Voto për këtë!
Nga Ilir Levonja
Ne jemi katërcipërisht të ndërgjegjshëm që e kemi instaluar hipokrizinë.
1)Referuar portalit të Syrizas në Greqi, parti e themeluar në majin e 2004. Kupton një luftë vërtetë domethënëse të një populli përballë klasës politike. Nga 3.3%, në atë vit, që është konvertuar me 6 vende në parlament. Sot Syriza ka 36%. Ose 149 vende në parlament. Por thelbi nuk qëndron tek Syriza. Ashtu sikur edhe nuk mohojmë arritjen e kësaj force politike. Por tek populli. Tek lëvizja e tij për të zhvendosur, ose shpërbërë kolonat e vjetra të partive tradicionale. Që në një apo tjetër mënyrë, ishin bërë imazh i sojit patriarkal në botën moderne. Afërmendsh, edhe dy soje vatrash që thithnin buxhetin e Greqisë. Paralel oponencave të mirëkuptuara, edhe pse denigronin e shanin njëra-tjetrën. Sot Greqia vuan pikërisht nga ky dualitet politik. Ndërsa shoqëria atje, e di që ka pastruar trupin nga shushunjat e tipit, Papandreu, Micotaqis etj. A do i nënshtrohet Cipras, programit ekonomik të planifikuar nga Europa? Wshtë çështje e tij. Ndofta edhe prova e tij. Megjithëse shenjat janë se po i vihet veshi Europës.
2)Në Shqipëri, nuk ka akoma shenja të tilla. Edhe pse ne kemi arritur pikun e politizimit. Ndofta jo me familje, por me sejmenë familjesh. Kjo do të thotë se kriza e Greqisë nuk është parashikuar aspak nga populli ynë. Përshembull Lëvizja Mjaft rezultoi e gjitha me një produkt të tipit Veliaj. Aleanca e Spahiut, një artopolant i vjetër. Partitë e vogla vazhdojnë të ndahen. Treni i Berishës me aleatët, në zgjedhjet e kaluara, nuk bëri gjë tjetër veçse fuqizoi koalicionin qeverisës sot. Rasti i Shpëtim Idrizit. Nuk besoj se ka demokratë që të mos ketë kuptuar se koalicione të tilla, janë dobësime që zor se riparohen kollaj. Forca e LSI, edhe pse Dritëroi Agolli këmbënguli atëherë duke thënë se një parti e tretë është si ato të burrit që tunden në mes shalëve. Pra kot. Doli si më nevralgjikja. Me sa duket Dritëroi harroi se burrit kur i prek ato, bie për tokë. Aty mblidhen të pakënaqurit. Qofshin këta, të kuq, blu, bluzinj, të zinj, të kaltër, larush, burgaxhinjë etj.
Shoqëria civile? I ka mbetur vetëm emri. Plot i ke panelet me rektorë të varur. Artistë ogiçë. Këngëtarë me sukses të paparë. U bën milionerë duke mbushur sheshet e partive. Me buxhetet e partive. Studentë më të zjarrtë se kryetarët aktualë. Kujt t'ia vëmë gishtin? A nuk doli Reshat Arbana si babaxhan. Doli dhe i madhi Kadri Roshi vite më pare. T'i besojmë qeveriut, tha. Dhe qeveriu e bëri. Nga teatër kombëtar, në eksperimental. Të pavarurit? Në botën shqiptare janë? Apo në atë të Servantesit? Me keqardhje duke si mëshirimin i Don Kishitotit.
3)Pse jemi aktorë të hipokrizisë. Është një fushatë lokale dhe me një hartë të re elektorale. Si e tillë duhet të fokusohet në problemet lokale. Ndërkohë kur kanë filluar akuzat ndaj liderëve. Akuza bën organi përkatës. Kandidati platformë qeverisëse. Se sa ka vjedhur iksi apo ypsiloni, nuk është problem i një qytetari në periferinë e një bashkie. Atje problem është rruga e pa shtruar. Ngushtimi i kësaj rruge ditë më ditë. Kanali i ujërave të zeza. Pusetat pa kapak. Uji i pijshëm. Gaforret me tela korrenti sipër kokave të tyre. Që njëri fqinj ia shkarkon zhavorrin fqinjit tjetër mu përpara derës. Që pallati trekatësh, zgjohet katërkatësh etj. Ndaj nuk e kuptoj përse duhen harxhuar gjithë ato para për të dekoruar rrugët. Për të improvizuar shiun entuziast të diktaturës. Me që përmenda Ciprasin dhe ato ishin zgjedhje parlamentare. Flamuj ka vetëm nëpër duart e sipmatizantëve. Në tubime, në sheshe etj. Ne flasim për rregulla loje, për respektim ligji. E shkelim me dy këmbë. Ngryset qielli blu. Zbardhet dita me qiell të prushëruar, blunjtëzuar etj.
Kërkojmë debat publik, pa asnjë lloj platforme. Pa e ditur se përse bëhet debati. Si bëhet debati.? Cilët janë moderatorët që do drejtojnë auditorin? Ku do vendoset tabela e shumatoreve të përqindjeve, në auditor, apo në selitë e partisë? Bëjmë sondazhe pa asnjë vlerë. Pasi tek webet e majta kanë fituar të majtët. Tek webet e djathta kanë fituar të djathtët.
4)Një grua plakë, e vetmuar. Për shkak se i iku djali me gjithë familjen në kurbet. Ku ta merrnin të shkretën. Bagazh i tepërt. E gjeti oborrin plot me të rinj e të reja. I pastruan shtëpinë, ia zbukuruan me poste, flamuj fushate. Plot të rinj me bluza…, plot portrete. Kur e vetmuara pyeti se i erdhi djali prapë? Iu përgjigjën. Ai që iku nuk të kthehet më. Djali yt është ky në gjokset tona. Voto për këtë! Dhe ajo e lumtur pranoi. Në fund të fundit, ca ditë fushate janë lumturia vet.