Vrasja e pazbardhur e 21 janarit; familjarët i drejtohen Strasburgut

Familjarët e Aleks Nikës, i cili humbi jetën në një spital në Turqi pasi u plagos me armë zjarri gjatë protestës së 21-janarit, i janë drejtuar gjykatës së Strasburgut pasi akuzojnë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë se po bëjnë shumë pak për hetimin e dosjes hetimore.

Në ankesën e tyre drejtuar gjykatës në Strasburg, familjarët e Nikës akuzojnë ish kryeministrin Sali Berisha, si dhe ministrin e brendshëm të kohës dhe kreun aktual të opozitës Luzlim Basha, për pengim të hetimeve, zhdukje të provave dhe mosekzekutim të vendimeve.

“Për të dekurajuar hetimin e rrethanave të ngjarjes, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm kanë urdhëruar mosekzekutimin e urdhrave të ndalimit dhe arrestit dhe Kryeministri është shfaqur në Televizionin Publik dhe e ka quajtur Prokuroren e Përgjithshme ‘Lavire Bulevardi’,” shkruhet në ankimin e drejtuar gjykatës nga familjarët e viktimës.

“Më tej, në dijeni të plotë janë zhdukur të gjitha provat materiale, filmimet, etj, të ndodhura brenda godinës së Kryeministrisë. Ngjarjet vijuan më tej me shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme dhe vendosjen në vend të saj të një njeriu [Adriatik Llalla], i cili duke qenë në shërbim të Kryeministrit ka bërë të pamundurën për shkatërrimin e hetimeve,” shtojnë familjarët e viktimës, duke nënvizuar që për shkak të rrethanave të sipërpërmendura “hetimi ka degjeneruar,” dhe pas 5 vjet e gjysmë akoma nuk ka një fajtor për vrasjen e babait të dy vajzave.

Aleks Nika ishte një nga katër viktimat e protestës së dhunshme të 21 janarit 2011, kur mbështetësit e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, u përplasën me Policinë dhe Gardën e Republikës përpara selisë së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste pas publikimit të një video, ku ish Ministri i Jashtëm dhe kreu aktual i parlamentit Ilir Meta, dukej sikur po diskutonte një aferë korruptive me ish Ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës, më 21 janar 2011 përveç Aleks Nikës, u vranë dhe  Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën 10 protestues të tjerë.

Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, Prokuroria procedoi penalisht ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, duke kërkuar dënimin e tyre me 23 vjet dhe 25 vjet burgim respektivisht.

Me 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi Prendin me 1 vit heqje lirie dhe Llupon me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia. Gjykata e Lartë refuzoi ta pranonte apelin e Prokurorisë mbi çështjen.

Ndryshe nga tre viktimat e tjera, arma nga është qëlluar plumbi që vrau Aleks Nikën, nuk është identifikuar pasi predha ishte dëmtuar.  Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN se dosja “Nika”  ka kaluar për hetime më të thelluara në policinë e shtetit, e cila me të siguruar prova të reja njofton menjëherë organin e akuzës.

Familja e Nikës i është drejtuar Gjykatës të Strasburgut duke i kërkuar të verifikohen një seri shkeljes procedurale dhe materiale që sipas saj janë shënuar gjatë hetimit të vrasjes së të afërmit të tyre nga autoritet shqiptare.

Nga ana procedurale, ankuesit pretendojnë shkelje të Konventës për të Drejtat e Njeriut, lidhur me refuzimin e autoriteteve për t’i njohur ankuesve statusin e viktimës, refuzimin për t’i mbajtur ata të informuar për zhvillimet e hetimit dhe mundësinë e përfaqësimit në procesin penal.

Sipas familjes Nika, ka pasur një veprimtari të mirëfilltë për pengimin e hetimeve, me zhdukjen e provave dhe mosekzekutimin e vendimeve dhe në krye të kësaj veprimtarie kanë qenë autoritetet më të larta të kohës, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm.

“Hetim i përciptë, i pamjaftueshëm, haptazi në mospërmbushje të detyrimeve pozitive të shtetit,” shkruhet në ankimim.

Në aspektin material, sipas nenit 2 të Konventës, familjarët e viktimës i referohen dëmit material, jopasuror, të humbjes se jetës se babait të 2 vajzave dhe bashkëshortit.

“Ankuesit në vazhdimësi kanë kërkuar nga autoritetet të kenë akses në hetime, por në vazhdimësi janë shpërfillur nga autoritetet e hetimit dhe shtetit,” shkruhet në ankimin e drejtuar Strasburgut nga familja Nika.

“I gjithë informacioni që zotërojnë ankuesit është ai i publikuar në media,” thuhet në ankesë.

Duke qenë se bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje dhe të njëjtat prova, familjarët e Nikës kërkojnë që ankimimi i tyre t’i bashkëngjitet dosjes tjetër që është regjistruar në Gjykatën e Strasburgut, asaj me numër nr.16191/13 “Ana Veizi dhe të tjerë kundër  Shqipërisë”.

Kjo dosje është ankimuar nga familarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, të cilët i janë drejtuar kësaj gjykate pasi kanë konstatuar shkelje të procedurave në gjykimin  e dosjes së 21 janarit nga gjykatat shqiptare. Ata kërkuan të ishin palë në procesin gjyqësor por u refuzuan nga Gjykata e Tiranës.  Në dhjetor të vitit 2012, ata iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut e cila i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të japë një informacion të detajuar mbi çështjen e 21 Janarit, konkretisht për hetimet e prokurorisë dhe procedurat penale të ndjekura nga gjykatat shqiptare.

Sipas familjarëve të Aleks Nikës, hetimet për vrasjen e tij në afro 6 vite kanë dështuar të zbardhin të vërtetën, ndërkohë që kohëzgjatja e paarsyeshme e procedurave hetimore, pa ndonjë shkak objektiv apo ligjor, ka ndikuar në fshehjen e saj.

“Hetimi nuk ishte në gjendje të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës për vrasjen, ndaj familjarët e të ndjerit kërkojnë të verifikohen shkeljet e të drejtave të garantuara nga Konventa Europiane në procesin e hetimit të kësaj ngjarje” thuhet më tej në shkresën anikimore.

Në bazë të nenit 2 të Konventës “Për mbrojtjen e Lirive Themelore dhe të Drejtave të Njeriut,” i cili ndalon vrasjet arbitrare nga agjentë të shtetit, familja shkruan “se shteti jo vetëm që nuk e ka plotësuar detyrimin për ruajtjen e integriteti fizik të A.N., por është parë në TV, edhe nga fëmijët, që A.N. është vrarë nga shteti.”

“Shteti është përgjegjës sipas Konventës sepse ngjarja ka ardhur si pasojë e terrorit shtetëror,” përfundon familja Nika. (Marre nga BIRN)

SHKARKO APP