“Washington Post”: Shqiptarët e Kosovës kanë rrënjë të pastër katolike

 

*ILLYRIA

E përditshmja amerikane The Washington Post, ka bërë një hulumtim për rrënjët e shqiptarëve të Kosovës në aspektin religjioz.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, del se rrënjët e hershme të myslimanëve kosovarë i përkasin pikërisht religjionit katoliko-roman.

Në fshatin Gjonaj të rajonit të Prizrenit ekziston një kishë e vjetër më shumë se njëmijë vjeçare, e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve.

Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët të cilët edhe thonë se u përket atyre, mirëpo banorët e atyshëm thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.

Një banor i këtij fshati, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me religjioz katolik, dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijë vjeçar të Perandorisë Romake.

Pasi që Kosova kaloi nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam.

Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre të kamotshme e pothuajse të harruara.

“Kjo është historia e kombit tonë”, ka thënë Ademi.

“Paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai.

Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik.

Mirëpo, përkundër këtyre të dhënave, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë.

“Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.

“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për Washington Post.

Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit.

“Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai.

Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike.

Agron Bytyqi, ish-ushtar i UÇK’së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babain katolik dhe nënën myslimane.

“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar tek në vitin 1995.

Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë, për shembull. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjet në shtëpi, sipas traditave katolike.

Një “laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.

“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e religjionit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj, fshehurazi gjatë natës, ndërsa ditën bëhet mysliman.

“Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti.

Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre.

“Laramanët” nuk deklarohen si katolikë, për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë, shkruan The Washington Post, transmeton Prizrenipress.

B.S.

SHKARKO APP