Varkëtari i Lukashenkos
Nga Ermir Gjinishi-
Ajo që po ndodh sot në Bjellorusi me Lukashenkon është kronika e një ngjarje të paralajmëruar. Është një “déjà vu”. Vjedhja e votave, korrupsioni politik, varfërimi popullit, vrasja e shpresës dhe e prosperitetit, si arma e vetme e autoktarëve dhe diktatorëve për të mbartur pushtetin, kanë të njejtin fund. Përballjen me uraganin popull deri në largimin zvarrë të tyre. Është vetëm çështje kohe. Gara me kohën është çelësi i shpresës së autoktratëve që ndryn sovranin në humbëtirat e labirinthëve populiste.
Për ironi të fatit, ruleta e OSBE-së këtë radhë zgjodhi ofiqarin dhe udhëheqësin e rilindjes si ndërmjetësues me Bjellorusinë. A do të mundet varkëtari ynë të nxjerrë në breg Bjellorusinë e tejmbushur me votat e vjedhura të Lukashenkos? Zakonisht në zgjidhjen e krizave dërgohen personalitete seriozë me profil publik dhe politik të lartë, por këtë rradhë OSBE-ja është e dënuar të mos e ketë një të tillë. Eksperienca politike e kryenegociatorit rilindas e ka fundosur varkën e OSBE-së që pa nisur udhëtimin. Vjedhja e votave dhe pushteti autokrat përafrojnë si dy pika uji simetrinë e portretit të Lukashenkos me kryenegociatorin e OSBE-së. Shqipëria e kanabisit dhe dosja 339 e manipulimit skandaloz të zgjedhjeve, janë vetëm maja e ajzbergut të rekordeve të varkëtarit. Me rremat e intoksikuar nga trafiku i kanabisit dhe varkën e copëtuar nga pushteti i vjedhur, lëvizjet okulte të kryenegociatorit shqipfolës diskretitojnë shanset e OSBE-së për negocim me Lukashenkon.
I marrosur pas kultit të individit, një boshllëk psikik megalloman inefiçent i karakterit egoist autoritar, varkëtari shqipfolës mundohet ta personifikoj deri në ashtë drejtimin e OSBE-së. Përtej shansit të humbur, ky është truku i mbetur që magjeps vetëm kopenë e rilindasve servilë e të paaftë që shugullohen në diellin e korrupsionit të partisë-shtet. Se çfarë arriti Shqipëria gjatë drejtimit të OSBE-së na e thotë papirusi i varkëtarit.
Në planin kombëtar dhe rajonal është më tepër se dështim. Varkëtari ynë, me një pjekuri të paarrirë moshore, intelektuale e politike, vendosi në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme një çunak anonim nga Kosova. Me imazhin patriotik të synuar, ai nuk mundi ta kapërcejë allishverishin me Vucicin, ministrin e Miloshevicit, dhe ju vërsul turpshëm Haradinajt, njeriut që ka 40 varre në oborrin e shtëpisë. Përçau sa mundi faktorin politik Kosovar vetëm që t’i përmendej emri në një marrëveshje etiketa e së cilës meriton fjalët më të përçmuese të fjalorit. Është turp që ndërsa trupi yt ka ende jetë, shpirti yt të ketë vdekur prej kohësh thonte Mark Aureli.
Nga 57 shtete anëtare të OSBE-së, pjesa më e madhe nuk e ka njohur Kosovën. Ishte momenti i duhur për një lobim njohjesh të reja, por provokimi kapricioz i OSBE-së me Cakajn i dha “frytet”. Asnjë vend i OSBE-së nuk e njohu Kosovën gjatë mandatit të varkëtarit. Planet e varkëtarit zhytën në krizë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por jo Serbinë.
Shansi tjetër i humbur lidhet me mandatimin e drejtuesëve të organizatës (SP, RFOM, HCNM, ODHIR) i cili jo vetëm nuk u shfrytëzua për ndonjë kandidaturë shqiptare, por me propozimin e shtyrjes së mandatit të tyre për 1 vit, gjë që nuk është pranuar nga disa vende anëtare e ka futur organizatën në krizë, sepse organizata funksionon me të drejtë vote dhe nëse një vend voton kundër apo abstenon, procesi ngrin. Varkëtari ynë ekportoi krizën e mentalitetit të tij autoritar edhe atje.
“Reliket” e varkëtarit mbeten në Shqipëri. Falë tij vendi ka 30 muaj pa Gjykatë Kushtetuese dhe shumë më tepër pa Gjykatë të Lartë. Qeveria është kthyer në një bandë që nuk i referohet ligjit, pasi atë e ka asgjesuar. Edhe pse organizoi zgjedhjet pa opozitë, i mbushi bashkitë me të inkriminuar. Bëri ndryshime kushtetuese të njëanëshme. Negocion me opozitën politike dhe tinëzisht bën pazar me analfabetët e opozitës parlamentare të pa votuar nga askush. Tentoi ti mbyllë gojën përfundimisht edhe asaj pak media të pakontrolluar nga ai, mori zvarrë artistët, nëpërkëmbi emigrantët e raskapitur…. Është një listë e gjatë, bëmat e së cilës vragosin çdo sekondë, trupin, shpirtin ëndrrën e çdo shqiptari. E megjithatë, varkëtari nuk e ndien, madje s’ja ndjen. Unë nuk mund të ndihem ndryshe nga populli të cilit i përkas thotë gjeniu i letrave shqipe Rexhep Qosja, por varkëtarit tonë i pëlqen vetja kështu siç është, madje e adhuron. I përbuz të tjerët që nuk i ngjajnë dhe kjo nuk i bën aspak përshtypje.
Varkëtari e ka humbur vendin dhe popullin tij, ndaj rreket mundimshëm të prodhojë imazhin e liderit rajonal, madje dhe botërorë. Mos u çuditni fare. Do të bëj edhe më shumë se kaq. Një njeri që nuk e ka turpin pjesë të karakterit të tij, nuk ndien, i bën të gjitha. Shiheni pak si sillet me krizën e Bjellorusisë. Komplet qesharak. Si një fitimtar triumfator, njëlloj si në mitologjitë ballkanase, krijon insinuata të paqena dhe zhurmon opinionin publik rrejshëm kinse Putin ka pranuar kërkesën e OSBE-së për ndërmjetësim mes palëve. Kjo detyroi ambasadën Ruse në Tiranë të dalë menjëherë në deklaratë për shtyp dhe të përgënjeshtrojë varkëtarin. Imagjinoni si e ironizojnë nën zë drejtuesit e vendeve të BE-së, apo të OSBE-së kryenegociatorin.
Përtej halleve tona pa fund, ne po kthehemi në një vend qesharak dhe shtet pa dinjitet falë varkëtarit. Ju lutem mos e merrni seriozisht. Shqiptarët nuk janë si ky. Varkëtari yne i OSBE-së është Lukashenko i popullit të tij. Mos u habisni nëse ai që sot është varkëtari i krizës bjelloruse, të jetë larguar nga pushteti para Lukashenkos.
Kopesë së të ekzaltuarve ruralë “patriotë” dhe të plotjoshurve nga thërrmijat e korrupsionit galopant rilindas, me përulje do ti lutesha të lexojnë bashkë në heshtje, kokëulur, fjalët e Konicës “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”.