VENDIMI: “7 marsi përkujtohet prej 58 vjetësh”, ja si është caktuar dita e mësuesit
Ish- drejtori i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, ka treguar se si është caktuar “Dita e mësuesit”.
Ai publikon për herë të parë vendimin e Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, që e përcaktoi 7 marsin si “Ditën e mësuesit” duke marrë parasysh se më datën 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe.
Më poshtë “TemA” përcjell vendimin e plotë.
“7 marsi, dita e mësuesit përkujtohet prej 58 vjetësh. Për të gjitha ata që duan të dinë si është caktuar kjo ditë, më poshtë do gjeni vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Çuditërisht nuk ka dalë dekret në atë kohë, por vetëm një vendim i organit në fjalë, duke mos e kaluar aktin në Kuvendin Popullor për votim.
Në vendim theksohet rëndësia e edukimit të “shoqërisë socialiste”.
***
Vendim nr.113, datë 3.3.1960 “Mbi caktimin e datës 7 mars si dita e mësuesit”
Me qëllim që të ngrihen gjithnjë më lart traditat e popullit tonë duke çmuar rolin e madh të punonjësve të arsimit dhe edukimit të brezit të ri dhe në zhvillimin e gjithanshëm arsimor dhe kultural të shoqërisë sonë socialiste; duke marrë parasysh se data 7 mars 1887, ditë e çeljes se shkollës se parë shqipe, shënon një fakt historik me rëndësi e kulturale të vendit tonë; me qëllim që të përkujtohet data 7 mars 1887,
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me propozim e qeverisë:
Vendosi:
-Caktohet data 7 Mars si dita e mësuesit.
-Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë.
Për Presidiumin e Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë
Kryetari: Haxhi Lleshi
Sekretari: Sami Baholli,” nënvizon Dervishi. (TemA)