Ushtria turke mund të ndryshojnë ekuilibrin në Siri dhe në Irak
Me sulmet ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik dhe atyre kurde, Turqia është pozicionuar për herë të parë në konfliktin e Sirisë. Por sipas Ankarasë qeveria turke nuk do të shkojë më tej.
Sipas deklaratave të kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, Turqia nuk ka plane për një ofensivë tokësore në Siri. Por sipas Davutoglu do të mbështeten me sulme nga ajri kryengritësit e moderuar që luftojnë kundër milicëve ekstremistë të "Shtetit Islamik". Kështu shprehet kryeministri turk në një deklaratë për gazetën turke "Hürriyet" duke theksuar se Turqia ka rënë dakord për këtë me SHBA.
Davutoglu citohet të ketë thënë se partia siriane kurde, PYD, e cila ka lidhje me partinë punëtore kurde, PKK mund të ketë vendin e saj në "një Siri të re". Kusht për këtë është kjo parti të mos angazhohet kundër Turqisë, dhe t'i ndërpresë të gjitha lidhjet me administratën e presidentit sirian, Bashar al Asad, si edhe të bashkëpunojë me trupat e opozitës.
Sulm kundër një fshati kurd në Siri
Ndërkohë ushtria turke kreu një sulm kundër një fshati sirian të kontrolluar nga luftëtarët kurdë. Siç ka bërë të ditur Qendra Siriane për Të Drejtat e Njeriut dhe aktivistë të tjera, pas disa sulmeve ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik, natën u sulmua edhe fshati Sor Maghar në afërsi të provincës së Alepos, afër kufirit me Turqinë, ku u plagosën si pasojë katër luftëtarë kurdë.
Më parë aviacioni ushtarak turk kishte sulmuar pozicione të PKK-së në veriun e Irakut. Transmentuesi CNN Turk njoftoi se të dielën në mbrëmje avionët luftarakë të nisur nga baza në juglindje të Turqisë, Diyabakir kishin goditur objektiva në Hakuk. Ndërkohë sulmet ajrore kanë sjellë edhe protesta në Turqi. Në Stamboll, në lagjen Gazi u zhvilluan protesta kundër sulmeve turke ndaj PKK-së. Policia ndërhyri me gaz lotues dhe ujëhedhëse. Partia kurde HDP akuzon presidentin turk, Erdogan se po e nxit qëllimisht konfliktin me kurdët "për ta pasur sërish pushtetin e plotë". AKP e Erdoganit humbi në zgjedhjet e 7 qershorit për herë të parë shumicën absolute.
Gjermania: Thirrje për vetëpërmbajtje
Qeveria gjermane i ka bërë thirrje Ankarasë për vetëpërmbajtje. Në një telefonatë me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, kancelarja gjermane Angela Merkel apeloi që "Turqia të mos e ndërpresë procesin e paqes me kurdët". Ndërsa ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen u shpreh se është e rëndësishme që Ankaraja të mos e braktisë "shtegun e nisur të pajtimit" me PKK-në.
Ndërkohë SHBA e ka mbështetur Turqinë në këtë pozicionim. Ankaraja ka të drejtë të veprojë kundër "objektivave terroriste", tha Ben Rhodes, zëvendëskëshilltari i sigurisë i presidentit amerikan, Barack Obama. Në të njëjtën kohë ai përshëndeti operacionin e "vendosur" të Turqisë kundër Shtetit Islamik.