Vlora dhe s’ka tjetër

-Albanian stories

Nga Rudina Xhunga/Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani,  që nuk ka më gruan,  atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i  njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen,  kurriz me kurriz,  në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella,  plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk,  eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar,  çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen  industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë,  që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot. Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime,  mos ia kurse vetes Vlorën!

MAPO

SHKARKO APP