VezëVendosja
Nga Mero Baze
Gjuatja me vezë mbi kryeministrin Rama nga një grup studentësh aktivistë, po kthehet në një betejë për të testuar sjelljen demokratike të policisë, ndërkohë që qëllimi i asaj, të paktën siç u deklarua, ishte protesta ndaj reformës arsimore. Të qëllosh me vezë një kryeministër apo çfarëdo politikan, është një gjest politik i cili vlen për të dëshmuar kauzën tënde. Në këtë aspekt, nuk e shikoj si katastrofë, faktin që kanë qëlluar me vezë mbi Edi Ramën, pavarësisht nëse e zuri apo jo. Studentë të tillë të guximshëm janë pasuri për aktivizmin në një shoqëri të vdekur dhe klienteliste, si kjo e jona.
Nuk e shikoj as shumë dramatike shoqërimin e tyre në polici, për formalitet e incidentit, nëse policia sillet korrekt dhe nuk ushtron dhunë ndaj tyre, por thjesht bën detyrën. Tepërim është hyrja në mjediset akademike dhe prezenca policore në Universitet. Për gjitçka tjetër, secili është në punën e vet.
Ajo që është shqetësim në këtë pikë, është se më shumë vemendje po i kushtohet gjestit të studentes trime dhe miqve të saj të Vetëvendosjes, dhe po ashtu përshkrimit si ndërhyrje brutale e policisë për t’i ndaluar, se sa kauzës së tyre.
Unë besoj që ata studentë kanë problemin tek reforma arsimore dhe nëse duhet ndihmuar kauza e tyre, duhet të diskutojmë për kauzën e tyre, dhe jo për pasojat e protestës së tyre. Pasojat e protestës së tyre, janë çmim që ata janë gati ta paguajnë, edhe pse nuk po ndodh ndonjë qamet
Për t’u kthyer tek kauza e tyre dhe për t’i ndihmuar realisht ata, duhet të diskutojmë seriozisht mbi atë çfarë ata kanë me reformën në arsim dhe çfarë përfaqësojnë ata studentë.
Unë jam adhurues i atyre që luftojnë për idetë e tyre, edhe pse në këtë rast unë nuk jam kundërshtar i reformës në arsim. Ajo që po ndryshon kjo reformë, është situata katastrofike e arsimit shqiptar, ku çdo injorant ka një diplomë, dhe ku prodhimi i tyre u kthye në industrinë më të turpshme, më trushpëlarëse dhe më shkatërruese të kombit shqiptar, pasi goditi në palcë cilësinë dhe edukimin në Universitet tona. Arsimi këto 20 vitet e fundit në Shqipëri, veçanërisht ai universitar, është veprimtaria më e madhe kriminale në vend, e cila është e barabartë me genocidin që mund të bëhet ndaj një populli. Qeveritë që krijuan këtë gjendje, por dhe trupa e pedagogëve shqiptarë, që u bënë pjesë në këtë genocid ndaj shoqërisë shqiptare, nuk do të dënohen kurrë me ligj, por do të jenë përjetësisht të poshtëruar si njerëz pa shtyllë kurrizore, që ia hapën rrugë për ca lekë xhepi më shumë kësaj masakre, ku gjithkush ka diplomë, pa pasur asnjë gram tru në kokë dhe pa ditur pse e ka atë diplomë.
Ne kemi sot dhjetra deputetë, drejtora dhe nëpunës të administratës, që dhe kur i pyet se çfarë diplome ka, mendohen pak, dhe jo më t’i pyesësh kë ke pas shok klase, apo kë ke pas pedagog.
Reforma e arsimit shpresoj se do ta ndalë këtë të keqe të madhe, por nuk jam i sigurt se sa shpejt do të rikthejë një sistem vlerash në arsim.
Në këtë aspekt, debati rreth reformës arsimore është një debat që kërkon përgjegjshmëri, por dhe kurajo për të përballuar fundin e ëndrrës së bukur për të blerë diploma dhe për të pirë kafe nëpër Tiranë.
Unë nuk e di realisht se çfarë përfaqëson ai grup aktivistësh i studentëve të një organizate politike, por me aq sa kërkova të kuptoj, e pashë se janë një grup radikal i majtë, nga ata që kërkojnë arsim falas dhe e shikojnë atë si shpresë për të ardhmen e arsimit në Shqipëri. Nuk dua të hyj në debat për tarifat, por mendoj se ato kanë qenë më të shtrenjta duke blerë diploma, siç kanë bërë deri më sot. Ajo që duhet të debatojmë është nëse po shkojmë drejt një arsimi më cilësor dhe nëse i ndërpresim shanset një studenti të talentuar pa lekë, të vazhdojë shkollën?
Këto dy çështje qëndrojnë mbi bazën e çdo reforme në arsim.
Çështja kryesore është që arsimin universitar të mos e konsiderojmë masiv, por cilësor, dhe çdo fëmijë e i talentuar i këtij vendi, ka apo nuk ka lek, duhet të shkojë në shkollë dhe këtë duhet ta zgjidhin bursat për studentët e shkëlqyer. E dyta, është që studenti i cili do shkollë, por nuk është i shkëlqyer, duhet të futet në sistemin që teston vlerat e tij dhe kundrejt tarifave duhet të eci përpara. Detyrimi i shtetit për shkollimin e çdo studenti është i barabartë dhe ai duhet t’i jepet çdo studenti që dëshiron shkollë, por shteti duhet të marrë përsipër të financojë vetëm cilësinë e lartë dhe mendjet e ndritura të universitetit.
