Vdekjes nuk i ikim dot, turpit po…
Nga:
Enver Hoxha e dominoi skenën e jetës shqiptare për rreth 40 vjet, deri në vdekjen e tij më 11 prill 1985. Ai deshi ta marrë krejt lavdinë për veten e tij, duke dashur të ndërtojë një epokë të re, një Shqipëri të re, që mendoi se mund ta bënte vetëm ai, duke përdorur përderi edhe shokët e vet të “idealit” për lavdinë e tij personale.
Etja e tij për pushtet dhe lavdi, bëri që ai të rrethohej nga njerëz që nuk e kritikonin asnjëherë, që nuk ia bënin kurrë fjalën dysh, që rreshtoheshin para tij kokulur duke zbatuar çdo urdhër dhe duke pranuar çdo poshtërim të tij. Sapo ndonjëri prej shokëve të tij “të idealit”, hynte sadopak në kthetrat e ambicies së tij apo bëhej pre e paranojës së tij, ai e eliminonte menjëherë.
Të tjerët? Për të ishin të paaftë, komplotistë, sabotatorë, me një fjalë armiq të zhvillimit dhe të përparimit të Shqipërisë. Prandaj, ngriti një makineri denigrimi, fyerjeje, përçmimi, talljeje, shpalljeje armiku ndaj të gjithë atyre që pengonin ngjitjen dhe qëndrimin e tij në majat e pushtetit, duke arritur deri në burgim dhe eliminim fizik të tyre. Zërin kritik e heshti, ndërsa turmat i amortizoi, i manipuloi e i bëri të mendonin se pa të, Shqipëria do të mbaronte, se ai ishte “Mesia”, shpëtimtari i kombit.
Nga sivëllai i tij rus, Stalini, mori metodat më të këqija, u mundua ta imitojë dhe e imitoi atë keq e dhunshëm, si një diktator i pashpirt.
E megjithatë, kosa e vdekjes një ditë vjen për të gjithë dhe historia gjykon. Vdekjes nuk mund t’i ikë asnjëri, turpit po. Historia jonë e vuri Enver Hoxhën përfundimisht në anën e armiqve të njerëzimit, në anën që i rezervohet diktatorëve dhe shtypësve të popujve. Ai nuk ishte në anën e duhur të historisë, sepse ishte kundër popullit të vet dhe i shërbeu vetëm lavdisë së tij personale.
Na la popullin më të varfër në Europë, me mendësinë më retrogarde, me një konfliktualitet urryes për njëri-tjetrin, gjëra që po vazhdojmë t’i vuajmë ende sot, edhe pse tanimë nuk jemi të justifikuar që nuk po i japim historisë sonë si popull një drejtim tjetër, atë europian!