Uroj ta kem gabim…
Nga Blendi Gonxhja*
Edhe 12 ditë nga dita e votimit për Zgjedhjet Vendore. Tani është koha kur intensiteti i çjerrjes, llangosjeve dhe sulmit për të rrëmbyer vëmendjen e elektoratit do rritet deri në histeri prej më të fuqishmëve. Të ishte kjo vetëm vullnet e ambicie, shpenzim këmbëngulës e një pale që justifikon burimet, fondet, donacionet, mjetet e investuara hajde de, sado e lodhshme mund të bëhet për të gjithë ne, por ka histori interesante që lidhen me këtë batërdi.
Ka të dhëna se në disa qytete shumë punonjësve u është kërkuar rroga e majit, si "ndihmë" për fushatën e atij që i ka ndihmuar të punësohen, me detyrim përcaktim nëse e duan akoma atë punë! Fenomeni nuk njeh sigël. Ka të punësuar, nga subjekte apo administrata të ndryshme, në kushtet kur pushteti është i copëtuar mes subjekteve e nivelesh lokale apo qendrore, që sinjalizojnë këtë skemë. Nëse është e vërtetë, sepse për sa kohë nuk dalin të dëshmojnë vetë ata që po na njoftojnë për këto raste nuk kemi si themi emra apo prova, kjo është ironia me turpëruese.
Do ishte një gjë e rëndë nëse një pjesë e madhe e fondeve për fushatën të jetë prej burimeve të dyshimta e të paligjshme ose që prej mostransparencës nesër sjellin kapje të fituesve e subjekteve, por është akoma më e rënde dhe tragjike që një pjesë e fondeve të fushatës të sigurohen nëpërmjet gjobitjes së hallexhinjve duke u mbajtur atyre edhe pagën që mezi marrin! E nëse kjo dramë nuk mjafton që këta të gjejnë kurajo të flasin e të demaskojnë këtë skemë të turpshme atëherë kot që flasim. I bëj thirrje organeve kompetente të observojnë, të venë në lëvizje mekanizmat hetimore e sinjalizuese që të kapen autorët nëse kjo realisht ndodh, nëse halli i bën njerëzit të shkelën kaq rëndë në dinjitetin e tyre e të mos ankohen dot. Uroj ta kem unë gabim…
*Kandidat për anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë, PDK