Vargjet e para të Lahutës së Malcis

 

Në kërkim të mesazheve universale të Fishtës

Nga Tonin Çobani

Vargjet e para të Lahutës së Malcis  dalin të botuara qysh në vitin 1900 në revistën “Albania” të Faik Konicës. Janë 72 vargje tetërrokëshe, të nënshkruara me një pseudonim jo të zakontë: Në emër të shqiptarëve që duan vendin.[1] Poezia e krijuar me to mban titullin “Mali (i) Zi” dhe fillon me vargjet: “Po na thonë se Malit t’Zi / Pjetroburgu ia dha fjalën / Me hy brendë në Shqiptari / Turbull Drini ku rrëmen valën…

Katër-pesë vjet më vonë, kur Fishta boton blenin e parë të Lahutës së Malcis (pesë këngë), vargjet e poezisë “Mali i Zi” përbëjnë këngën e tretë, atë me titull “Kushtrimi: Ora e Shqypnis”. [2] Ajo këngë, përveçse e botuar më parë tek “Albania”, ka të shtuara edhe 16 vargje dhe vjen e organizuar në 11 strofa tetëshe: është një ode brenda organizimit në monokolonë të vargjeve të tjera të atij bleni, pra, të Lahutës së Malcis.

Bleni i parë titullohet “Te Ura e Rrzhanicës”. Ai ka njohur 3 botime më parë se të vinte në formën që ka sot në Lahutën e Malcis. Në ribotimin e katërt (1932) Fishta bëri ndryshime: la jashtë këngën “Kushtrimi: Ora e Shqipnisë”. Por kjo nuk do të thotë se vargjet e odes së kushtrimit, “Ora e Shqipnisë”, siç njihen ndryshe, nuk e kanë vendin e tyre në variantin përfundimtar të Lahutës… Ato vargje, sërish në monokolonë, Fishta i ka përfshirë në këngën “Pater Gjoni” (kënga e 19-të, vargjet 415-495), por tashti në gojën e Lulash Ndreut,  një personazh i ri i Fishtës, që ka funksionet e ndihmësit të Pater Gjonit.  Ai, teksa malësorët janë nisë për luftë të prirë prej fratit të tyre,  ia merr këngës: “Po na thonë se Malit të Zi… “ etj.

Është për t’u shënuar se vargjet e odes së kushtrimit, “Ora e Shqipnisë” (“Mali i Zi”), janë vargjet që u ribotuan jo vetëm sa herë u ribotua bleni i parë i Lahutës..., por u morën prej aty dhe u publikuan më shumë se një herë në origjinal (dhe të përkthyera në italisht[3]) në gazetën “La Nazione Albanese”(1912 dhe 1918) të Anselmo Lorcchio-s, duke shënuar kështu edhe fillimnjohjen ndërkombëtare të veprës fishtjane.

Më parë se të nxjerrim përfundime nga këto ndryshime të nduar-nduarshme  vargjesh,  e quaj me interes të ndalem në dy kuriozitete që lidhet me zanafillën e Lahutës… së Fishtës, respektivisht, me blenin e parë të kësaj vepre madhore. I pari ka të bëjë me vitin e botimit që vazhdon të diskutohet deri në ditët e sotme, pasi nuk ka qenë shënuar në treguesit teknikë të librit. Pra, bleni i parë i Lahutës së Malcis, “Te Ura e Rrzhanicës”, është botuar në Zarë të Kroacisë, si këngë popullore, pa emrin e autorit dhe pa vitin e daljes nga shtypshkronja.  Prandaj disa marrin si vit botimi 1904, disa të tjerë 1905. Unë kam parë ndonjë autor që shënon edhe vitin 1903. Duhet bërë me dije se aso koheLahuta e Malcis hynte fshehurazi në viset shqipfolëse, prandaj, ndoshta, përdoruesve nuk u është dashur viti i botimit, që, do të mund t’u kthehej lehtësisht në element komprometues.

