Vera, plot me pseudo-ngjarje politike, e Ramës

Nga Fitim Zekthi

Phineas Barnum, një politikan dhe shoëman amerikan, shfaqi para njerëzve në Nju Jork në vitin 1842, trupin e mumifikuaar të një “sirene”. Ai tha se ajo ishte një sirenë Fixhi, që vinte nga ishujt Fixhi. Në të vërtetë ajo që ai shfaqi ishte një kokë majmuni e qepur me kujdes me një bisht peshku. Njerëzit u mahnitën.

Në një rast tjetër, ai shfaqi para njerëzve një grua të quajtur Joice Heth, për të cilën tha se ishte 161 vjeç dhe kishte qenë infermierja e presidentit Xhorxh Uashington. Ishte viti 1952, ndërkohë që presidenti Uashington kishte vdekur 53 vjet më parë. Autopsia tregoi se ajo ishte rreth 80 vjeç në kohën kur vdiq. Sigurisht, ajo nuk kishte qenë infermierja e presidentit Uashington.

Barnum është i njohur për prodhimin e ngjarjeve të tilla. Duke përdorur fuqinë e imazhit, ngjarje të tilla kërkojnë, dhe në mjaft raste ia arrijnë, të bindin njerëzit se ajo që ato duan të përcjellin është e vërtetë. Megan Garber i quan ato pseudo-ngjarje.

Pseudo-ngjarjet janë sot një mjet i rëndësishëm i përdorur nga qeveritë për të “prodhuar” realitete që nuk ekzistojnë ose për të fshehur realitete që ekzistojnë. Shkurt, pseudo-ngjarjet përdoren sot nga politikanët për t’u shitur njerëzve ‘trupin e mumifikuar të një koke majmuni me një bisht peshku’ si sirenë.

Politikanët e këqij, qeveritarët e paaftë, kryeministrat dhe ministrat që nuk e fitojnë dot mbështetjen e njerëzve me mënyrën si u shërbejnë atyre, janë të zhytuir në një përpjekje gjiganteske dhe rraskapitëse për të sajuar, vazhdimisht, pseudo-ngjarje. Sa më i madh dështimi dhe më e rëndë gjendja e një vendi, aq më në nevojë janë pushtetarët për të jetuar vetëm përmes pseudo-ngjarjeve. Pseudo-ngjatrjet mund të jenë një ekspozitë pikture, një pikturë, një skulpturë, një shfaqje, një konferencë shtypi, një takim me popullin, një vajtje në plazh, publikisht me fëmijën përdore, etj., etj.

Shqipëria është e zhytur në një krizë organike, të thellë, ku çdo segment i jetës së vendit, që nga zgjedhjet e lira te ekonomia, nga sundimi i ligjit te shkatërrimi i institucioneve, nga arsimi te shëndetësia, nga braktisja masive e vendit te korrupsioni, është bërë vurrata vurrata nga shenjat e krizës.

Qeveria e kryeministrit Rama ka vendosur që krizës t’i përgjigjet me pseudo-ngjarje, sa më shumë thellohet kriza, më shumë pseudo-ngjarje prodhohen. Pra, duket se ilaçi për të dalë nga kriza është propaganda përmes pseudo-ngjarjeve.

Për të treguar se ajo që ndodhi në 30 qershor ishte diçka e ligjshme dhe legjitime, ishte process normal demokratik, ku populli shkoi dhe zgjodhi drejtuesit e pushtetit vendor, qeveria e kryeministrit Rama dërgon deputetë ose funksionarë të tjerë të qeverisë, me grupe xhirimi me vete, në “ceremonitë” e marrjes së detyrës. Deputetët ose funksionarët e qeverisë iu kërkojnë “të zgjedhurve” t’i shërbejnë popullit, të respektojnë “vullnetin” e zgjedhësve. Gjithashtu, deputetët ose qeveritarët, herë Taulant Balla dhe herë Elisa Spiropali, sulmojnë edhe opozitën, si në krizë, si opozitë që po dëmton Shqipërinë etj.

Këto pseudo-ngjarje synojnë të fshehin faktin se këto ishin zgjedhje pa alternativë, se demokracia nuk funksionon pa të, se “vullneti” i njerëzve nuk shprehet pa alternativë, se shifrat e 15% të pjesëmarrjes nuk janë dëgjuar kurrë, në asnjë palë zgjedhje, në asnjë vend të botës, qoftë ky diktaurë apo demokraci, se votat u numëruan nga qeveria, se pati mospërputhje të turpshme të shifrave, se kutitë janë mbushur, se për të gjitha këto vetë zgjedhjet ishin pseudo-zgjedhje.

