“Vajza ime Anne Frank”

 

Ditari i Anne Frank i përkthyer në 70 gjuhë është pjesë e letërsisë botërore. “Vajza ime Anne Frank” është filmi i parë gjerman. Regjisori i tij Raymond Ley mbi dokumentarin artistik në intervistë me Deutsche Welle.

„Vajza ime Anne Frank” ,është filmi ri i ARD-së, televizionit të parë gjerman ku pasqyrohet jeta e familjes hebreje Frank. Autorët e paraqesin jetën e kësaj familjeje nga një këndvështrim i ri. Në fokus të filmit jo vetëm vitet e fundit të jetës së Anne Frank, e fshehur në kthinën e një apartamenti në Amsterdam, shpresat e vajzës së re dhe tradhtia që iu bë tek Gestapoja. Por filmi e kthen kameran tek babai i Anne Frank, ai rrëfen edhe fatin e Otto Frank, që mbijetoi i vetmi në familje Holokaustin dhe u kujdes që pas luftës të publikohej ditari i saj. Deri më tani ditari i Anne Frank është botuar me një tirazh deri në 30 milionë ekzemplarë dhe është filmuar disa herë.

„Vajza ime Anne Frank“ është një dokumentar artistik. Ai gërsheton skenat artistike me pamje historike dhe intervista me dëshmitarë të kohës. Reymond Ley, regjisor i filmit dhe teatrit e ka realizuar filmin ku fiksioni dhe fakti kanë secili vendin e tyre.

Deutsche Welle: Zoti Ley, ju e rrëfeni historinë nga perspektiva e babait Otto Frank, i cili i mbijetoi Holokaustit. Pse kjo zgjedhje?

Raymond Ley: Unë kisha menduar se ka së paku 52 filma televizivë dhe tre seri për këtë. Por nuk ishte vërtet kështu. Ndoshta ka lidhje edhe me vlerësimin që i bëhet letërsisë, me gjithë diskutimin e tipizimin si „letërsi vajzash“. Por në këtë moment vetëm mund të bëjë hipoteza. Rrëfimi nga pozicioni i babait ishte një ide që lindi nga unë, producenti dhe redaksia. Ai na drejton në këtë histori, pra një zgjedhje normale dramaturgjike

Në mars është përvjetori i 70-të i vdekjes së Anne Frank, që u nda nga jeta në kampin e përqëndrimit Bergen-Belsen. Mund të thuhet ndonjë gjë e re për të që nuk e dimë?

Besoj se në këtë film përshkruhen perspektiva të ndryshme, nga autorët e krimit deri tek ata që tradhëtuan. Nuk ka asnjë film që i mbledh në një dendësi të tillë dëshmitarët e kohës. Kur filmi përfundoi kisha ndjesinë se ai është unikal në llojin e tij. Po ashtu ne u përqëndruam edhe tek teksti, shoqërimi me tekst i Anne Frank që rritet, fillesat e para letrare dhe marrëdhënia me nënën.

Filmi nuk përqëndrohet vetëm tek ditari, por tregon edhe rrethanat e kohën në të cilat është shkruar…

Sigurisht edhe kjo tregohet në film, por nuk mund të tregojmë Amsterdamin e vitit 1944. Ne vetëm mund ta përfytyrojmë presionin që ndjenin ata që duhej të fshiheshin, përndjekjen, tradhtinë, që u kushtoi jetën shumë njerëzve. Ne e rrëfejmë këtë në formë konfrontimi me njëri-tjetrin të atyre që fshihen. Por edhe vullnetin e fortë për jetën të Anne Frank, e cila këtë e përjetoi si një kthesë absolute në jetën e saj, por megjithatë nuk e humbi shpresën. Në fund ajo thotë: „Ndoshta në shtator, po qe se mbaron lufta mund të shkojmë sërish në shkollë.”

Anne Frank, rolin e së cilës e luan Mala Ende, ne e njohim si një adoleshente të gëzuar. Duke e paraqitur Anne Frank si një vajzë nornmale të moshës së saj, mos doni të theksoni edhe veçanësinë e karakterit të saj?

Më duket se donim të theksonim humbjen, humbjen e jetës së një njeriu. Donim ta tërhiqnim spektatorin që të merrej me fatin e saj, të ketë frikë për fatin e saj. Ne donim, si thoni edhe ju, ta nxirrnim atë nga fati në Holokaust dhe të theksonim profilin e saj si person.

Keni zgjedhur formën dramës-dokumentar. Përzieni skenat e luajtura me imazhe historike, marshimi i gjermanëve në Holandë për shembull. Pastaj kemi intervistat me dëshmitarët. Pse kjo formë kolazhi, për më shumë autenticitet?

Jo patjetër. Sigurisht në dramën-dokumentar kemi gjithmonë një kolazh të situatave skenike dhe atyre historike. Për një spektator që kërkon vetëm të shohë fatin e një personi, ndoshta e vështirë të mësohet me këtë. Por unë mendoj se e pasuron filmin, kur shohim aty shoqen e Anne që thotë: „Kështu qe vërtet“. Tragjizmi i plotë përjetohet me një dendësi të fortë emocionale, dëshmitari i kohës hap rrugën për një lloj reflektimi: Ju dilni nga historia, shikoni personin, dhe rifuteni më pas sërish në histori. Më pëlqen kjo, besoj edhe spektatorit.

Në film shfaqet një oficer i SS-it që arreston pas tradhtisë Ann Frank dhe të tjerët. Kishit një profil të qartë të autorit të krimit, kriminelit tipik nazist?

Aspak. Dija që ka pasur një proces për Karl Josef Silberbauer, i cili i tradhtoi Anne Frank dhe personat e tjerë të fshehur, por dija pak për këtë njeri. Intervistën e zbuluam pak vonë rastësisht. Një gazetar e kishte bërë atë në vitin 1962, gjatë procesit të Silberbauerit në Vjenë. E përkthyem nga gjuha holandeze dhe vumë re: Një përballje e qartë, dhe tregon edhe njëherë se si mendonin kriminelët në fund të epokës nacionalsocialiste për viktimat e tyre. Pikërisht kjo formë e dokumentarit e mundësin kthimin disa vite pas.

Ka grindje për mënyrën se si duhet kujtuar Anne Frank. Në Amsterdam aktualisht shfaqet një musical për Anne Frank. Kanali i dytë gjerman, ZDF ka pasur grindje me Fondin Anne Frank në Basel për një projekt filmik. Një fat kaq tragjik bëhet edhe arsye për t'u grindur?

Sigurisht nuk duhej të ishte kështu. Ne kemi bërë një film për ARD dhe jo për Fondin Anne Frank. Pra unë jam i çliruar nga gjithë ato gjëra, të cilat nuk i kam shkaktuar unë, pasi nuk ishin të rëndësishme për punën, por e pengonin më shumë atë.

Raymond Ley, lindur në vitin 1958 është autor filmash dhe regjisor. Ai është një njohur për filmat dokumentarë me elementë artistikë.

SHKARKO APP