Xhamat e thyer që çpojnë Ramën
Nga Armand Shkullaku.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të njëjtin gabim si pasardhësit e tij ndër vite, duke injoruar protestën e opozitës, duke u tallur me të dhe duke u marrë me akuza ndaj kundërshtarit që ka përballë. Ai refuzoi të shihte thelbin e daljes së mijëra njerëzve përpara selisë së tij dhe gjithë energjitë i investoi për të hiperbolizuar atë që e quajti dhunë dhe kthim tek e kaluara. Grupi i tij i gatshëm politiko-mediatik u vu në një lëvizje të ethshme në orët pas mitingut të PD, për të stisur rrëfimin e dhunës e për t’ua kundërvënë atë arsyeve të vërteta të zemërimit qytetar në bulevardin e kryeqytetit.
Disa qelqe të thyera e disa dërrasa të djegura u përdorën për të krijuar zhurmë e tym mbi të parën protestë domethënëse të opozitës në këto dy vjet. Në pafuqi për të kundërshtuar masivitetin, në përpjekje për të mos njohur një sukses të pjesshëm, por të dukshëm të Lulzim Bashës, dhe në dëshpërim për të mos pranuar shkaqet e vërteta të protestës, kryeministri dhe ingranazhet e tij iu rikthyen fabulës bajate të demaskimit të kundërshtarit dhe diversionit të bërë bozë mbi kredibilitetin e opozitës.
Kjo strategji e përdorur rëndom nga pushtetet në Shqipëri mund të japi ndonjë rezultat në letër, por në esencë nuk e zgjidh problemin apo krizën e krijuar mes qeverisë dhe qytetarëve. Opinioni mund të hallakatet për ndonjë ditë në debatin kishte dhunë apo s’kishte dhunë, arriti sukses apo jo Lulzim Basha, por pas një farë kohe çështja do të kthehet përsëri në zanafillë. A ka pakënaqësi popullore ndaj qeverisë? Zemërimi qytetar është real apo i fryrë nga opozita? A i ka prekur arroganca e pushtetit deri në atë pikë sa njerëzit ta shprehin dufin edhe mjete të dhunshme?
Përpara lojës së xhamave të thyer dhe “dëshpërimit” për dëmtimin e “veprave të artit” të ngritura pa përfillur qytetin, shqetësimi i një qeverie të përgjegjshme do të ishte përgjigja për pyetjet e mësipërme. Mijëra njerëz që protestojnë janë realisht një shqetësim. Më i madh se gurët e hedhur mbi arrogancën dhe mospërfilljen e pushtetit. Kryeministri, në radhë të parë do të duhej të kishte një reflektim për ata njerëz që u mblodhën para selisë së tij. Duke dënuar ata që thyen xhama, nuk mund të injorohen mijëra të tjerë që kanë pasur më shumë se një arsye për të dalë në rrugë. Edi Rama është kryeministër edhe i atyre që nuk e kanë votuar dhe minimumi i respektit do të ishte përfillja e shqetësimit të tyre.
Jo të gjithë ata dolën në protestë për të djegur dordolecin e tij apo instalacionin idiot të bunkerit. Shumica dolën sepse jetojnë keq, paguajnë taksa dhe fatura të larta, nuk po gjejnë dot shëndetësinë falas, janë të papunë, po nëpërkëmben nga arroganca e qeverisë dhe po shohin se si po pasurohen pushtetarët e radhës. Edi Rama duhet të gjejë një përgjigje për ta dhe jo të thurë hartimin e radhës për Shqupin, politikën e vjetër, opozitën, e të tjera dokrra si këto. Ai është në krye të vendit për të kapur dhe reflektuar shqetësimin qytetar dhe jo për sprova të lodhura të një retorike boshe.
Dështimi i një qeverie në raport me premtimet e saj është më i kapërdishëm kur shoqërohet me ndjesë. Por kur shoqërohet me arrogancë, prodhon vetëm valë më të mëdha zemërimi. Kjo është një aksiomë e njohur dhe vetë Rama e ka provuar kur ka qenë në opozitë. Sa më arrogante u tregua qeveria Berisha ndaj popullit opozitar, aq më shumë u rrit vala e pakënaqësisë ndaj asaj qeverie.
Zhvendosja e thelbit të protestës së opozitës tek zjarri brenda një bunkeri, nuk i shuan dot flakët e kontestimit ndaj qeverisë nëse arsyet reale për këtë ekzistojnë. Dhe vetë Edi Rama e di që këto arsye janë, por zgjedh të mos ballafaqohet me to. T’u bishtnojë dhe t’i injorojë duke tundur si trofe të strategjisë së tij deklaratat e ambasadës së SHBA dhe asaj të BE që po ashtu u fokusuan tek dhuna dhe jo tek shqetësimi i qytetarëve shqiptarë. Duke u përqendruar tek pasojat elementare dhe jo tek shkaqet thelbësore, edhe këto dy ambasada rrezikojnë të nënvleftësojnë krizën ekzistuese mes qeverisë dhe qytetarëve, e cila i detyron këta të fundit të dalin në rrugë.
Ndjeshmëria ndaj dhunës, për shkak edhe të së kaluarës tonë të afërt, është padyshim e madhe tek partnerët ndërkombëtarë. Reagimi dhe kujdesi i tyre në këtë drejtim është i kuptueshëm. Por i kuptueshëm duhet të jetë edhe shqetësimi i mijëra njerëzve që dalin në rrugë. Edhe për ata duhet një mesazh. Sepse nëse pakënaqësia popullore has në murin e arrogancës dhe mospërfilljes, atëherë ajo kthehet në revoltë. Ambasadorët janë dëshmitarë të injorimit të qytetarëve shqiptarë në mënyrën se si vendoset për fatin e tyre, se si jepen me koncesione korruptive pasuritë e tyre, se si i detyrojnë të paguajnë dyfish për shërbimet që u takojnë, se si u rritet borxhi pa investuar asgjë në të mirën e tyre, se si (siç thonë ata vetë) ministrat shtojnë pasuritë, vilat dhe makinat e shtrenjta ndërsa ata shkojnë në burg për një faturë të papaguar, se si u imponojnë për qytetarë të parë, përfaqësues në parlament apo drejtues lokalë, njerëz me të kaluar kriminale, se si u ndryshojnë sheshet e qyteteve dhe simbolet e tyre pa i përfillur fare…
Për të gjitha këto, shqiptarët kanë të drejtë të indinjohen, të ngrenë zërin, të protestojnë qoftë edhe me koston e thyerjes së një xhami. Por kur zhurma e këtij xhami dëgjohet më shumë se sa shqetësimi real i tyre, atëherë edhe distancimi nga dhuna bëhet i pavlerë. Gjithkujt i lind e drejta më pas të bërtasë më fort për t’u dëgjuar, të protestojë më egër për t’u konsideruar.
Prandaj në rend të parë do të duhej të ishte shqetësimi i mijëra njerëzve që dolën në rrugë dhe një reflektim ndaj tyre. Pas kësaj, sigurisht, edhe distancimi nga dhuna do të kishte vlerë. Por fabula e Edi Ramës, që refuzon realitetin duke u strehuar në metafora, vetëm provokon dhe nuk jep zgjidhje. Në Shqipëri, kjo mënyrë e sjelljes së pushtetit nuk e ka dekurajuar dhunën, vetëm sa e ka nxitur atë.