Votuesit sfiduan statuskuonë e Evropës
Nga Judy Dempsey
Le t’ja fillojmë me lajmin e mirë. Së pari, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e Parlamentit Europian të mbajtur në datat 23-26 maj, ishte mbi 50 për qind. Kjo ishte hera e parë në një çerek shekulli, që më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote në BE, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, dolën për të votuar.
Së dyti, partitë e ekstremit të djathtë nuk patën suksesin që ato prisnin, me përjashtim të Francës. Atje, Tubimi Kombëtar i Marin Lë Penit, fitoi gati 24 përqind të votave, duke e zbritur në vendin e dytë listën “Rilindja” të presidentit Emanuel Makron.
Së treti, zgjedhjet në shumicën e vendeve kishin të bënin me kauza konkrete, veçanërisht në lidhje me ndryshimet klimatike. Të Gjelbrit u paraqitën shumë mirë në Gjermani. Ata patën një rritje nga 10.7 për qind në zgjedhjet e vitit 2014, në mbi 20.6 për qind këtë vit, duke i shtyrë socialdemokratët në vendin e tretë me vetëm 15.5 për qind, nga 27.3 për qind në vitin 2014.
Të Gjelbrit patën rezultate mbresëlënëse edhe në vende të tjera, veçanërisht në mesin e të rinjve (por edhe në mesin e jo aq të rinjve).
Partitë e gjelbra, u përqëndruan tek çështja e ndryshimeve klimatike, ku shumë votues kujtojnë verën e nxehtë të vitit të kaluar, dhe përmbytjet e mëdha përgjatë vendeve të bllokut. Votuesit gjithashtu janë gjithnjë e më të vetëdijshëm, mbi ndikimin që ka ndryshimi i klimës jo vetëm në Evropë, por edhe në pjesën tjetër të botës në aspektin e emigrimit, bujqësisë dhe shkretëtirëzimit të tokës. Dhe mos e nënvlerësoni rolin e Greta Tunberg, gjimnazistes 16-vjeçare suedeze, e cila ka pasur një efekt elektrizues tek të rinjtë.
Së katërti, zgjedhjet përkuan me disa referendume që patën rezultate pozitive. Irlanda votoi për liberalizimin e ligjit të divorcit, ndërsa në një referendum jo-detyrues në Rumani, votuesit hodhën poshtë përpjekjet e qeverisë, për të falur politikanët e akuzuar për korrupsion.
Irlanda, konfirmoi se është një shoqëri që e ka përqafuar ndryshimin dhe laicizmin me ritmin e vet, dhe në mënyra që e kanë ndryshuar rrënjësisht statuskuonë. Rumunët dëshirojnë ende t’i japin fund një statuskuoje, që ka treguar një rezistencë të madhe ndaj transformimit.
Dhe kjo është domethënia e zgjedhjeve të kësaj radhe për Parlamentin Evropian. Përveç Polonisë, Hungarisë dhe disa vendeve të tjera ku partitë qeverisëse korrën fitore të lehta, qeveritë në të gjithë BE-në janë sot më të dobëta. Merrni për shembull Gjermaninë.
Stabiliteti dhe qëndrueshmëria e koalicionit të qendrës së djathtë të kancelares Angela Merkel të Kristiandemokratëve (CDU) dhe Socialdemokratëve (SPD), nuk është më e sigurtë. Mbështetja për SPD-së ra jo vetëm në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, por edhe në zgjedhjet lokale në Bremen, që u mbajtën në të njëjtën ditë.
SPD-ja e kishte dominuar për më shumë se 7 dekada qytetin-port në veri të Gjermanisë. Kjo përfundoi më 26 maj, kur kristiandemokrati i panjohur, Karsten Mejer-Heder, e mposhti kryebashkiakun në detyrë. Dhe nuk është vetëm kjo. Shanset janë që në Bremen, konservatorët të formojnë një koalicion me Gjelbrit.
Në nivelin federal, është e vështirë ta shohësh Andrea Nahles të vazhdojë të mbetet udhëheqës i SPD-së. Edhe më e vështirë, është ta shohësh SPD-në të mbetet në koalicionin me Merkelin deri në zgjedhjet e ardhshme federale, të planfikuara për në vitin 2021.
Përsa i përket pasardhëses së zgjedhur të Merkelit, Anegret Kramp-Karrenbauer, nëse nuk ndryshojnë politikat e saj, votuesit do të vazhdojnë të distancohen nga partitë e mëdha gjermane të pas vitit 1945. Në fakt, më shumë se 1 milion votues të CDU, dhe po aq të SPD-së, braktisën 2 partitë e mëdha dhe votuan më 26 maj për të Gjelbrit.
Dhe kjo jo vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike. Dy partitë e mëdha, janë përqendruar shumë në shërbimin ndaj brezit së vjetër dhe rritja e pensioneve, në kurriz të ndihmës ndaj votuesve më të rinj. Ndërkohë, edhe kryeministri grek Alexis Cipras është në telashe.
Partia e tij e majtë Syriza, u rendit e dyta në zgjedhjet e Parlamentit Europian, duke fituar 24 për qind të votave, pas Demokracisë së Re në opozitë, e cila mori 33 për qind të votave. Cipras bëri thirrje për mbajtjen sa më parë të zgjedhjeve të parakohshme, në vend se të priste deri në shtator, sikurse edhe ishin planifikuar.
Situata nuk është rozë as për Mateo Salvinin, kreu i Lega Nord të së djathtës ekstreme në Itali. Partia e tij fitoi 34 përqind të votave, por partneri i tij në koalicionin qeverisës, Lëvizja Pesë Yjet, u rendit e treti me 17 për qind, pas Partisë Demokratike në opozitë me 24 përqind.
Përfundimi që sjellin të gjitha këto tendeca, është se udhëheqësit e rinj të institucioneve të BE, që do të emërohen gjatë muajve të ardhshëm, nuk mund të vazhdojnë punët si zakonisht.
Në një takim të veçantë që do të mbahet në Bruksel më 28 maj, liderët e BE do të përpiqen të bien dakord, se kush duhet ta udhëheqë Komisionin Evropian, Këshillin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane, dhe Parlamentin Europian.
Duke pasur parasysh rezultatin e zgjedhjeve, është e vështirë që Merkel apo Makron, të imponojnë të vetëm titullarët në komisione apo bankën qendrore. Gjasat janë që Parlamenti Evropian ta shfrytëzojë pjesëmarrjen e lartë në votime, për të kërkuar një mendim shumë më të gjerë, mbi atë se kush do të marrë në dorë frenat e këtyre institucioneve.
Një gjë është e sigurtë. Pjesëmarrja e lartë e votuesve, nënkupton se zgjedhjet e këtij viti për Parlamentin Europian, ishin më shumë sesa një sondazh mbi liderët kombëtarë. Ato ishin një sondazh mbi Evropën dhe drejtimin e saj të ardhshëm.
“Carnegie Europe” – Bota.al