Vera e ministrave, nga sëkëlldia e Etildës, Majko që pret veteranët ndanë “Kërpudhës”
Nga Agron Gjekmarkaj
Nuk e mendonim se personazhet, të cilët ikën nga “kronika” aq furishëm, të ktheheshin me të lutura qaramanësh për të zënë vendet e tyre. Kujtuan se do t’i prisnim me petulla me mjaltë. Nuk thonë kot di çfarë lë, por nuk di çfarë gjen. Tani kaq ta bëjnë dhëmbin, sakën se i qas më njeri. Munxët gjetën! Tek urë e Qabesë të shkojnë!!
Pas lejes që na dha Kryeministri për lëndë të parë, kemi bollsish, megjithëse ai atërisht na pat porositur që t’i trajtonim të gjithë njësoj në rreshta e konsiderata. Por mendja është çudi, erë ikën e lepur kthehet, ndaj në vrap e sipër nga tahmaja ndonjë gjë rrëshqet.
Me të drejtë u zemërua pak dhe mori përsëri në telefon aty kah mesnata e pardjeshme. E filloi me pyetje: “Të është tharë gjë dora?”. “Jo”,-i thashë disi i habitur. “E pra, t’u thaftë, si mund të bësh kronikë pa mbresa për Etildën dhe fustanin me pika, e cila ka gjithë atë sëkëlldi në mide… trazim… padira… strese… Reforma ecën si zetor dudum rraheve djerr, paçka se në krye të Byrosë së Hetimit vumë vajzën e një funksionareje të Komitetit të PPSH-së së Tepelenës, për të cilën shoku Gramoz vë dorën në zjarr, ministrushja e ka përjetuar keq përjashtim nga yndyra e publicistikës verore, zor të ta falë! A nuk ndien limonti e trishtim?!”. Mornica më kaluan kudo.
“E drejtë,-mërmërita,-do ta ndreq”. Dhe teksa bëja premtimin, m’u fanit kënga popullore e vëllezërve Zena që kënduam vjet së bashku me Kryeministrin, me rekomandim të Taulant Ballës, “Fustani me pika, sa hije të paska/ Kthejë pak kapelen Nepi të të shoh se plasa/Dy sahati të natës të erdha te porta/Zanin ta dëgjojsha Nepi, thojshe po m’dhemb koka/Desha të marr Doktorin Nepi, po me erdh turp nga bota”…
“Po Majkon, që pret veteranët ndanë ‘Kërpudhës’ dhe me ta ndez zjarre partizane e këndojnë ‘Në ato maje rripa-rripa’, e rrëfejnë qyfyre patriotike, si e harrove?”. “Më verboftë flakë e atij bubulaku në e kam bërë me padashje,-u justifikova,- po thashë mos të ta kujtoj se ziejnë intrigat në PS e bëhesh verem, kush do të zërë vendin tënd pas zgjedhjeve dhe ky po lëpin buzët, se i thonë ti je popullor, je socialist moti e zamani e të tjera nga këto mezera”.
“Ore,-u dëgjua zëri disi i murrëtyer kësaj here,-këta asgjë s’kanë kuptuar, unë ia lë kujt të dua Partinë, po kot e kanë se s’kam ndërmend të iki, aty do vazhdoj opozitën e në u mërzitsha më parë, ia lëshoj ‘luleshtrydhes’, të cilën mirënjohja s’e lëshon kurrë”. Por, më pas ndërroi regjistër e pëshpëriti: “Ta lexova me vëmendje pjesën e parë të dermaneve të verës, por i mungonte qershia tortës”. Ngriva në vend.
“Si mendon,-pyeti jo pa cinizëm,-ka ngjarje, ka politike, ka diplomaci e gazetari pa Gent Cakajn?”. “Po verë është,-u gjegja,-ai shkon shpesh në Prishtinë pranë mixhes Baton e atje pinë çaj me kek, lexon vjersha në pyllin e Gërmisë, pllaquritet në hove djaloshare, luan kukafshehthi, rrasave apo guracupa”. “Këto mendime t’i ka shtënë në kokë Ditmiri, se ai {Genti) është gjeni, por i parakohshëm, nuk e meritojmë, ndaj gabova që i vara ata këmborë mbi qafë, nejse le të rrijë edhe ca muaj mbi postiqe”
“Ore, po ky Niko Peleshi ç’bën?”, mora iniciativën dhe e pyeta nga kurioziteti i shfrenuar që më karakterizon. “Lëre, – u dëgjua një si gromësirë, – pata menduar që pas leksionit që i dhamë Klosit kur ul në kafe me Fahriun ndanë xhadesë, askush nuk do guxonte të ulej me atë gojëprishur, kur ja ku është parë në Pogradec me të duke ngrënë lepitka dhe pirë ‘pamid’. Do ua pres lozën ditën e listës si atij, si Klosit”, u betua. “Po Mimi, mor burrë, si i ka hallet me këtë izolim e zheg?”, u interesova pa e fshehur merakun. “Edhe ajo zhgënjim i madh, e filloi si inat grash me Oltën që i zuri vendin e po e mbyll me faj politik si inat për mua, kësisoj po bën tratativa me LSI-në. Jam i lodhur, – u ankua, – më thuaj ç’ke për të thënë dhe e mbyllim për sonte”. “Xhafaj, a po merr pjesë në këto intrigat për zëvendësimin tënd pas zgjedhjeve, desha të di?”
