Vetëm e përkohshmja është e përjetshme
“Miqtë që shndërrohen në armiq dhe anasjelltas, armiq që bëhen aleatë të ngushtë. Fundja kjo është natyra njerëzore dhe këtu nuk ka asnjë çudi. Në një botë të globalizuar, ku Shqipëria është vetëm një pikë uji, përplasje të tilla nuk e lënë as atë në rolin e spektatores. Sepse ndikojnë direkt dhe në Tiranë”…
Nga Lorenc Vangjeli
Plazhet e Turqisë flisnin rusisht vitin e shkuar. Bashkë me gjermanët e pasur që vinin nga veriu i pasur, por dhe me shumë shqiptarë që vinin nga jugu i varfër dhe llojlloj kombësish të tjera, resortet turke ishin ca oaze në të cilat gjejë gjithçka. Duke nisur nga ushqimi barabarisht i tepërt, tek alkooli i pafundëm, tek deti i nxehtë e pishinat, tek luksi pakontrolluar e deri tek shërbimi i përvuajtur e plot mirësjellje i një armate turqish që e bënin çdokënd që punonte si skllav gjithë vitin, të ndjehej zotëri i vërtetë. Ngjante se ky idil në tokat e një ish-perandorie gjigante që kishte nënshtruar dhjetëra kombe e popuj me shpatë dhe fe do të vazhdonte pafund. Në vend të pushtimit të dhunshëm nga brenda – jashtë, afronte pushimet nga jashtë – brenda. Në vend të jeniçerëve dhe daulleve të luftës, kamerierë dhe rroba banjo që bënin të vërshonin paratë e lehta të turistëve, një nga arsyet që e bënin ekonominë turke një nga mrekullitë e dekadës së fundit, së paku.
Por këtë vit, rusishtja mungoi në Turqi. Nja nëntë muaj më parë, Erdogani rus në shenjë force ndaj Putinit turk, ndaloi bashkëkëmbasit e tij që të bëjnë turistin në vendin që po lulëzonte edhe për shkak të turizmit. Rrëzimi i avionit rus në kufirit turkosirian, çoi në sanksione të hidhura ruse, të cilat ekonomia turke i ndjeu fort dhe në qelizë. Nëntë muaj më parë jo vetëm mediat, por dhe specialistë të sigurisë e quanin fakt të kryer një ndeshje jo vetëm verbale mes dy fuqive të mëdha të euroazisë: Rusisë, trashëgimtaren e rilindur të Traktatit të vdekur të Varshavës dhe Turqinë, bastionin më lindor të NATOs. Ishte “argëtuese” madje, të shihej sesi viheshin në balancë dhe në lojë shifrash sa ushtarë kishte njëra palë dhe sa tjetra, sa tanke, raketa, avionë, luftanije e gjithçka tjetër që përbën forcën e një ushtrie të mobilizuar për luftë, mund të vinin palët përballë njëratjetrës. Dhe sa kohë që bëhet fjalë për një arenë të nxehtë si Lindja e Mesme, sa kohë që trashëgimia historike mes Rusisë dhe Turqisë numëron shumë më pak kohë në paqe se në luftë reciproke, sa kohë që dy vendet drejtohen me një stil gjithmonë e më shumë autoritar, gjithçka ngjante e mundur. Situata e pothuaj luftës mes tyre ngjante si një situatë e përjetshme. Turisti rus që konvertonte pa ndroje rublat e tij me lirat e turkut që të blinte gjithfarë mallrash – nga suxhuku me arra e deri tek peliçet e trasha – ngjante si një figurë e një bote tjetër. Dukej shumë më pranë imagjinatës jo turisti dhe shitësi që bënin pazar, por ushtari dhe asqeri të gatshëm të vrisnin njëritjetrin. Por në këtë dynja, vetëm e përkohshmja është e përjetshme. Ishte e pamundur për t’u parashikuar rrjedha e shpejtë e ngjarjeve në vetëm nëntë muaj që sheh një përmbysje të pabesueshme të situatave. Nëse në tetorin e vitit të shkuar palët tregonin dhëmbët dhe shtrëngonin muskujt, këtë vit në gusht
Putini dhe Erdogani shtrëngojnë duart. Secili me kurriz të kthyer nga Perëndimi! Si për të dëshmuar se në këtë botë gjithmonë e më të komplikuar interesash, asgjë nuk është e përjeshtme, ërveç marrëdhënieve të përkohshme që varen, kushtëzohen dhe trupëzohen po nga interesat. Kështu ka qenë gjithmonë, por sot është shumë më e dukshme. Miqtë që shndërrohen në armiq dhe anasjelltas, armiq që bëhen aleatë të ngushtë. Fundja kjo është natyra njerëzore dhe këtu nuk ka asnjë çudi. Në një botë të globalizuar, ku Shqipëria është vetëm një pikë uji, përplasje të tilla nuk e lënë as atë në rolin e spektatores. Sepse ndikojnë direkt dhe në Tiranë. Kësaj radhe, për shembull, duke bërë që plazhet turke të flasin me më shumë frikë dhe shumë më lirë, edhe në shqip. Ka vetëm një ngushëllim: tërmetet e mëdha zakonisht rrëzojnë vetëm ngrehinat e mëdha, por nuk i bëjnë dot gjë, tangërllikut të zakonshëm ballkanas që shpesh e sheh veten në qendër të një bote të madhe, të cilës i përket vetëm si një vend fare i vogël. Mundësia për t’u rritur qëndron në detajin e vogël: një turist mund të jetë ndonjëherë shumë më i fortë se një ushtar me pajime. (Javanews.al)