Lidhur me krijimin e këngëve të para të Lahutës së Malcis ekziston edhe një anekdotë, që nuk mund të jetë thjesht një kuriozitet i dytë. Flitet për një vizitë të Fishtës në Malësi të Mbishkodrës, ku u njoh rastësisht me Marash Ucin. Ky malësor, që i kishte shkuar mbretit (sulltanit) ushtar deri në ato vende ku piqej buka në diell, tregon për bëmat e veta dhe të malësorëve të tjerë në mbrojtje të trojeve të veta atëherë kur Peterburgu i kishte dhënë fjalën Malit të Zi me hy brenda në Shqiptari… Fishta këndoi këto bëma dhe, kur u kthye në Shkodër, ua tregoi miqve të vet pesë këngët e Marash Ucit, të cilat do të përbëjnë blenin e parë të Lahutës së Malcis.

Jemi në vitin 1902, vit në të cilin Fishta do të emërohet drejtor i shkollave françeskane në Shkodër. Ky vit ka qenë pranuar prej të gjithëve si vit, në të cilin është shkruar bleni i parë i Lahutës së Malcis. Dhe kjo është e vërtetë. Por duke mos harruar se një këngë ka qenë botuar qysh më 1900. Prandaj, kur llogarisim se Fishta ia dha dorën përfundimtare epopesë kombëtare më 1937, për ta botuar me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, duhet të shtojmë, për saktësi, se kohëzgjatja e krijimit të asaj vepre është: jo 30 a 35 vjet, por plot 37 vjet.

Tani le të ndalemi në përfundimet që lexohen pa ndonjë mundim të veçantë ndërmjet teksteve poetike, duke krahasuar vargjet e botuara në vitin 1900 (“Mali i Zi”) me ato të vitit 19045 (“Kushtrim: Ora e Shqypnis”)  dhe të 1937-ës (“Kënga e Lulash Ndreut”).[4] Në secilin botim, pavarësisht shtim-mungimit të vargjeve dhe ndryshimeve të pjesshme në leksik, Fishta ka ruajtur frymën thellësisht atdhetare të botimit të 1900-ës, ekspresivitetin e ligjërimit të vet poetik, të them, të goditjes në shenjë me gjuajtjen e parë, si dhe gjallërinë e strukturës ritmike të 8-rrokeshit popullor, qoftë ai i organizuar në monokolonë, qoftë në strofa tetëshe.    

Përfundimi i parëvjen prej ndryshimeve që sjellin vargjet shtesë. Është me interes të vërehet se në variantin e 19045-ës (dhe të 1937-ës), pas vargut “N’kambë! Mirditë, ti ndera arbnore”, shtohen 7 vargje, të cilët evokojnë një personazh të njohur historik, kapedanin (dhe princin) e Mirditës, Bibë Dodë Pashën. Po ashtu, pas vargut “Lëshoju, Mbishkodër! Djemt’ tuej nxiri…”, me tre vargje të shtuar përkujtohet njëri prej Bushatllinjve të famshëm, ashtu sikurse pas vargut “Bini, toskë, ju n’pikë të vrapit…”, me tre vargje të tjerë shtesë lartësohet  Ali Pashë Tepelena (në variantin e 19045-ës) apo Naim Frashëri  (në variantin e 1937-ës):

Bini, toskë, ju n’pikë të vrapit,                                                                                                           Mos t’u ndalin mal as zall:                                                                                                                                Naim Frashëri i ra Qitapit                                                                                                                           Mos m’e lëshue Shqipninë për t’gjall’.”

Gjithashtu, të bie në sy njëri prej vargjeve të sipërcituar(vargu i parë), i cili në variantin e vitit 1900 del:“M’kambë tosk(ë), ju prej Beratit”. Si duket në Shkodër, deri nga fundi i shek.XIX, Berati njihej si kryeqendër e Toskërisë, ashtu si Shkodra: e Gegërisë. Me këtë rast mund të shtojmë edhe një hamendësim: ndoshta, aso kohe ndër qytetet shqiptare, Fishta kishte pikë të dobët Beratin, ashtu si Berati, nga ana e vet, ka treguar më vonë se e kishte Fishtën: më 1917 qyteti i një-mbi-një dritareve i dhuron poetit shkodran Pendën e Artë.

