Vetëdeklarimi i rrezikshëm

Nga Koço Kokëdhima –

Tetorin e vitit të shkuar, pasi u takua me Mitsotakis në Nju Jork, bëra një pyetje për Ramën: A i ka premtuar homologut helen vetëdeklarim të shqiptarëve si grekë? Duke treguar për takimin mes tyre, gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së, ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, shprehej: “Vetëdeklarim për minoritetin grek. Ky nuk është pretendimi i Greqisë kundër Shqipërisë, por është një e drejtë themelore e njeriut. A mund të thotë dikush “Jo ti nuk je” kur ti mendon se i përket pakicës greke?”
Koha po i jep të drejtë shqetësimit tim. Dy projektligje të hartuar nga ministria e Brendshme për lehtësimin e njohjes së pakicave kombëtare si njëri prej 15 kushteve të BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit, i hapin rrugë vetëdeklarimit të shtetasve, që është shumë e rrezikshme përballë lehtësisë që me 300 firma mund të shpallësh një minoritet etnik dhe, nëse pakica kombëtare që përbën të paktën 20% të popullsisë, vendosen tabelat dhe emërtimet në gjuhën e saj.
Tabelat dygjuhëshe janë prej vitesh në bashkitë Dropull apo Finiq, ku shumica e banorëve i përkasin minoritetit grek dhe ky nuk është problem. Nuk do të jetë as kur, sipas projektligjit, gjuha e pakicës do të përdoret edhe në marrëdhëniet e saj me njësinë e qeverisjes vendore.
Problemet do të lindin nëse qeveria do të pranojë të drejtën e vetëdeklarimit të shtetasve. Në jug të Shqipërisë, jeton, në harmoni të plotë me shqiptarët, një minoritet etnik grek, ashtu siç ka edhe dhjetra mijëra shqiptarë në Himarë e gjetkë që ndryshuan identitetet e tyre si rruga e vetme për të punuar dhe jetuar në shtetin grek, apo për të marrë një pension nga qeveria greke në Shqipëri. Ata nuk janë grekë dhe nuk mund të vetëdeklarohen si të tillë, duke u shndërruar në precedentë të rrezikshëm për marrëdhëniet e brishta mes dy vendeve.
Qeveria shqiptare duhet të tërhiqet nga pazaret me interesat kombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit dhe që rrezikojnë harmoninë mes popullit shqiptar dhe atij grek, të cilët i bashkon historia, gëzimet dhe vuajtjet e përbashkëta.
Ftoj faktorin politik, shoqërinë civile dhe figurat më të shquara brenda dhe jashtë vendit që të apelojmë pranë Zyrës së Delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadës së Greqisë dhe qeverisë greke, që të zbrapsin kushtet antikombëtare, sepse qeveritë e kapura e të korruptuara të Tiranës janë gati të dhurojnë detin dhe tokën, mjaft që të zgjasin jetën e tyre në pushtet.

SHKARKO APP