What people is this?

“Kur i shikon të gjithë, aq të artikuluar, aq mirë të veshur, aq krenarë, aq shqiptarë, të vjen të pyesësh Shën Terezën: What people is this? Është populli i atij vendi që nuk të la të varrosje nënën e motrën dhe t’u bekoje varrin, se ti ishe ndryshe, është populli i vendit qe mori flakë në ‘97 dhe ti u lute për të, ta shpëtoje nga qoftëlargu”…

Nga Rudina Xhunga

Të shtunën, ndërsa Rita Ora këndonte “What child is this”, me orkestrimin e Shpëtim Saraçit dhe violinën e Shkëlzen Dollit, pashë mrekullinë. Atë që bëri bashkë në një koncert Ritën dhe Invën, Shkëlzenin dhe Ermonelën, Lorikun dhe Bujarin. E shumë e shumë portrete të famshme, të dashura, të pamosha, nga ato që kanë e janë vetëm artistët. Mrekullia ndodhi një natë para shenjtërimit, shqiptarët e famshëm ishin bashkë, ata që dinë të bëjnë drithmën të lëkundet në ajër dhe të të hyjë në trup, duke të ndezur një llambë, që kushedi ku e kur hedh dritë.

Ajo është magjia. Kur më e mira jote, ajo që të përfaqëson, të përqafon. Kur artistët e tingujve dhe topit, bëhen bashkë.

E kemi pasur gabim, kur mendonim që do na bashkojë politika. Ata nuk munden, janë të zakonshëm, madje më pak se të zakonshëm. I vutë re në rreshtin e parë? I krahasuat me sallën plot shqiptarë? Po pastaj me skenën e më të mirës së shqiptarëve? Nuk e vutë re, sa para janë shqiptarët dhe sa pas politika që na drejton?

Është arti, është sporti, është shenjtërimi i gjakut tonë, që na bëri bashkë në Vatikan. Jo politikanët. Ata na kanë përçarë, për të na sunduar.

Të shikoje të dielën, gjatë shenjtërimit, ato portrete të panjohura pelegrinësh, që kishin udhëtuar nga gjithë bota, të vinin në atë shesh, Ditën e Shenjtërimit të Nënës Terezë, qe një tjetër mrekulli. Kishte në atë shesh plot flamuj, aq Shqipëri të shpërndarë në botë, që punon përditë duke mbajtur me vete, Shqipëritë tona. Se jemi një. Nëse na ndan Kosova e Shqipëria, na bashkon shqipja.

Kur i shikon të gjithë, aq të artikuluar, aq mirë të veshur, aq krenarë, aq shqiptarë, të vjen të pyesësh Shën Terezën: What people is this?

Është populli i atij vendi që nuk të la të varrosje nënën e motrën dhe t’u bekoje varrin, se ti ishe ndryshe, është populli i vendit qe mori flakë në ‘97 dhe ti u lute për të, ta shpëtoje nga qoftëlargu.

Veç t’i shikoje tek luteshin në Shenjtërimin Tënd, kaq të bukur, kaq ndryshe! Ka kaluar pak kohë dhe këta njerëz janë shembull frymëzimi, sesi arritën të ndryshojnë veten.

Dita e djeshme ishte një ditë për të kthyer kokën pas dhe për të shikuar e shijuar, sa rrugë kemi ecur në kaq pak kohë. Është e lehtë të psherëtish se të lehtëson, të mallkosh se të ndihmon, të ulërish se të shpëton, por do sy të shohësh pas dhe zemër të ndjesh ç’do vijë.

Këta njerëz që tani janë si të gjithë, kanë ikur nga shembja e iluzioneve, nga djegia e piramidave dhe kanë çarë dete me skafe, kanë kaluar male në këmbë, kanë vuajtur, sa nuk tregohet, kanë çuar Shqipërinë deri ku nuk ta pret mendja. Kanë luftuar, kanë vdekur, kanë vrarë, kanë studiuar, kanë punuar, janë burgosur, janë tallur, janë shtyrë, janë pranuar, kanë vazhduar, janë bërë burra dhe gra, janë bërë punëtorë, shkencëtarë, mjekë, pianistë, janë bërë profesionistë të shkëlqyer, në vendet ku kanë marrë nënshtetësinë, por ëndrrat i shohin shqip. Janë faqja jonë e bardhë dhe e zezë, janë fytyra jonë në botë, janë ata që çojnë përpara Shqipërinë e padukshme, atë për të cilën luten në pavetëdije, t’i mbledhë një ditë, si kjo ditë e madhe e Shenjtërimit të Nënës.

Shqiptarët e kanë zhvilluar aq shumë veten këto vite, sa është e pamundur të mos mburresh me fuqinë e brendshme që kemi. Atë fuqi që nuk njeh kufij. Ajo që i bashkon ata që janë larg, është kjo përplasje me çdo pamundësi dhe koka pas. Të kthehen, po ku?

Mbase ka ardhur koha ta ndryshojmë edhe këtë pyetje. Jo ku, po si?

Shenjat kanë nisur, sepse shenjat janë të parat. Kampionati Evropian ishte një shenjë bashkimi dhe shkëlqimi në Evropë. Dje ishte një shenjë tjetër. Shenja që dërgoi Shenjtërimi. Na bëri prapë bashkë dhe e gjallëruam atë kishe dhe zbukuruam atë shesh, ku i dhamë botës një Shenjtore.

Mbase ka ardhur koha që të mblidhemi kështu në sheshet tona, të bëjmë të tilla sheshet tona, të bashkojmë Shqipëritë tona. Bashkë me frymëzimin e më të mirëve, me bekimin e Shën Terezës.

Frika që ju mban larg, që na mban larg, është politika. E dimë, duket, është prapë demode, siç e keni lënë, po ai rresht i parë, më pak hyrje të reja, prej një jete, që kanë bërë të vetmen gjë që dinë të bëjnë, jua kanë bërë atdheun të padurueshëm dhe ju kanë shtyrë te zbuloni botë.

Por mbase po vjen koha. Kemi lajme të mira edhe ne nga politika. Jo që iku Haxhinasto. Ky është lajm i vjetër, i atyre që nuk lodhen më as të gënjejnë ndryshe. Lajm i mirë është që Nard Ndoka i është kthyer spektaklit. Kujtohuni pak, dikur ka qenë ministër shëndetësie dhe ne e merrnim seriozisht. Tani mbase do u bëjë rrugë kolegëve, dhe kush aktor, e kush gaztor, kush fermer, e kush doktor, do shkojnë të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë.

Ndërsa me ata të cilët, e vetmja punë që dinë të bëjnë mirë, është të grabisin paratë, shtëpitë, gratë, jetët e të tjerëve, me ata do kemi punë. Ata janë shumë dhe janë shtuar, gjatë kohës që ju ikët, por sa më shumë të ktheheni, më lehtë do i përzëmë dhe ndëshkojmë. Pas Shenjtërimit të Nënë Terezës, nis një erë tjetër besimi. Te gjërat e vogla, me dashuri të madhe. Këto e bënë Nënën Terezë shenjt, ne do të na bëjnë njerëz. Dhe njeriu e do shtëpinë e tij.

Unë besoj. Qofsha naivja e fundit, por këtë atdhe kam, ku të besoj tjetër?/ Dritare.net

SHKARKO APP