Vëllazëria e banditëve

“Do ishte interesante që të ishte vendosur në formular një pikë që t’i pyeste të zgjedhurit tanë, nëse kishin shkelur ndonjëherë në ndonjë bibliotekë. Me gjasë do të zhgënjeheshim të tërë, sepse ata e kanë kaluar një kohë të gjatë në bibliotekën e burgut, pasi aty kapte më mirë sinjali i telefonit”…

Nga Enkel Demi

Duhet pranuar që nuk ishte e papritur. Pak a shumë për të gjithë dihej puna e shumë emrave apo që kishin qenë më parë të dënuar. Ndoshta, formularët që u bënë publikë nga KQZ na bënë me dije dhe do vepra penale më të veçanta që kanë kryer të zgjedhurit tanë. Na bëjnë përshtypje sot, se deri dje i shihnim rastet tek e tek. Tash janë të gjithë tok. Ashtu si një vëllazëri, në të cilën anëtarësohesh veç po kalove do prova. Dhe këta i kanë kaluar. Vëllazëria e tyre për fat është e përbërë nga pjestarë të tre partive që kanë ndarë deri më tash pushtetin, ndaj debati politik mund të rrudhet vetëm që krimineli im është më i hairit se krimineli yt. Ose krimineli im ka një të shkuar me më pak gjëma se krimineli yt. Apo krimineli im është më king se i yti. Por, në fund fare banditët do të mbrojnë.

Kryetarët e partive janë përgjegjësit e gjithë kësaj historie, veçanërisht ata të dy që ndryshuan Kushtetutën për t’u kthyer në zotër. Të kompleksuar nga humbjet e mundshme, të friksuar nga padija mbi elektoratin, të frustruar se nuk kanë prodhuar politikë, por sherrnajë, kanë marrë të gjithë të njëjtin vendim, të dhunojnë qytetarin. Pasi ta kërkosh votën e një katundi a qyteti duke propozuar banditin për ligjvënës apo kryetar Bashkie, i bie të zgjedhësh me ndërgjegje rrugën e dhunës. Të fortin njerëzit e votojnë nga frika, ose e duan po nga frika. Një votë për të është dhunë e drejtpërdrejtë ndaj gjindjes dhe këtë mekanizëm dhune e udhëheq kryetari i partisë, i cili kërkon pushtetin. Çmimi që ta marrë atë është kjo listë monstruoze.

Do ishte interesante që të ishte vendosur në formular një pikë që t’i pyeste të zgjedhurit tanë, nëse kishin shkelur ndonjëherë në ndonjë bibliotekë. Me gjasë do të zhgënjeheshim të tërë, sepse ata e kanë kaluar një kohë të gjatë në bibliotekën e burgut, pasi aty kapte më mirë sinjali i telefonit. Nga ai telefon ata komunikojnë me shefat e partisë dhe jo vetëm. Prej tij dalin shprehje zë mbarojnë përherë me fjalzën e paqtë “vlla”.

Mos e vrit mendjen vlla, votat janë të miat. I kam në rresht si dele o vlla.

Ma nis atë plaçkën o vlla. Unë ta këpus kokën o vlla. Janë tre fjali, të thjeshta, të cilat janë pika programore mirëfilli. Këta kanë fituar, këta ushtrojnë pushtet, këta ngjiten në tribuna eletorale, këta bëjnë politika punësimi. Këta caktojnë kush i jep mësim fëmijës në shkollë, kush fiton nga grantet e bujqësisë, si afrohet rinia tek sporti dhe jo tek kalloi. Këta janë e ardhmja, o vlla. 27.al

SHKARKO APP