Vrasja e mësuesit
“Nëse qyteti nuk do të kishte vdekur, qytetarët e tij, nxënësit e mësues Ajetit, sot do të mblidheshin të gjithë në Babicë, aty në varreza, për t’i thënë lamtumirë një vlonjati të mrekullueshëm. Nëse Vlora ka ende qytetarë, ata nuk do ta linin vetëm, sot, mësues Ajetin. Mësuesin e matematikës, që e vranë një ditë pashkësh. Nuk po kërkoj të marrë Lungomare emrin e tij. Vlora tani nuk është më e mësuesve, por e ndërtuesve. Veç, së paku një lule në varr dhe një më fal për atë që e deshi qytetin pa kushte”….
Nga Rudina Xhunga
Të dielën në mëngjes, në Vlorë, vranë një njeri. E shtypën me makinë dhe e lanë aty. Një plak më pak, ka menduar ai që e shtypi, në mos as ka menduar, as ka parë.
Për mua ishte një lajm kronike, i rëndësishëm në një të diel pa lajme.
Derisa pashë emrin e tij. Ajet Seferi, mësuesi i mrekullueshëm i matematikës, që mësoi kaq breza vlonjatësh me përkushtim e pasion.
Mësuesi i mirë i Vlorës, që iku sikur nuk kishte qenë kurrë. Një mëngjes, kur capitej buzë detit, aty afër Lungomares në ndërtim, një makinë e mori me vete dhe e la pa jetë, atë që i kishte dhënë Vlorës, jetë nga e vetja.
Unë nuk e kam njohur kurrë, profesor Ajetin. Nuk më ka dhënë mësim, nuk kam qenë në gjimnazin, ku ai ishte më i miri.
Por e di si mund të ketë qenë jeta e tij, pas ‘90, sepse jam vajza e një mësuesi matematike.
Kur isha e vogël, babai im, çdo darkë, vinte dhe më zgjonte nga gjumi, për të më kontrolluar detyrat dhe shpjeguar deri vonë, lëndën që nuk e kuptova kurrë.
Nuk kuptoja as pse më pyeste në mes të natës dhe jo pasdite, si gjithë prindërit. Gjithë mëngjesin ai jepte mësim, pasditeve deri vonë, ndërtonte kabinetin e matematikës, që unë kujtoja se ishte ndonjë shpikje, e cila do të ndryshonte njerëzimin, aq shumë kohë i merrte atij.
Në fakt njerëzimin, nuk e ndryshoi, por jetën e fëmijëve që mësonte, po. Ata tani, janë burra e gra dhe sa herë që më gjejnë diku, më përshëndesin gjithë dashuri si vajza e profesor Engjëllit.
Unë si kompensim të kohës që duhej ta ndante me mua dhe ia dha nxënësve të tij, mora krenarinë për të. Ai nuk mori dot asgjë nga gjithë puna e tij. As nga Vlora, as nga kabinetet që ndërtoi. Ju desh të dilte në pension me 60 për qind që të mbante tre vajza dhe kur shokët, në fund morën pensionin e plotë, ai vazhdonte pa u ankuar, me aq sa i kishin lënë.
Derisa një ditë më mori nga Vlora, ku vazhdonte të merrte pensionin, që të kishte mundësi të mbante lidhjet me qytetin e lindjes. Ishte mbyllur brenda dhe më shpjegoi se për shkak të një ndryshimi prej një dite në datën e lindjes, kishte marrë më shumë para nga pensioni dhe për këtë mund ta fusnin në burg. Kështu i kishte thënë drejtori, te pensionet. Dhe ai kishte vendosur të rrinte në Vlorë, që ta arrestonin aty dhe të mos na turpëronte.
Uli kokën dhe vazhdoi jetën, kur e binda që askush nuk do e arrestonte, vetëm do merrte më pak para nga pensioni i tij. Aq pak sa nuk i dilnin më për asgjë.
Kohë pasi e la jetën peng të punës, asnjë nga vitet e punës nuk iu kthye pas si meritë. Veç nxënëses së tij më të dobët, vajzës së tij, askush nuk kujdeset të mendojë se ai mësues i shkëlqyer, i përkushtuar, që kujdesej për nxënësit sikur të gjithë do të bëheshin shkencëtarë, meriton të marrë një pension dinjitoz.
Por nuk ankohet. E shoh kur capitet rrugëve, sikur nuk ka ecur kurrë me vrap. Me vrap, se kishte mësim, kishte mbledhje, kishte punë, kishte nxënës që e donin dhe i donte. E shoh dhe prekem që gjithçka bëri, është sikur nuk ka qenë.
Nuk e di, po e marr me mend që edhe mësues Ajeti kështu ka jetuar. Me një pension që nuk i dilte, me një jetë të harruar, me të vetmin gëzim, atë shëtitje buzë detit, që dje ishte e fundit. Sepse ka qenë duke ecur në një rrugë të një qyteti që s’ka asnjë lidhje me qytetin që i kushtoi zemrën dhe i mori jetën, derisa e vrau, një mëngjes Pashkësh.
Ai që e vrau është njëri nga ne, që me indiferencë kriminale po vrasim qytetin brenda vetes, prindërit tanë, të kaluarën, në emër të garës dhe shpejtësisë për të shkuar asgjëkundi.
Kjo është frika ime, vrasja e qytetit.
Nëse qyteti nuk do të kishte vdekur, qytetarët e tij, nxënësit e mësues Ajetit, sot do të mblidheshin të gjithë në Babicë, aty në varreza, për t’i thënë lamtumirë një vlonjati të mrekullueshëm. Nëse Vlora ka ende qytetarë, ata nuk do ta linin vetëm, sot, mësues Ajetin. Mësuesin e matematikës, që e vranë një ditë pashkësh. Nuk po kërkoj të marrë Lungomare emrin e tij. Vlora tani nuk është më e mësuesve, por e ndërtuesve. Veç, së paku një lule në varr dhe një më fal për atë që e deshi qytetin pa kushte.
MAPO