëndetjen e Kardinal Ernest Troshanit, i cili pavarësisht se ndodhet jashtë vendit dhe përtej moshës së thyer, nuk harroi të na uronte për këtë muaj të begatë, duke na obliguar këtë falënderim, plot mirënjohje dhe respekt!
Duke dëgjuar kardinal Troshanin, më erdhën ndër mend disa lexime të vjetra nga kujtimet e urta të Kryemyftiut të Madh të Sirisë, Eminencës së Tij, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), që dëshmon për një ligjëratë të mbajtur në Universitetin e Milanos, gjatë vizitës zyrtare në vitin 1985.
Ndër të tjera, thotë: “Nga eksperienca ime personale në jetë, si njeri i fesë, kam aritur në bindjen thuajse të plotë se largimi i shumë njerëzve nga feja, nuk lidhet absolutisht me mospranimin e tyre të fesë, porse për shkak të fanatizmit, ngurtësimit dhe gabimeve të klerikut, logjika dhe mendimi i të cilit është ngrirë, duke ndërhyrë në mes njeriut bashkëkohor dhe bindjeve të tij!
Njëkohë, që ky lloj kleriku nuk posedon as minimalen e mjeteve të njohurisë dhe, qëndron i frikësuar përballë çdo të reje, duke e konsideruar atë të ndaluar dhe se, çdo gjë që nuk përmendet në Teurat, Inxhil a Kur’an është blasfemi e hapët!?
Ky lloj skeptiku vendosi të luftojë mendimin dhe mendjen, sikurse refuzoi komunikimin me njeriun nëpërmjet të dhënave të reja, duke harruar misionin e tij, duke ndryshuar zanatin dhe duke kthyer shpinën! Kësisoj, njerëzit hoqën dorë prej modelit të tij dhe, njeriu i shekullit njëzet, të cilit Zoti i ka dhuruar mendjen, mendimin dhe vullnetin, refuzoi të eliminojë mendjen e tij, të mbysë mendimin e tij dhe të heqë dorë nga vullneti!”.
Nga komunikimi i përditshëm me njerëzit, sidomos në këto ditë të pazakonta të përballjes me realitetet e pandemisë Covid-19, më forcohet përherë e më shumë bindja se, njeriu, përtej sfidave të jetës, vështirësive të saj dhe aspërsisë së të papriturave që e zënë në hutim, ka mundësinë e madhe të triumfojë nga pikënisja marrëdhënies së tij me besimin dhe thirrjen e shpirtit, mbështetur mbi pragun e modeleve, që nuk të zhgënjejnë!
Muslimanë dhe të krishterë, sot, jemi të ftuar të bashkëpunojmë në të mirë të vlerave të përbashkëta njerëzore, që burojnë nga Librat e shenjtë, që na frymëzojnë për të jetuar në paqe e mirëkuptim, në bashkëpunim dhe dorë për dore si një shoqëri e vetme, ku secili është i ftuar të bëjë më të mirën për tjetrin, si për veten e tij, ashtu edhe për shoqërinë, të sotmen dhe të ardhmen, për t’u dëshmuar si mëkëbës i denjë i Zotit të gjithësisë!
E dëgjova dhe e ridëgjova urimin e kardinal Troshanit. E zbukuroi ditën time ai urim, ato tinguj të moshuar, ai ekuilibër i mrekullueshëm i shpirtërores me materialen, i të shenjtës me tokësoren, i të shkuarës me të tashmen e të ardhmen, që pa asnjë dyshim do të jetë më shkëlqyese, sepse mjegulla dhe tentakulat e mashtrimit të mendjes, arsyes dhe komandimit të vullneteve, kanë kohë që kanë nisur ta humbin elasticitetin e tyre, njëkohë që zëri i besimit, ai i dritës së udhëzimit, sa vjen e bëhet më kumbues dhe thellësisht bindës për njeriun e sotëm, që është hutuar labirintheve të humbjes!
Është Ramazan. Është stinë e paqes dhe e paqtimit, e mëshirës dhe e përhapjes së vlerave të vllazërisë e forcimit të bashkëpunimit në mesin e bijve të Ademit! Besimi, me dritën dhe urtësinë e tij, përherë ka triumfuar mbi sfidat dhe vështirësitë, sado të mëdha të kenë qenë!
Është Ramazan. Është kohë shprese!

*Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 29 prill 2020

SHKARKO APP