Virologu italian kundër kryeministrit anglez: Imuniteti i masës është fantashkencë
Për qeverinë britanike është e nevojshme që virusi të qarkullojë në vend në mënyrë që të zhvillojë antikorpet në popullsi. “Mësohuni me idenë që do të humbni të dashurit tuaj”, ishte fjalia e kryeministrit Boris Johnson që tronditi jo vetëm Britaninë, por krejt botën. Virologu italian Roberto Burioni thotë se nuk ka kuptim të flasësh për këtë gjë. “Nuk kemi as vaksinën dhe as nuk dimë nëse infeksioni e lejon një rezistencë të tillë”, thotë ai.
Profesor Burioni, kryesisht në Britaninë e Madhe gjatë këtyre ditëve është folur për imunitetin e masës.
Në përgjithësi mund të flitet për imunitetin e masës në një komunitet i cili është aq imun ndaj një infeksioni, aq sa infeksioni vetë nuk arrin të qarkullojë. Po ju jap një shembull. Imagjinoni një pyll ku ka rënë zjarr dhe flakët kalojnë nga një pemë në një tjetër. Nëse ne presim shumicën e pemëve dhe lëmë dy me një distancë dhjetë metra nga njëra-tjetra, zjarri nuk do të përhapet më. Është i njëjti parim, si edhe në rastin e fruthit ndaj të cilit shumica e popullsisë është imune sepse është vaksinuar.
Pra?
Në rastin e koronavirusit dhe pikërisht në këtë çast, nuk ka kuptim të flasim për këtë gjë. E para sepse nuk kemi vaksinë dhe e dyta sepse nuk dimë nëse infeksioni mund të japë imunitet.
Për këtë arsye, strategjia e Boris Johnson mund të kthehet në një boomerang?
Zakonisht viruset njerëzore gjejnë një ekuilibër. Asnjëherë nuk infektojnë të gjithë njerëzit, gjithmonë dikush qëndron imun derisa vetë infeksioni gjen subjekte të tjera, konkretisht të sapolindurit për t’i prekur. Çfarë bënte fruthi kur nuk ekzistonte vaksina? Infektonte 90% të fëmijëve gjatë epidemive që ndodhnin një herë në dy-tre vite, e më pas nga një vit në tjetrin transmetohej në nivel të ulët endemik te të sapolindurit, të cilët kur rriteshin vazhdonin të ushqenin ciklin epidemik. Për këtë arsye, më shumë se një boomerang, të flasësh sot për imunitet në masë ndaj koronavirusit është fantashkencë.
Nëse prekemi nga virusi një herë të dytë, si do të shfaqet ai në një njeri që tashmë është shëruar?
Nuk ka ende fakte të mjaftueshme për të përcaktuar skenarë të mundshëm. Ashtu sikundër nuk kemi prova as për imunitetin dhe as për njerëzit që mund të preken më shumë se një herë. Të dhënat e mbledhura janë ende pak për të nxjerrë një përfundim.
A mund të na ndihmojë literatura shkencore në këtë pikë?
Ka shumë situata në të cilat një infeksion fillestar të ofron imunitetin e plotë. Është ky rasti i fruthit dhe viruseve të tjerë që ndalojnë në një formë të pjesshme, me një “turn të dytë” i cili është më pak i rrezikshëm. Por ka edhe raste kur infeksioni viral nuk ofron asnjë imunitet, si për shembull Hepatiti C. Prandaj në këtë fazë nuk mund të bëjmë asnjë spekulim se çfarë do të ndodhë me koronavirusin.
Të dhënat e djeshme në Itali treguan për 2,116 raste të reja dhe 250 vdekje më shumë se të enjten. Profesor, ku po shkojmë?
Mbaj mend ende fjalët që kam thënë në janar: “Autoritetet europiane kanë konfirmuar se rreziku që virusi të vijë në Europë dhe më në veçanti në Itali është minimal. Unë nuk jam fare dakord me ta, por sinqerisht shpresoj të gabohem”. Në këtë moment është e vështirë të bësh parashikime. Mbi të gjitha duhet të lëmë pas krahëve çdo lloj polemike dhe të bëjmë maksimumin për të ndaluar virusin. Koronavirusi është mes nesh dhe nëse nuk i kundërvihemi të gjithë spitalet tona do të jenë plot dhe vdekshmëria shumë e lartë. Por edhe këtë herë shpresoj të gabohem.
Në cilën pikë jemi me vaksinën?
Në pikët zero. Me çmimin që mund të dukem përsëritës edhe këtë herë shpresoj të gabohem, por në gjykimin tim nuk mund të kemi vaksinë pa një vit e gjysmë. Për shembull për mersin, sindromën respiratore që u shfaqe në Lindjen e Mesme në vitin 2012, vaksinën kanë nisur sot ta eksperimentojnë.
Përshtatur në shqip nga Erjon Uka, për Tiranapost.al