Vajzat e bukura të instagramit, modeli i suksesit që kalon “mes këmbëve”
Nga Manjola Bregasi
Plazhe ekzotike, ushqime delikate dhe poza sensuale femrash nën diell. Është ky imazhi që të del sot thuajse në çdo faqe instagrami dhe në çdo portal.
“Vajzat e mira” të instagramit vazhdojnë të shtojnë ndjekësit e tyre në një rrjet, që tashmë po kthehet në trendin e momentit jo vetëm në Shqipëri.
Kryesisht adoleshentët kaq lehtë të ndikueshëm, duket se për fat të keq modelet e tyre po i kërkojnë më shumë tek instagrami dhe rrjetet sociale se sa tek libri, shkolla apo familja.
Nuk dua të bëj aspak moral, sepse nuk kam bërë pjesë tek nxënëset e shkelqyera të dhjetave në bankën e parë dhe padyshim jam përdoruese e instagramit dhe FB, jo thjesht për hir të punës që kam. Ndaj, të kuptohemi që në fillim, në këtë histori nuk ka asgjë personale.
Gjithsesi më duket totalisht e pabesueshme se si instagrami mund të jetë modeli i krijimit të një individi, ndërsa numri i ndjekësve, një vlerë e shtuar për njerëz të pavlerë.
Nëse ju pyes, kë do zgjidhnit si model mes Encës dhe Ermonela Jahos, me siguri do thonit sopranon, artisten e madhe të skenave botërotre, që çdo grimcë suksesi ja dedikon talentit dhe punës.
Po nëse ju them që Enca numëron 1 milion ndjekës në instagram dhe Ermonela Jaho 4 mijë, a do më përgjigjeshit njëlloj?
Po ju pyes ju: Cili është modeli që ofron secila prej të dyjave? Çfarë ka për shtitur Enca dhe çfarë ka për të shitur Ermonela? Çfarë ofron Enca për ndjekësit e saj dhe çfarë ofron Ermonela?
Që të jemi të qartë, nuk kam asgjë kunder vajzave të bukura që “shiten” në rrjetet sciale, çështja është çfarë mesazhi i japin atyre që i ndjekin. Maksimumi që mund të mësosh duke i ndjekur është marka më e fundit e rrobave te banjës, të cilën nese nuk ke paratë e tyre nuk mund ta blesh. Kjo puna e parave është çështje tjetër.
Gjithsesi këto “vajza të mira” të mësojnë se duke nxjerrë në pah hiret që u ka falur nëna natyrë ose në të shumtën e rastve kirurgu plastik, ti bëhesh e famshme dhe duke qenë e famshme sajohen edhe ca lekë …Nuk e di se si, por “vajzat e mira” të instagramit ja kanë dalë pa bërë asgjë, të sajojnë ca shumë më shumë lekë se ato që punojnë.
E nëse i sigurove dhe leket ç’të duhet shkolla, diploma apo librat? Ky është model i sigurt i suksesit të shpejtë të një vajze, që përveç tangëllikut, shpesh nuk ka asgjë tjetër për të ofruar.
E megjithatë, në një vend si ky yni, një vajzë nuk ka shumë mundësi: ose do ndjekë shembullin e sigurt të “bukurosheve” të suksesshme të instagramit, ose do të copëtohet në vite duke investuar para, djersë e mund, me shkolla, mastera dhe eksperienca pune, që kurrë nuk janë të sigurta si rrugë të shpejta suksesi. Gjithsesi, thonë se ky i dyti jeton gjatë, çështja është cilën nga rrugët do zgjedhësh.
Thonë se suksesi i b*…ve dhe gjoksit do të vazhdojë të frymojë sa kohë, ne të gjithë ta furnizojmë me like e follow dhe të bindemi, që ai nuk të çon dot larg, sepse do të venitet shpejt bashkë me bukurinë. Ndoshta ka ardhur koha, të mos e ushqejmë më, edhe pse duket mision i vështirë.