Vizat/ Nuk e di çfarë bëhet me atë djalin që iku dikur maleve në Greqi
Nga Ilir Levonja –
Nuk ka asnjë problem se na heqin vizat. Nuk e di pse grindeni? Për në Greqi kemi malet. Andej i kemi edhe ca varre. Nuk ka rrugë andej, por nuk ka problem. Maleve ia dimë shtigjet. Mbaj mend që një i ri shqiptar më tha dikur se rrugët bëhen duke ikur. Ishte viti 1991. Dhe iku, tani nuk e di nga bëhet. Duhet të jetë afro tek të pesëdhjetat. Çfarë nuk bëri për të nxjerrë një vizë. I afrohej shpesh një gazetari. Sot ai është milioner, kurse djali i ri emigrant po nuk dihet se ku?
Greqia atëherë nuk ishte vetëm Greqi, por edhe liman për në Europë. Edhe Amerikë. Nga Greqia fillonin të gjitha.
Sot gazetari është i famshëm. Në fillim qe As i Berishës, pastaj armik i tij. Madje ka plot njëzetë e kusur vjet që merr gjithçka, honorarë, rrogë, tendera, tituj. U bë armik i Berishës sepse qe qeveria e tij që i prishi tregun e vizave me ambasadat. Edhe pse Berisha ia hapte dyert kanat sojsëzit. Më pas qe As i Nanos, pastaj armik i tij. Armik i Nanos dhe i Berishës. Gjeti një minierë ari të zi. Një fondacion…, çfarë nuk volli për ish miqtë armiq. Tani është As i Ramës. Nuk e ka problem pse shtyp edhe ndonjë njëri në rrugë. Fatkeqit i ra për pjesë një projekt rrugësh, nga ato ta bëjmë Shqipërinë si Europa, por me gropa. I ra autostrada mespërmes sa katundi duhet të hidhet shalësh, nga njëra anë në tjetrën. Por në Shqipërinë eurogropiane makinat ecin vet, nuk i vozit kush. Ndaj të vrasin. Në Shqipërinë tonë ku ngjykata dënon viktimën, ngjykata ia çon mandatën në varr. Aq e fortë dhe e këmbëngulëse është ngjykata jonë. Do na heqin vizat, po punë e madhe. Nga 40% e popullatës së emigruar, 90% janë natyralizuar në italianë, grekë, gjermanë, kanadez, amerikanë, anglezë, irlandez, zvicerian, kongolezë, haitianë, kubanez etj. Ku nuk ka shkuar shqiptari i gjorë. Mirëpo, prapë ai gazetari thotë, që fajin e ka Saliu. Ka makinë klasi lartë ai, ka një të tillë edhe gruaja e tij. Megjithëse në letra janë të ndarë. Ai është shumë i varfër dhe si i tillë flet studiove përnatë. Me ato honorarë mbahet. Megjithëse gruaja e tij nga katundi i ndarë më dysh të thyen kokën me euro. Të shtyp hundët me përbuzje sepse disponon disa apartamente në gjirin e Lalzit, disponon ca vila në kodrat e Golemit. Ku ka maja. Madje këtë gaztarin e shpallën edhe nderi kombit. Njëzetë a tridhjetë mijë dhrahmi i kërkoi djalit të ri atëherë për një vizë. I riu nuk i kishte ndaj iku maleve. Ku dinte ai se çfarë ishte dhrahmia. Ishte biri i lekut, i perimoreve dhe ofiçinave bujqësore. Nuk e di, sinqerisht nuk e di përse grindeni për vizat. Nuk ka asnjë problem po të na i heqin. Me Italinë as 35 milje detare nuk na ndajnë. Skafistët aty janë. Tregu i artë i ambasadave, shoqatave, ministrive për shkëmbime përvojash. Tregu i florinjtë i bashkive me binjakëzimet etj.
Me siguri gjithçka do kthehet rishtas në normalitetin tonë me çamçakëz dhe sapun luksi. Aty është Gjermani, maunet, biles edhe ambasadat. Biles, biles, të parën mësyni këtë hollandezen që sipas gazetarit vete e dëgjon Bashën dhe hedh në shqyrtim në parlament regjimin e vizave me Shqipërinë. Pikë e zezë…, vjet në qershor u çorrëm se u çelën negociatat, tani fajin e ka opozita. Unë edhe sot e kësaj dite se çfarë bëhet me atë djalin që iku maleve në Greqi. Nuk e di. Më dhëmb zemra që nuk di… me siguri është natyralizuar, po bën karrierë ka familje, është një qytetar i devotshëm grek a italian. Por unë nuk e di ndaj më dhëmb koka. Më dhëmb shumë deri sa nuk di gjë. Megjithatë gazetari është akoma aty dhe mund ta shpalli armik këtë gallofin që dënon shurrëtarët. Mund të jetë afruar dikund me këtë fëmijën e çerdhes nr4 Rudinën. Gazetari është aty me tituj ofiqe pasuri. Aty me një plan tjetër afatgjatë, rihapjen e udhëve të ikjes.