Vetëm një mijë vetë kundër gjithë shqiptarëve

 

Nga Lorenc Vangjeli

Në Shqipëri nuk ka më shumë se 400 gjykatës në të gjitha nivelet e sistemit. Afërsisht po kaq apo diçka më pak, janë prokurorë në sistemin e akuzës publike. Gjithë – gjithë, numri i atyre që merren me ndarjen e të mirës nga e keqja, e të drejtës me të padrejtën, nuk shkon më shumë se një mijë vetë dhe në këtë numër nuk vlen të përfshihen as oficerët e policisë gjyqësore, as armata e pafundme e avokatëve, e noterëve apo dhe numri gjithnjë e në rritje e përmbaruesve.

Mbi kupolën e kësaj piramide që vepron dhe funskionon si piramidë, qëndron kreu i kupolës së shtetit, presidenti i Republikës. Sipas kushtetutës ai dekreton gjykatësit e lartë, ata kushtetues dhe prokurorin e përgjithshëm, të cilët votohen nga parlamenti. Presidenti, megjithatë, është shprehur për mungesën e besimit në këtë trupë. Madje edhe për rastin e tij mjaft të rëndë; për pretendimin se është vënë nën përgjim të paligjshëm.

Knut Fleckenstein, reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, thotë pak ditë më parë se: “…nuk mund të kuptonte sesi Shqipëria mund të bindë 28 vendet antare të BE-së që të bëhet antar i 29 i saj, nëse nuk do të ketë një gjyqësor funksional pa ndikimin e korrupsionit dhe të politikës e që të garantojë sundimin e ligjit në vend…” Fleckenstein është vetëm një nga zërat e shumtë të parnerëve ndërkombëtarë që nënvizon rëndësinë e posaçme të reformimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Fatmir Xhafaj është një ish-ministër drejtësie. Për momentin, veç komisionit të ligjeve, drejton dhe komisionin e posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi. Një javë më parë “refuzoi” të shkojë në Komisionin e Venecias, ku tashmë ka mbërritur produkti paraprak i mënyrës sesi shihet nga Tirana fytyra e nesërme e sistemit. Pretendimi i juristit në profesion Xhafaj ishte shmangia në maksimum e çdo ngarkese politike mbi materialin e paraqitur.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së, të enjten në Opinion-in e Fevziut la hapur të kuptohet se do të ketë një mungesë të votës konsensuale për reformën në drejtësi.

Për të vajtur shumë tutje, shumë më pas në kohë, Rama e Meta, që në janar të vitit të shkuar, prezantuan nevojën për reformimin e sistemit të drejtësisë, si një urgjencë jetike për vendin. “Eshtë një reformë që duhet të ishte mbyllur që dje”, tha Meta atëherë, kurse Rama paralajmëronte fort se: “Reforma në drejtësi do të bëjë që dora e drejtësisë të mos ndalet para askujt, as përpara të veshurve me kostumin e politikës dhe as para të veshurve me petkun e drejtësisë”.

Reforma pritet tani të përfundojë në parlament. Aty ku 140 gra e burra duhet të votojnë edhe për ndryshime kushtetuese, të cilat kryesisht dhe formalisht do të prekin direkt fatin e atyre më pak se një mijë vetëve që ndajnë të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta.

Të parët, 140 deputetët janë vetë në pritje për të gjetur mjetet, mënyrat dhe mekanizmin që do të ndalonte që mes tyre të kishte dhe njerëz me rekorde kriminale. Këto tre “M”, mjete, mënyra e mëkanizëm kërkohen sepse tashmë është fakt që në parlament filtrat moralë deri në majë të karrierës politike nuk kanë funksionuar. Vota e publikut e ka të pamundur ta krijojë këtë filtër rast pas rasti dhe për secilin individualisht, ndaj kërkohet dekriminalizim me ligj. Një pjesë e tyre, megjithatë, kanë shpëtuar nga “rrjeta dashamirëse” e sistemit të drejtësisë, për të cilin kërkohet reformim dhe që do të votohet edhe nga të inkriminuarit. Në fund të fundit, ky është qarku i mbyllur dhe nuk ka asnjë mjet, mënyrë e mekanizëm për të qenë ndryshe. Njëlloj si një qen që kafshon bishtin dhe në vërtitje e sipër, nuk kuptohet se cila është koka që kafshon dhe cili është bishti që kafshohet.

Dhe për të mbyllur gjithë rrethin deri në fund, të gjitha matjet e temperaturës së publikut, të pëlqimeve dhe urrejtjeve të tij, të besimit dhe zhgënjimit të tij, dëshmojnë të njëjtën gjë: sistemi i drejtësisë ka pikën më të ulët të besimit dhe pikën më të lartë të antipatisë të publikut. I cili e ka parë si një film të përsëritur vazhdimisht: në çdo krim, në çdo skandal, në çdo akt korrupsioni e paligjshmërie, me domosdo është dhe një aktor që nuk mungon kurrë: një gjyqtar a prokuror që fiton gjithmonë edhe në fillim, edhe në mes, edhe në fund të filmit.

Edhe pse po tentohet që çuditërisht të shpjegohet se reforma në drejtësi nuk është politike ose së paku se nuk ka frymëzim politik kundër njërës palë e pro palës tjetër, kjo është njëlloj si besimi se qëndrimi pas gishtit të fsheh. Sistemi i drejtësisë mund t’i shpëtojë vetvetes, rregullave të brendshme si pothuaj një koorporatë biznesi, inkriminimit, varësisë nga politika dhe politika që varet prej tij, vetëm me një akt madhor politik. Që në fund të fundit, për ironi të fatit, vlen vetëm për më pak se një mijë vetë që ndajnë të mirën nga e liga, të drejtën nga e padrejta.

Më pak se një mijë vetë që mbajnë peng shndërrimin në Evropë të Shqipërisë, një vend ende gjysëm oriental në orientim e jetesë;

Më pak se një mijë vetë trembin dhe e bëjnë mosbesues Presidentin e Republikës;

Më pak se një mijë vetë që janë armiqësorë dhe ju shkaktojnë dhembje koke edhe Ramës, edhe Metës, edhe Bashës;

Më pak se një mijë vetë që po lidhen si peng i 140 grave dhe burrave në Kuvend, që i kanë mbajtur peng deri tani;

Tre milion e kusur shqiptarë zbulojnë papritur, pra, se armiqtë e tyre realë, shkaktarë të gjithë andrallave të tyre, nuk bëhen më shumë se një mijë vetë. Ja ka vlejtur pritja?

(Javanews.al)

SHKARKO APP