Kërkesat utopike për arsim falas, janë humbje kohe falas. Një student duhet të protestojë për liritë akademike, për cilësinë e mësimdhënies, për standartet e Universitetit, për laboratorët që mungojnë dhe godinat e Universiteve që janë një mijë metra katrorë kafe dhe 100 metra katrorë bilblotekë. Studentët duhet të protestojnë për standartin e dhënies së provimeve, për mënyrën si korrigjohen ato dhe sa ta ndershme janë korrigjimet dhe vlerësimet, dhe për të rritur rankimin e Univerisiteteve që diploma e tyre të bëhet e vlefshme. Kjo nuk vendoset me vezë, por me reforma dhe me një guxim për të përballuar dhimbjet e reformave. Vezëvendosja vlen për të bërë politikë, por jo reforma.
Kjo reformë arsimore duket e bërë pis, nga akuzat se pas qëndrojnë disa klientë të Universiteteve private. E besoj se ata janë pjesë e interesit për këtë reformë, por jo gjithmonë ata janë delja e zezë. Ju siguroj se Universiteti publik, është bërë një bordello shumë më e shëmtuar arsimore se ato kioskat private, të cilat shisnin diploma deri dje. Ato të paktën kishin bërë vetë kioskën, por Universitetet publike, ishin privatizuar dhe janë akoma të privatizuara nga një kastë burokratësh që e kanë kthyer në biznes atë vend pune, duke shkatërruar gjithçka.
Për këtë arsye një reformë që fut në garë publiken me privaten, që ndihmon të shkëlqyerit të mos mbeten pa shkollë dhe detyron studentët e tjerë të përfitojnë kontributin e shtetit për çdo student dhe të vazhdojnë studimet aty ku duan, është një reformë në parim më e drejtë, se sa gënjeshtrat e arsimit falas.
Të rinjtë universitarë, sot duhet të jenë luftëtarë të rritjes së cilësisë së universitetit, që të ndjehen krenarë për diplomën që do të marrin dhe që do t’ua lehtësojë atyre dhe fëmijëve të tyre punën në të ardhmen. Ndryshe do të detyrohen si brezi im dhe prindërve si unë, që duke ditur vlerën e një diplome cilësore, do futen në borxhe e kredira të çojnë fëmijët të shkollohen jashtë me një çmim të frikshëm, që të duket sikur je shpërblyer vetëm kur fëmijët arrijnë t’ia dalin. Por, mendoni se shumë prej tyre, dhe pse prindërit sakrifikojnë, nuk ja dalin dhe prodhojnë drama të mëdha familjare. Shqiptarët janë prindërit më arsimdashës në Evropë dhe falë kësaj prirje këtu lulëzoi biznesi i diplomave, që u hiqte komplekset e injorantit çdokujt që ëndërronte një diplomë dhe që ka çuar rreth 30 mijë studentë shqiptarë çdo vit në Perëndim.
Ndaj nuk është betejë tarifa shkollore, por cilësia e universiteteve dhe ajo çfarë do prodhojë reforma. Kur Universitetet të jenë të pavarura dhe cilësore, kur ato të mbulohen me kërkime shkencore dhe jo me konferenca e seminare propagandistike, kur diploma e tyre të vlejë dhe të shikohet me respekt, atëhere do të quhet e fituar beteja e studentëve të vërtetë, për nje Universitet cilësor. Për këtë ideal vlen që kryeministri i vendit të qëllohet jo me vezë, por dhe me gurë e zjarr, nëse nuk të hap rrugë.
Ndaj nuk jam shumë i i qartë nëse vlen ta përgëzoj si studente atë vajzën, por po e përgëzoj paradhënie për aktiviste. E përgëzoj që ka guxim të hedhë një vezë mbi kryeministrin në një betejë të sajën. Por, shpresoj ta ketë betejën e saj. Shpresoj të ketë objektiv dhe ideal arsimin dhe cilësinë e tij, dhe jo idetë marksiste për arsim falas, si ato të Ilir Beqes për shëndetësinë falas, që po e paguajmë shtrenjtë.
Zhurma që prodhoi sot ishte politike, pasi shumica e njerëzve janë të eksituar nëse e zuri Edi Ramën veza, apo jo, dhe çfarë tha ai duke qeshur pas vezës. Po ashtu, zhurma vazhdon të bëhet pse policia i shoqëroi dhe i mban në komisariat dhe jo për betejën reale të tyre. Këto hollësira, pra pasojat e protestës, janë gjëra që zgjidhen për 24 orë, por ajo masakër që është bërë në arsim për 24 vjet, do durim dhe përgjegjshmëri për t’u zgjidhur. Vezëvendosja vlen për të të bërë figurë publike dhe aktivist, por ajo që na duhet është të kemi të rinj universitarë, që janë gati të hidhen në zjarr për një diplomë që vlen dhe jo për tarifën e një diplome.
TEMA