“Naiv je, apo bën vetë, – m’u hakërrye, – sigurisht që po, por do ta fshij atë se me Ilir Metën bën chat gjithë ditën. Më thotë Sandri që sheh ato që nuk duken, ndaj të thashë që nuk ua lëshoj partinë, lista do jetë shembullore qelibar. Të gjithë deputetët që do dalin prej saj, njëzëri do më kërkojnë të rri, t’ua thyej zemrën”? “Joo, kurrsesi, tani llafosemi një herë tjetër e natën e mirë”. Kështu u ndamë e vetmia m’i shtoi mendimet. Çudi, si nuk e zu me gojë Auron Taren, këtë levend të mendimit kozmopolit?
Me këta të opozitës më zu belaja. Pas thirrjeve popullore për disa që i donin me patjetër në lista për deputetë, u bëra hasëm me ata, emrat e të cilëve nuk i kisha dëgjuar. Më erdhën pa fund mesazhe të tipit “shko te doktori, kurohu për veshët, se emri im çante mbi të gjithë, o gjytyrym”. “Të paskan paguar ata që zure në gojë të përcjellësh brohorimat për ta dhe asnjë fjalë për ne o tinëzar?? Akuzat për diskriminim dhe lobim të pandershëm nuk m’u ndanë. Zura be që do t’u shmangem të gjitha tubimeve elektorale. U përpoqa t’i bind që, edhe Nard Noka këta emra kishte dëgjuar e ata mbështeti dje në intervistë, por nuk hanin pykë për kiamet. Tani, kur dëgjoj “rroftë e urra”, iki me vrap.
Komisioni i përzgjedhjes së deputetëve punon natë e ditë si turbinë. Si ia bën Mark Marku që i ka zët punët në kolektiv? Thonë që teksa zbret shkallet e shtëpisë së Qerretit, dëgjohen tepsia, enë, kusia, bidonë që i merr përpara me tërsëllimë, teksa bëhet gati për t’u nisur drejt vapës së Tiranes çdo aksham për t’u takuar me historinë.
Sondazhet e këshillojnë Lulzim Bashën “shko e bëj kostum të errët në rrobaqepësi se të duhet për punën e re”. Si thonë, “qeveria e zë lepurin me qerre”, ndërsa dosjet “339” dhe “184” po kështu na bëjnë me dije “se ajo e merr votën me qerre”. Ndaj evlati tek merr masat, një sy duhet ta mbajë jashtë?! Gazment Bardhi është bërë i heshtur e nopran, ka rritur mjekrën dhe në zezonën e saj sterrë fshihen misteret e mëdha të opozitës, në të cilat nuk depërton dot as Erald Kapri me metodat e komparativizmit historik.
Njëfarë tipi një nga ato larvat e diktaturës, i cili, siç e kemi parë në një dokumentar mbi ngjarje të gjysmës së viteve shtatëdhjetë, si prokuror kërkoi dënim me vdekje për dy djem të rinj, Riza Ahmet Azizi, Luftëtar Sako Protoduarin në Poshnjë të Beratit, ndërsa Muharrem Protoduarin dhe Muço Çomon me 25 vjet heqje lirie. Të dy u pushkatuan, ndër të tjera se dëgjonin muzikë italiane. Nuk shqiten nga kujtesa ato dy viktima dhe qetësia kriminale e Qemal Lames, i cili me një zë si push miu kërkonte që t’u shtypej koka armiqve të Partisë dhe Gjykata ia plotësoi dëshirën.
Për të tilla bëma u bë për 10 vjet drejtor i Hetuesisë së Përgjithshme të diktaturës, këtij organi terrorist e shtazarak. Ndaj ka ikur nga sytë këmbët në emigrim. Tani shkruan kujtime, puna e tij, plot me trillime, duke abuzuar me klerikët katolikë, At Zef Pllumi njëri prej tyre, i cili nuk urrente se nuk ia lejonte doktrina, po kriminelët si ai i përçmonte, këtë e di mirë në vetë të parë. Nuk mund t’i shprehte simpati Qemal Lames.
Ndaj, çdo fjali e Lames për të është shpifje e ndyrë për t’i pastruar njollat e gjakut fytyrës së tij pa ngjyrë njeriu. Libri i këtij farë ibreti moral do kishte kuptim nëse në çdo faqe do të shkruante vetëm një fjali: “Përulësisht falje për dy martirët e Poshnjes dhe të gjitha viktimave të dhunës që Hetuesia ime, të cilën e kam drejtuar me sadizëm, ushtroi mbi ta!” Pastaj le ta bënte mbi dy mijë e kusur faqe me ritëm kërmilli, stil zuzarësh e teveqelësh. Kjo është forca prapavepruese e së keqes.
Na e zymtoi “Kronikën” që nisi aq hareshëm, njësoj sikur të plasin tubat e ujërave të zeza në shtëpi, por mos u ngrysni nga dëshpërimi se ditë e gazit prapë vjen. “Kronika” po përgatit rrëfenja si qofte të ngrohta e kundërmuese, që nepsi për t’i ngrënë të shtie në mëkat. /Panorama/