Vetëm Edi Rama nuk e dinte që për hapjen e negociatave kishte 15 kushte
Nga Pano Soko –
Vetëm Edi Rama nuk e dinte që për hapjen e negociatave kishte 15 kushte për të plotësuar. E dinin të gjithë, i madh e i vogël, vetëm udhëheqësi s’dinte gjë.
Sa qesharak!
Nëse ne nuk jemi një vend me standarde europiane, Europa nuk ka si të na konsiderojë ndryshe. Dhe kjo është një gjë e mirë, fillimisht për ne si qytetarë që paguajmë taksa për këtë vend, sepse do të jetojmë në një shtet normal, ndryshe nga kjo çmendina klinike ku jetojmë.
Madje unë do të isha dakord që përpos 15 kushteve, të kishte një kusht të 16-të për masakrimin që po i bëhet pronës publike në këtë vend. Të vendosej kusht zbardhja nga SPAK e shkatërrimit të Teatrit Kombëtar dhe gjithë maskaradës institucionale dhe mungesës së rregullit që shoqëroi gjithë procesin. Që nga vendimi, transferimi i prones, vendimi i keshillit bashkiak, mos-pyetja e qytetarëve, mos-përfillja e organizmave europianë, mos-zbatimi i afateve. SPAK ka në tavolinë sot një denoncim të gjithë shkeljeve të dokumentuara. Le ta zbardhë sa më shpejt.
Të kishte një kusht të 17-të për bërjen funksionale të hallkave të demokracisë që mungojnë tash e 20 vjet, siç është një ligj europian për referendumet, që qytetarët të kenë mundësi të shprehen vetë për çështje që ata dëshirojnë të shprehen. Mbajtja e vendimmarrjes në duart e politikës është demokraci e munguar. Nëse duam Europë, duhet fillimisht të kemi rregulla loje demokracie si në Europë.
Të kishte një kusht të 18-të që Gjykata Kushtetuese, jo vetëm të formohej, por në një kohë të shpejtë të fillonte shqyrtimin e të gjithë ligjeve që janë kthyer një herë nga Presidenti i Republikës si në kundërshtim me Kushtetutën sipas argumentimit të tij institucional dhe që janë miratuar më pas me forcë kartoni. Ato ligje janë potencialisht anti-kushtetuese dhe GjK duhet të shprehet. Madje jo vetëm kaq, por për pasojat që ato kanë prodhuar gjatë kohës që janë në fuqi, fajtorët që kanë shkelur kushtetutën të përgjigjen para drejtësisë. Ligji për dividentin, ligji për mediat, Aktet Normative, VKM për Teatrin etj.. Sot Edi Rama gjysmën e ligjeve që po përdor për qeverisje i ka të kundërshtuara si nga opinioni publik dhe nga institucioni i Presidentit. Le të shprehet GjK për to sa më shpejt.
Dikush mund të thotë “Ti qenke kundër që vendit tonë t’i hapen negociatat? Se me kaq shumë kushte s’kemi për t’i hap ndonjëherë. Po të hapim negociatat do të jetë BE ajo që do na revizionojë gjithë qeverisjen etj.etj..”
Unë nuk jam kundër hapjes së negociatave, por dua që t’i hapim kur ne e meritojmë. Sepse nuk më duhet ajo letra e thatë që na njofton se po hapim negociatat, kur jeta ime të nesërmen nuk do të ndryshojë realisht asgjë. Kur shteti ynë do të jetë po e njëjta rrumpallhane korrupsioni e hajdutësh ku askush s’pyet për shtet e ligje, po vetëm për urdhëra dhe individë. Ku të gjithë kanë frikë vetëm nga ndërkombëtarët e duhet të presim që të vijë Washingtoni a Berlini të na zgjidhë dhe çështjet më të thjeshta siç mund të jetë Teatri Kombëtar.
E pra unë parapëlqej që stacionet e antarësimit në BE të mos jenë thjesht qoka politike që na bëhen, për arsye nga më të ndryshmet, por të jenë stacione evolucioni real, ku Shqipëria vërtet bën progres real nga stacioni në stacion. Dhe në fund kur të hyjmë në BE të jemi një vend vërtet europian dhe jo një kosh plehrash.
A mund të më thotë njeri, sot që do të hapim negociatat a kemi një shtet më të mirë apo më të keq sesa kur morëm statusin e vendit kandidat? Demokracia sot është më e mirë apo më e keqe se atëherë? Ekonomia e familjeve është më e mirë apo më e keqe?
Nëse është po e njëjta ekonomi apo më e keqe, po e njëjta demokraci apo më e keqe, korrupsioni është më keq, atëherë kush është kuptimi që kaluam nga stacioni në stacion, nga marrja e statusit tek hapja e negociatave?
Prandaj unë jam më tepër fans i progresit real, sesa progresit protokollar. Sepse vetëm progresi real në shtetformim, në ekonomi apo demokraci mua më prek realisht. Ato të tjerat pastaj janë thjesht lojëra politike për interes politik që s’i fusin gjë në xhep askujt.