Vdes “Mbretëresha e muzikës Rock ‘n’ Roll”, Tina Turner

Tina Turner, këngëtarja amerikane që nga një fëmijëri e vështirë në fermë dhe më pas një marrëdhënie abuzive arriti të bëhej një nga artistet më të mëdha të të gjitha kohërave, vdiq të mërkurën në moshën 83-vjeçare.

Ajo vdiq paqësisht pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht, pranë Zyrihut, në Zvicër, njoftoi përfaqësuesi i saj.

Zonja Turner e filloi karrierën e saj në vitet 1950, në periudhën e hershme të muzikës rock and roll dhe u shndërrua në një fenomen të kanalit muzikor MTV.

Në videon e këngës së saj të suksesshme “What’s Love Got to Do with It”, ku ajo e quajti dashurinë “një emocion të dorës së dytë”, zonja Turner personifikoi stilin e viteve 1980, ndërsa përshkonte rrugët e Nju Jorkut me flokët e saj bjondë, me një xhaketë xhins, me minifund dhe taka të larta e të holla.

Me shijen e saj për eksperimentim muzikor dhe baladat me vargje të fuqishme, zonja Turner u bë lehtësisht pjesë e një sfondi muzikor të muzikës pop të viteve 1980, ndjekësit e të cilës vlerësonin tingujt e prodhuar elektronikisht dhe refuzonin idealizmin e periudhës së hipive.

Shpesh e mbiquajtur “Mbretëresha e Rock and Roll-it”, këngëtarja Turner fitoi gjashtë nga tetë çmimet e saj Grammy gjatë viteve 1980. Gjatë asaj dekade, disa prej këngëve të saj radhiteshin në 40 këngët më të mira, si “Typical Male”, “The Best, “Private Dancer” dhe “Better Be Good to Me”. Spektakli i saj i vitit 1988 në Rio de Janeiro tërhoqi 180 mijë spektatorë, që vazhdon të jetë rekordi botëror për numrin më të madh të njerëzve në audiencë gjatë koncertit të një këngëtari të vetëm.

Në ato momente, zonja Turner i kishte dhënë fund martesës prej një dekade me kitaristin Ike Turner.

Ajo foli hapatazi për abuzimin që përjetoi nga ish-bashkëshorti i saj gjatë martesës dhe partneritetit muzikor në vitet 1960 dhe 1970. Ajo përshkroi sy të nxirë, buzë të çara, dhe një nofull të thyer, si dhe lëndime të tjera prej të cilave dërgohej vazhdimisht në pavionin e urgjencës.

Shumica e këngëve të karrierës së saj u kompozuan nga artistë të tjerë, por ajo u dha gjallëri të veçantë me zërin e saj, që kritiku i muzikës i gazetës New Jork Times, John Pareles e quajti “një nga instrumentat më të veçantë të pop-it”.

Tina Turner lindi me emrin Anna Mae Bullock, në 26 nëntor 1939, në një zonë rurale të shtetit Tenesi. Ajo la pas bashkëshortin e saj gjerman Erwin Bach me të cilin u martua në vitin 1988 dhe dy djemtë e ish-bashkëshortit Ike, të cilët i adoptoi./VOA/

SHKARKO APP