“Vija e kuqe” e BBW-së ndaj Venecias
Dhe përse u bë kjo deklaratë kaq e fortë?
Sepse Washingtoni (përmes ambasadës në Tiranë) deklaroi se qeveria ishte treguar fleksibël, ndërsa opozita jo (d.m.th. qeveria kishte pranuar të tërhiqej për gjysmën e institucioneve të reja, por opozita jo). Më tej, Washingtoni deklaroi se drafti përfundimtar i reformës [me gjysëm tërheqjen e qeverisë] kishte mbështetjen e plotë të Washingtonit dhe Brukselit, dhe se ai duhej votuar individualisht nga çdo deputet shqiptar.
Sepse Brukseli (përmes ambasadës në Tiranë) deklaroi se drafti përfundimtar i reformës [me gjysëm tërheqjen e qeverisë] kishte mbështetjen e plotë të Washingtonit dhe Brukselit, dhe se ai duhej votuar individualisht nga çdo deputet shqiptar.
Sepse Berlini (përmes Ministrit të jashtëm Gjerman) deklaroi se opozita nuk duhet të kundërshtojë për çdo gjë, dhe se ajo duhet të bëjë kompromis me mazhorancën për reformën në drejtësi.
Dhe kur Basha i kërkoi Ramës të tërhiqej nga “vija e kuqe” (vija që ndan përgjysëm 4 institucionet e reja të drejtësisë), ky i fundit u përgjigj se “vija e kuqe” nuk ishte e tija por e BBW-së.
Por ç’është kjo “vijë e kuqe” e BBW-së që e ndan “pikën 88” të Venecias më dysh?
Le të shohim fillimisht se ç’shkruhet në pikën 88 të rekomandimeve të Komisionit të venecias për reformën në drejtësi:
““Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve, që do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”
Nga deklaratat e përsëritura të Ramës se, te “radiografia” nuk do të lejohen të fusin duart partitë, kuptohet që ai ka lëshuar pe tek gjysma e parë e pikës 88 (tek pjesa e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë), por jo tek gjysma e dytë (tek pjesa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe e Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit).
Këto të dytat do të bëjnë “radiografinë” (vettingun) e të gjithë gjykatësve e prokurorëve aktualë, për ndarë “të shëndetshmit” nga “të sëmurët”. Dhe sipas draftit që mbështet aktualisht BBW-ja, rolin kryesor për përzgjedhjen e anëtarëve të këtyre dy institucioneve do ta kenë monitoruesit ndërkombëtarë (Avokati i Popullit do ketë vetëm një rol formal). Ja ç’shkruhet për këtë përzgjedhje në draftin që mbështet aktualisht BBW-ja:
“Të gjithë kandidatët paraqesin pranë Avokatit të Popullit aplikimet dhe deklaratat e pasurive, në përputhje me parashikimet e ligjit. Avokati i Popullit harton një listë emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret përzgjedhëse FORMALE dhe ia dërgon atë Kuvendit.
Brenda 30 ditëve nga marrja e listës emërore, Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, zgjedh anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit dhe dy Komisionerët Publikë nga lista e dërguar prej Avokatit të Popullit, DUKE MARRË PARASYSH REKOMANDIMET E DHËNA NGA OPERACIONI NDËRKOMBËTAR I MONITORIMIT”.
Por monitoruesit ndërkombëtarë nuk do të kenë rol vetëm në përzgjedhjen e njerzve që do të bëjnë “radiografinë”, por do të kenë rol të rëndësishëm edhe në kryerjen vetë “radiografisë”. Ja ç’shkruhet për këtë gjë në draftin që mbështet aktualisht BBW-ja:
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes së gjithë procesit… Ka të drejtën të marrë të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.”
Kjo përfshirje kaq e thellë e monitoruesve ndërkombëtarë në kryerjen e “radiografisë” së gjykatësve dhe prokurorëve tanë është ndoshta shkaku që BBW-ja nuk do që partitë të fusin duart në përzgjedhjen e shqiptarëve që do të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët për kryerjen e saj. Në këtë pikë BBW-ja ndahet nga Venecia…