Veç një djall e di pse gjithë kjo urretje
Nga Gjergj Meta/Se pse është arritur në këtë pikë veç një Zot e di ose më mirë të themi veç një djall e di. Se nuk kanë tjetër kuptim sulmet terroriste përveçse të frymëzuara nga një forcë e errët, antiNjeri e antiZot. Nuk është e mundur të imagjinohet që pas këtyre sulmeve të ketë ndonjë ndjenjë drejtësie apo thjesht ndonjë padrejtësi e bërë. Është thjesht terror që prodhohet për të pasur pushtet mbi njerëzit dhe për t’i sunduar ato me anë të frikës. Për këtë çdo mjet është i lejueshëm dhe ata njerëz po i përdorin të gjitha këto mjete. Ata po shkatërrojnë jetë njerëzish e po krijojnë në botë panik të cilin e ndjejmë të gjithë.
Një ditë mund të ndodhë edhe ndër ne, sepse ne jemi totalisht të pambrojtur. Ende nuk kemi arritur të kuptojmë se pse kjo mizori. Si është e mundur që një njeri i cili jeton, madje mund të ketë lindur në Francë a në Europë e më pas të bëjë një masakër të tillë? Çfarë force paska ajo lloj idologjie saqë arrin të bindë me mijëra njerëz, të rinj e më pak të rinj që të flijojnë veten duke flijuar më parë me dhjetra apo qindra të tjerë? Këtë veç një djall e di e veç një djall e thotë.
Pse e gjithë kjo urrjetje, nga vjen? Veç një djall e di, sepse veç ai është i aftë të urrejë në atë farë mase. Por ne njerëzit nuk mund t’ia faturojmë të gjithën djallit se ndryshe do të largonin padrejtësisht përgjegjësinë nga vetja jonë. Jo ne kemi përgjegjësi e duhet ta marrim atë mbi veten tonë. Europa dhe Amerika duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Franca është vendi që më së pari dhe më së shumti me politikat e saj ka pritur me vite emigrant dhe madje i ka hapur dyert religjioneve të ndryshme. Si ka mundësi atëherë që pikërisht kjo francë me politikat e saj integruese të goditet kaq rëndë. Sa bukëshkalë janë këta njerëz. Kjo është shumë e rëndë.
Kjo është një ideologji totalitare e cila do që e gjithë bota të besojë atë çka ata besojnë, d.m.th. të totalizojnë gjithçka. Por kjo është më e keqe se idologjitë fashiste, komuniste apo naziste, sepse kjo prek edhe ndërgjegjen religjioze të njeriut, intimitetin e tij. Këta njerëz manipulojnë brendinë e njerëzve e kështu i kthjejnë ato në bomba të gjalla lëvizëse, në vrasës që ecin të qetë nëpër rrugët e tona e si me komandë në një moment shpërthejnë duke bërë gjëmën.
A jemi ne në Shqipëri të sigurtë prej këtyre “përbindshave”? Mendoj se nuk jemi dhe këtë e shohim nga gjuha e urrjetjes që shpesh shpërfaqet nëpër internet e nëpër rrjetet sociale. Në përgjithësi janë njerëz që kanë problem me të kaluarën e tyre, që dikur janë dhunuar në fëmijërinë e tyre. Janë njerëz që arsimin nuk e njohin ose më mirë edhe kur e njohin e dinë aq sa të shkruajnë emrin e vet. Po po, ka edhe ndër ata shqiptarë që në më të parin rast që mund t’u jepet të presin në qafë në emër të një ideologjie.
Atëherë sa nuk është vonë e shpresojmë të mos jetë tashme vonë në Shqipëri, të gjithë bashkë duhet t’i presim rrënjët e këtij totalitarizmi religjioz që importojnë elementë të tillë kriminalë dhe të papërgjegjshëm. Duhet t’u heqim atyre nga duart fëmijët, madje edhe fëmijët e tyre nuk duhet t’i rrisin ata, sepse nuk mund të jenë prindër. Ata duhet të izolohen si fenomene dhe t’u priten rrënjët qysh në ngjizje. Ndryshe bota dhe Shqipëria do të jenë më të pasigurta një të nesërme.