Për të treguar se qeveria vazhdon me axhendën e saj të “bërjes së shtetit”, se ligji funksionon, se qeveria vazhdon punën me “energji dhe përkushtim” etj., ka nisur nëj fushatë kontrollesh për kuponin tatimor. Pseudo-ngjarjet kanë në krye zëvendëskryeministrin Erion Braçe i cili, me grup xhirimi me vete, kontrollon nëpër dyqane, benzinata, lokale, nëse lëshohet kupon dhe thotë se nuk do të falet askush, shteti do të ndalojë çdo ndërhyrje ose çdo shkelje. Zëvendëskryeministri kërcënon, madje edhe sportistë ose biznesmenë të rëndësishëm dhe kjo bëhet që pseudo-ngjarja të bëjë më shumë zhurmë.

E vërteta është se “çështja e kuponit” është përdorur edhe pak vite më parë si mënyra “për të bërë shtet”; edhe atëherë shërbeu si pseudo-ngjarje, por për arsye të tjera nga ajo që po shërben tani. Atëherë kërkonte të tregonte një qeveri reformatore që përmbyllte një fazë “25 vjeçare paligjshmërie” ndërsa tani synon të tregojë se nuk ka krizë, se qeveria vazhdon me ritmin dhe energjinë e duhur. Pseudongjarja tani kërkon të tregojë edhe se të ardhurat nuk kanë rënë nga kriza e rëndë e investimeve dhe konsumit, nga kriza e rëndë e tërë ekonomisë, por nga “mosvëmendja e qeverisë prej zgjedhjeve dhe opozitës” dhe nga evazioni i rritur këto kohë. Pseudo-ngjarja me Erion Braçen dhe tatimorët ka edhe funksione të tjera, si prodhimi i tagjisë që qeveria kërkon t’i japë popullit, thjesht si konsum për verë, në një kohë pa lajme dhe pushimesh.

Kriza në ekonomi është e rëndë, dhe pamundësia për të kryer pagesat e qeverisë është e madhe sa  qeveria ka vetëm dy rrugë për ta lehtësuar atë. Ose duhet të çmendet plotësisht dhe të presë para nëpërmjet Bankës Qendrore, të rrisë inflacionin dhe çmimet, ose duhet të kriminalizohet plotësisht dhe të shtojë ose lejojë trafikun e drogës. Një qeveri në një krizë si kjo e jona dhe një qeveri që njihet për papërgjegjshmëri si kjo e jona, mund ta bëjë edhe këtë.

Pseudo-ngjarjet më të mëdha i prodhon dhe i paraqet vetë kryeministri. Si në atë shprehjen e vjetër, ku shefi thotë që “këngën e vështirë e këndoj vetë”, edhe kryeministri është kreu i produksionit të pseudo-ngjarjeve. Ajo që bëri Barnum duke qepur një kokë majmuni dhe një bisht peshku, nuk është asgjë para faktit që kryeministri jonë thotë se Shqipëria po ecën përpara, ekonomia është mirë, krizë nuk ka, opozita le të shohë vitin 2021. Kryeministri ka thënë dikur që negociatat janë hapur, një pseudo-ngjarje e rrallë kjo. Kryeministi tha pak kohë më parë në fushatë se Dako transformoi Durrësin, ne duhet t’i jemi atij mirënjohës përgjithnjë, se ai punoi me përkushtim dhe forcë, se ai ishte shembull i drejtuesit të spikatur lokal etj. A ka pseudo-ngjarje si kjo? Kryeministri lajmëroi dy ditë më parë se kompanisë Air Albania iu shtua një avion për linjën me Italinë, pas atij të linjës me Turqinë, duke dashur me këtë pseudo-ngjarje të tregojë se qeveria punon shumë, se programi i saj po realizohet, se ata që shajnë janë e kaluara, etj.

Kryeministri prodhon pseudo-ngjarje edhe duke shkruar në facebook, edhe duke shkruar në Tëitter, edhe duke hapur një ekspozitë pikture (sidmos me ekspozita), edhe duke bërë takime me ‘platformën për bashkëqeverisje’, edhe duke shkuar në plazh, sepse kërkon të thotë se “gjithçka është normale”, nuk ka krizë, shihemi në 2021-in etj., etj.

Nuk mbahet mend sa kohë ka që Rama të ketë qenë një ngjarje, të ketë lajmëruar një ngjarje. Ndoshta nuk ka patur kurrë të tilla për të.

Pseudo-ngjarjet kanë gjithnjë një limit. Edhe Barnum nuk pati sukses gjatë. Ai vetë e pranoi se Joice Heth nuk kishte qenë infermiere e presidnetit Uashington, ai vetë e pranoi më vonë se sirena ishte sajesë. Pseudo-ngjarjet kanë limit, ato mund të mbulojnë gjëra të vogla dhe për kohë të shkurtra.

Nuk ka pseudo-ngjarje që mbulon krizën e thellë politike, që mbulon marrjen e drejtimit të bashkive me zgjedhje ku marrin pjesë 15 përqind, nuk ka pseudo-ngjarje që mbulon krizën në ekonomi, korrupsionin, që mbulon ikjet e njerëzve dhe që mbulon përgjimet e Dibrës dhe Durrësit, që mbulon Dakon. etj. /Politiko.al

SHKARKO APP