Vrasje me leje

 

Nga Frrok Çupi

Këtu, një njeriu që ka vrarë njeriun tjetër; e ka vrarë me armë zjarri dhe ky tashmë është i varrosur, i jepet leja që të ngjitet në shkallët e pushtetit publik. U zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste në Shkodër dhe nesër mund të jetë ministër ose Kryeministër. "Pse të mos ngjitet,- tha Kryeministri i Republikës- përderisa armën e kishte me leje". Ngjarja ndodhi para dy ditësh…

Në Perëndim, ku aspirojmë të jemi një ditë, ndodh krejt e kundërta. Aleksandri, djali njëzetvjeçar i mikut tim Marc Berdah, i cili banon në Rue de la Pompe, dy hapa prapa Harkut të Triumfit, ka disa vite që ëndërron të bëhet dikush në pushtetin publik francez. Madje, edhe si President i Francës. Për të mbërritur te e drejta e kësaj zgjedhjeje, Aleksandri kontrollon çdo hap në jetën e tij, me qëllim që të mos bëjë asnjë gabim. Nuk i lejon vetes të marrë notë më pak se maksimale në shkollë. Nuk i lejon vetes të mos thotë tjetër veçse të vërtetën dhe nuk lejon që të shkelë oraret e veprimeve të tij. Sepse nesër do të jetë dikushi në pushtet, ndoshta edhe President i Republikës. Kohët e fundit u regjistrua në shkollën, ku ka studiuar Presidenti Zhak Shirak.

 

Ngjarjet me këtë djalosh të njohur mu kujtuan menjëherë sapo kryeministri shqiptar tha se "ç'punë prish pse kryetari socialist nga Pulti, vrau një njeri? Arma që vrau ishte me leje…". Mu kujtua Aleksandri përnjëherësh, sepse e kam të afërt, por modele si ky ka plot në Europë e deri në Amerikë. Ndërsa këtu një vrasës është i lejuar të ngjitet në hierarkinë e pushtetit. Një ironi është hapur në popull rreth kësaj ideje: "Sa ka vrarë ky? Veç një? Nuk vlen aq fort për pushtet… Tjetri ka vrarë katër dhe ka marrë veç tetë këshilltarë në Shkodër!"

Tragjike!

Shteti i ka dhënë të drejtë politike vrasjes me leje. "Përderisa arma e vrasjes ishte me leje, kryetari i Pultit (Kryetari i Kavajës, Kryetari i Krujës, drejtori i burgut, hetuesi makabër i At’ Zefit), mund të bëhet edhe president i Republikës, tha kryeministri. Kam frikë se më duket sikur këtë deklaratë ta dëgjojë Aleksandri njëzet e ca vjeçar në Paris që po aspiron Presidentin e Republikës.

Çfarë po ndodh kështu?

E para,

po ndodh që të gjithë jemi të rrezikuar nga të gjithë. O do të çmendemi të gjithë nga të gjithë, o do të vritemi të gjithë nga të gjithë, o do të shtypemi të gjithë nga të gjithë. Kur një kombi i venë përpara Vrasjen me Leje, kombi ndodhet para murit dhe para marrëzisë. Atëherë të gjithë shelin të gjithë, si delet.

George Orwell, shkrimtari i famshëm britanik, menjëherë pas Luftës së Dytë, nuk po e gjente si të dilte prej labirintit, prej një labirinti si ky yni. Orwell u përsiat me vete dhe një ditë nxori prej duarve romanin e famshëm "Viti 1984". Ngjarjet i përkisnin vitit 1948, edhe libri u shkrua në 1948, por titullin e zgjodhi me "1984". E tëra një rrokopujë, njësoj si sot këtu ku në pushtet lejohet Vrasja me Leje.

Në librin e Orwell është jeta e anglezëve nën perandorinë e tiranisë dhe të kaosit. Oqeania, shteti i romanit të Orwell, qeverisej pa ligje, (Secili mund të vrasë me leje, themi këtu aktualisht); njerëzit e atij shteti ndodheshin nën pushtetin  omnipresent (i kudondodhur) që nga kontrolli i marrëzisë  deri te një llambë elektrike e ndezur në shtëpinë e të varfrit. Winston Smith, qytetari mesatar i Oqeanisë, kishte lindur në vitin 1945, por në vitin 1948, veç tre vjet pas lindjes, ishte 39 vjeç dhe punonte në Ministrinë e të Vërtetës… Asgjë nuk ishte në rend e në logjikë. Ministria e Gënjeshtrës thërritej Ministri e të Vërtetës; Mr. Smith nuk ishte 39 vjeç përderisa kishte lindur para tre vjetësh; viti 1948 nuk ishte 1984. Kaos i shkaktuar nga pushteti pa ligje dhe i kudondodhur. Kaos, ku secili kishte leje të vriste dhe të ngjitej në hierarki.

Po këta këtu pse i hapën rrugë vrasjes me leje?

E para,

për të testuar sa në depresion ndodhet shoqëria. Këta të qeverisë omnipresent e kanë shtyrë shoqërinë përditë drejt depresionit. Kudo kanë shtrënguar lakun, deri edhe të bllokimin e bulevardeve dhe të lëvizjes së lirë. Njeriu i munduar po flet me vete. Këta të qeverisë i bëjnë testin me një "ligj" të paligjshëm duke lejuar pushtet politik për vrasjet me leje. Njerëzit nuk reaguan dhe testi u krye.

E dyta,

duke lejuar "vrasje me leje", një absurd si mosha e Smith (nga tre vjeç u quajt 39), nesër këta marrin të drejtën parlamentare që lejet t'i japin vetë. Madje, këta do të ekzaminojnë vrasjen pasi të jetë kryer, do të vëzhgojnë njëri- tjetrin si "kumbara" dhe do të vendosin: "Kjo ishte vrasje me leje". Atëherë nuk do të dihet, cili e ka radhën i pari dhe cili i dyti e i treti. Në momentin kur një qeveri i jep leje vetes që të vrasë me leje, ose të japë leje për vrasje,  atëherë të gjithë duhet të kenë frikë dhe të paktën të ikin prej këtij homeland, ku qeveris kjo lloj qeverie.

E treta,

me këtë vrasje do t'u jepet leje të gjithë krimeve të diktaturës komuniste. Që nga ardhja e kësaj qeverie ka nisur rehabilitimi i diktatorëve dhe simboleve të diktaturës. Tani qeveria e "Oqeanisë", ka ardhur në pikën kur do të japë leje për krimet e kryera. Atëherë do të vendoset precedenti i kaosit dhe do të duhet punë e madhe për të shkuar te ligji.

E katërta.

Cilët vrasin me leje? Edhe këta i cakton qeveria. Stina më e mirë kur caktohen vrasësit me leje është stina e zgjedhjeve politike. Vrasësit bëhen o deputetë të Kuvendit, o kryetarë të qeverisë lokale. Pastaj marrin leje politike. Pak më vonë qeveria vë gishtin cilin të zbulojë si vrasës e cilin të mbajë nën sqetull. Siç e patë, kësaj here, si vrasës me leje u caktuan të gjithë deputetët e besimit katolik. Pastaj u dekorua një xhelat që kishte torturuar jezuitët katolikë, ndër të cilët edhe At’ Zef Pllumin. U krijua ideja se veç katolikët dhe veriorët janë vrasës, ide raciste që jep leje për krim tjetër.

Nesër edhe t’i mund të emërohesh si vrasës me leje. Përderisa pushtetin e merr njeriu që ka vrarë njeriun.

SHKARKO APP