Vdekja e tmerrshme në det e dy shqiptarëve të dëbuar nga Anglia

 

Artur Doda, 24 vjeç dhe Leonard Isufaj, 27 vjeç humbën jetën një vit më parë kur u hodhën nga një anije që po i deportonte ata nga Anglia drejt Hollandës. Tragjedia ndodhi më 26 shkurt të vitit 2014. Dy të rinjtë shqiptarë u hodhen nga anija 10 minuta pas largimit të saj nga Harwich (Felixstowe) në Angli drejt Hoek van Holland të Holandës. Anija gjendej rreth 500 metra larg bregut. Artur Dodau godit nga helika e anijes. Leonard Isufaj u mbyt duke notuar drejt bregut anglez.

Ngjarja u zbardh në një seancë në parlamentin e Anglisë, në një debat mbi deportimin e qytetarëve. Dy emigrantët tentuan të riktheheshin në Angli, pasi ishin kapur duke hyrë ilegalisht me një kamion të imbarkuar në një traget në qytetin Hoek van Holland, të Holandës.

Trupat e tyre u gjetën disa muaj pas tragjedisë. Ai i 27-vjeçarit Isufaj është gjetur gati një muaj më vonë në Felixstowe, në verilindje të Londrës. Dy muaj më vonë u gjetën eshtrat e 24-vjeçarit Doda nga një anije, në det te hapur.

Identifikimi i trupit të tij u bë nëpërmjet ADN –së.

Nuk dihet nëse autoritetet shqiptare janë vënë në dijeni për këtë ngjarje tragjike të dy të rinjve shqiptarë dhe nëse e kanë mbajtur atë të fshehtë.

Në Angli ajo ka hapur një debat në lidhje me shoqërimin e të deportuarve. Besnik Vata, kushëri i Leonard Isufajt, pas dëgjesës së zhvilluar në parlamentin britanik u shpreh: “Dëgjuam se ata nuk ishin të shoqëruar nga autoritetet policore në anije, kështu që ka ekzistuar mundësia që kjo të ndodhë. Nëse do të kisha qenë në vendin e tyre, do të kisha bërë të njëjtën gjë”.

Drejtues të policisë kufitare, të pyetur për çështjen, thanë se nuk ka politika të shoqërimit të emigrantëve deri në vendin nga nisen ata. Vdekja e dy të rinjve është paqyruar thuajse në të gjithë shtypin europian, në televizionet dhe gazetat më prestigjoze përfshirë BBC, The Guardian etj.

Ky nuk është incidenti i parë që ndodh me emigrantët shqiptarë. Dy të rinj u shkrumbuan vitin e kaluar nga djegia e një kamioni që po priste të imbarkohej në një traget nga Franca drejt Anglisë.

SHKARKO APP