Përfundimi i dytëi përket leksikut, ku bie në sy se për fjalën “Shqipëri” në botimin e vitit 1900 Fishta përdor: Shqyptaria (4 herë), Shqypnia (1 herë) dhe Arbënia (1 herë). Ndërsa në botimin e vitit 19045 (dhe në botimin përfundimtar të 1937-ës) përdor: Shqyptaria (4 herë), Shqypnia (5 herë) dhe Arbëria (0 herë). Po kështu, për fjalën “shqiptar” në botimin e 1900-ës përdor shqyptar (2 herë) dhe arbnor (2 herë), ndërsa në botimin e vitit 19045 (dhe në botimin përfundimtar të 1937-ës) përdor vetëm shqyptar (4 herë). Kjo do të thotë se Shqipëria aso kohe ishte më tepër koncept (Shqiptari-Shqiptaria apo Arbëri-Arbëria) se sa një vend i përcaktuar me kufij e shenja të dallueshme kufijsh, ashtu si shqiptar-shqyptar (“djem si shqype të lehta”) vinte baras me arbën-arbënor (“ndera arbnore”) që sot përkufizon më tepër një kohë të shkuar të etnikumit se sa vetë etnikumin e pretenduar. Nga ana tjetër, në këto terma, universalizmi i Fishtës e ngjesh shqiptarin jo paironinë një varg të metaforizuar (“Rob i shitun Shqyptaria”), që, në çdo rast, do të kërkonte një koment veçse të përditësuar.

Ndërsa përfundimi i tretë lidhet me tre (ose katër) vargje që, sipas gjykimit tim, mbartin tharmin poetik të Odes së Kushtrimit (qyshkur ishte me titull “Mali i Zi”) dhe ai tharm poetik mbetet i tillë edhe për Lahutën e Malcis (1937). Vargjet, b.f., kanë mbetur ashtu (ose me fare pak ndryshime) siç u krijuan në fund të shek.XIX, pothuajse siç u botuan tek “Albania” e Faik Konicës. I pari, nuk është një, por dyvargësh: “Cili Zot (i) tha shkjaut: merr drapnin: Korr ku s’mbolle, e mbill n’arë t’hueja?”;  i dyti: “Turq e t’kshtenë, mos t’ju ndajë feja” dhe i treti: “Dert mos ki për t’drejta t’njerit”.  Ky i fundit, në vend të fjalës “dert”, në botimin e 1900-ës kishte fjalën “dhimm”, që do të thotë: dhimbje të mos kesh, nëse ti, o pushtues, duke korrë ku s’mbolle në tokat e shqiptarëve, do të shkelësh të drejtat e tyre humane. Ç’ironi e hidhur!

Duke përfunduar me vargjet e para të Lahutës së Malcis, të cilat  dalin të jenë botuar qysh në vitin e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë (1900), na duket njësoj sikur të ishin botuar për shqiptarët në fund të shekullit të njëzetë apo në muajt e tanishëm (gjithmonë të tanishëm) të vitit të pesëmbëdhjetë të shek. XXI.



[1]N’emen të Shqyptarve qi dun venin”, shih ‘”Albania”, 1900/4, f.74-75.

[2]Kushtrimi. Ora e Shqypniis”. Këngët e tjera janë: “Marash Uci” (Kënga I), “Besa e Lidhun” (Kënga II), “Lufta” (Kënga IV), dhe “Kasneci” (Kënga V): gjithsej, 1110 vargje. 

[3]La chiamata alle armi”, përkthim në prozë nga Luigi Lorecchio.

[4]Ndryshimi është pasqyruar qysh në këngën “Pater Gjoni” (HD, 1930). Në ribotimin e katërt të blenit të parë (1932) dhe në dorën përfundimtare të Lahutës së Malcis (1937), ku kënga e Pater Gjonit është kënga e 19-të, “Kushtrimi: Ora e Shqipnisë” (80 vargje në monokolonë) është përfshirë aty (vargjet 415-495).

KOHA JONE

SHKARKO APP