Vora, as Trojë dhe as Kostandinopojë
Nga Lorenc Vangjeli
Nuk filloi me Astrit Patozin dhe as do të mbyllet me Luan Ramën. Ka ditë që “beteja” për Vorën doli nga rrugët e qytetit dhe të komunave përreth dhe është bërë pjesë e debateve të forta në Tiranë, në të cilat së fundmi u përfshinë dhe dy politikanët – gazetarë. Bastet që janë vënë mbi Vorën duket se vlejnë vëmendje dhe përfshijnë shumë më shumë se dy palët.
Për të parin, Patozin, Vora nuk është Palestina për të cilën palët do të luftonin për “jetë a vdekje”.
Për të dytin, Ramën, Vora është vendi ku ka nevojë të hetohet, monitorohet dhe vëzhgohet gjithçka.
Të dy palët i drejtohen arbitrit të zakonshëm elektoral të zgjedhjeve shqiptare, OSBE/ODIHR-it, por dhe prokurorisë për të “ndaluar marshimin e të keqes që po vringëllin armët e krimit vetëm 13 kilometra larg qëndrës së Tiranës”, siç thotë Patozi dhe dëshmisë së Ramës që as nuk kishte parë dhe as nuk kishte vënë re që dikush diku të vringëllinte armë.
Një ditë mbas letrës së hapur të deputetit të PD-së, i deleguar i opozitës në Vorë, “homologu” i tij i maxhorancës nënvizon fakte dhe prova sipas të cilave është opozita që po bën pikërisht atë që akuzon: deformim të procesit elektoral.
Për të disatën herë me rradhë, Rama demonstron akuza mjaft të rënda me emër dhe mbiemër të të denoncuarve. Duke nisur që me prodhimin e votuesve të rinj elektoralë, të cilët janë transferuar nga Tirana e gjetkë për të votuar në Vorë në këmbim të pagesës në lekë dhe duke vazhduar me shkëmbimin me klering: miell për vota!
Edhe Patozi, edhe Rama i drejtohen prokurorisë. Patozi denoncon policinë dhe struktura të tëra të saj si të përfshira në përpjekje për deformimin e rezultatit të së dielës, kurse Rama citon edhe një hetim të policisë për persona që kanë dëshmuar përpjekjet e kryetarit të bashkisë në detyrë për të shkëmbyer votën me para dhe miell.
Në të vërtetë nuk është shumë e vështirë të kuptohet se çfarë po ndodh në paradhomën elektorale të Tiranës. Vora nuk është as Troja dhe as Kostandinopoja, “rënia” e të cilës shënon ndonjë gjë që ndan dy botë. Vora është një bashki e cila kërkon një menaxhim ndryshe dhe mbi të gjitha, një standart normal zgjedhor. Që ajo çfarë dje quhej normale, sot të konsiderohet cënim standartesh, që vota e deformuar është po aq e keqe për shëndetin elektoral sa dhe “mielli” i bardhë për përdoruesin. Që vetëm në fillim duket sikur të ngre në këmbë edhe kur je rrëzuar, por më pas të bën të varur e të shkatërron.
Kjo është hera e dytë që Vora po merr një rëndësi të p[osaçme në zgjedhje.
Herën e parë në zgjedhjet e 2009-ës, vetëm një vit mbas shpërthimit të tragjedisë së Gërdecit. Atëherë, Fatmir Mediu, bashkë me Doktor Berishën, ishin të akuzuarit kryesorë politikisht, mediatikisht, moralisht, por asnjëherë të ndëshkuar penalisht për rolin e tyre në hedhjen në erë të fshatit që shkaktoi vdekjen e 26 vetëve dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Të dy, edhe njëri, edhe tjetri, mundën të marrin vota aty ndërkohë që vazhdonte procesi i çminimit të zonës nga predhat. Atëherë u tha se kleringu elektoral: beton për vota, funksionoi dhe shenjat mund të duken edhe sot në fshatin e rindërtuar, që atëherë i çoi në shumicë votat për PD-në. Kjo ishte shenja më e rëndë dhe simbolike e demokracisë së deformuar shqiptare që nën autoritarizëm, viktimës së përdhunimit i kërkohej edhe të paguante me votë. Sepse paratë kishin blerë më parë gjithçka.
Kësaj rradhe ngjan se është një kontekst krejt tjetër politik, por interesat janë po ato. Së paku ato të hershmet që janë edhe të njohura, edhe të dukshme, edhe të kuptueshme. Shpërthimi i Mediut në Kuvend të enjten, tërësisht jashtë natyrës së tij delikate të një njeriu që ka njohur fatkeqësinë dhe që ka fatkeqësinë që nuk fsheh emocionet, ishte një gjë që bëri përshtyje vetëm tek ata që nuk dinë se çfarë e lidh atë me Gërdecin, por dhe me Vorën dhe miellin e saj. Emocionalisht dhe financiarisht. Financiarisht dhe shpirtërisht. Shpirtërisht dhe moralisht.
Në fakt Mediu dhe Patozi, ndonëse tërësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe me motive tërësisht të ndryshme nga njëri-tjetri, janë dy politikanët që kanë prodhuar më shumë sinqeritet në këtë histori. Me siguri dhe besojnë në atë që denoncojnë. Ndoshta edhe njëri, edhe tjetri për shkak të distancës higjenike që mbajnë dhe i mbajnë, nuk janë në dijeni të skenareve rezervë që mendohet se ka kupola e opozitës. Një skenar në të cilin Vora, edhe për shkak të afërsisë së saj me Tiranën, ka një rol të rëndësishëm. Skenari synon që në mungesë të një rezultati pozitiv për të djathtën në të gjithë Shqipërinë, duke nisur me Tiranën, të dëshmohen standartet e ulta të zgjedhjeve. Si hap i parë dhe minimal. Për të mbërritur ndoshta deri në hapin e fundit, të bojkotimit të pjesshëm apo të plotë të votimit në disa bashki apo në të gjithë vendin. Ditën e zgjedhjeve. Siç bënë socialistët 19 vjet më parë në vitin 1996 me zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit. Duke dëmtuar standartet e zgjedhjeve lokale, pikërisht aty ku të gjitha palët do të duhej të synonin fitoren e vërtetë. Së paku maxhoranca që ka dhe përgjegjësinë e organizimit të zgjedhjeve.
Vora është një test. Vora është një bast. Edhe për prokurorinë. Që duhet të ndërhyjë fort e shpejt për të dhënë një përgjigje për çfarë po ndodh vetëm 13 kilometra larg qëndrës së Tiranës. Nuk e bëri në 2008 kur Vora u drodh nga shpërthimi i korrupsionit që hodhi në erë Gërdecin. Le ta bëjë sot. Sepse nesër mund të jetë vonë.
javanews.al