Xhef Bezos, “National Enquirer” dhe natyra e pushtetit modern

Ndoshta as gazeta më e mirë tabloide, nuk mund të shpikte një histori si kjo. Njeriu më i pasur në botë, bosi i “Amazon”, Xhef Bezos, ka akuzuar David Peker, botues i “National Enquirer” dhe i disa tabloideve të tjera, se ishte përpjekur ta shantazhonte, duke përdorur disa fotografi të tij intime dhe të dashurës së tij.

Peker, është një mik i besuar i presidentit Donald Trump. E gjithë kjo filloi më 9 janar, kur “Enquirer” njoftoi se do të zbulonte një lidhje jashtë martesore të Bezos, të plotësuar me mesazhe telefonike të nxehta. Historia doli në gazetë disa ditë më vonë.

Pastaj Bezos punësoi disa detektivë privatë, për të gjetur burimin e rrjedhjes së informacioneve  rreth jetës së tij private. Më 7 shkurt, miliarderi kaloi në kundërsulm, me një shkrim të gjatë në portalin e tij “Medium”, në të cilin ai akuzoi “National Enquirer” se e kishte shantazhuar, duke kërcënuar se do të bënte publike disa fotografi, nëse ai nuk do t’i jepte fund konflikti të tij me tabloidin.

Bezos përmendi lidhjet e pretenduara tregtare midis Peker dhe Arabisë Saudite, regjimi i të cilit është akuzuar për vrasjen e Jamal Khashogi, kolumnistit të “The Ëashington Post”, gazetës së mirënjohur në pronësi të Bezos. Në reagimin e tij Bezos, foli per një rrjet të madh intrigash, ku përfshihej Shtëpia e Bardhë, familja mbretërore saudite, prokurorët federalë, Amazon, një nga gazetat më të respektuar në vend (ndoshta më të respektuara) dhe “Enquirer”. Në qendër të çdo gjëje, është vetë Bezos.

Do të duhet kohë që hetuesit të rindërtojnë me saktësi faktet, protagonistët, dhe aktet e paligjshme të konsumuara. Më 10 shkurt, “The Daily Beast” zbuloi se hetimi është përqëndruar në mundësinë që Majkëll Sançez, vëllai i Loren Sançez, të dashurës së Bezos, mund të ketë qenë përsoni që ia dorëzoi gazetës “Enquirer” mesazhet e  çiftit, i bindur se tabloidët do të kishin publikuar lajmin  me miratimin e Presidentit Trump.

Sipas gazetave të ndryshme, Sançez mohoi të kishte gisht në këtë çështje. Pas zbulimit të lidhjes jashtëmartesore nga “Enquirer”, Trump bëri shaka me “Xhef Bozos” në Tëitter, duke shprehur me ironi solidaritetin e tij. Prokurorët federalë të qarkut jugor të Nju Jorkut, janë duke verifikuar nëse kompamia mediatike amerikane “Ami”, që kontrollon gazetën “Enquirer”, ka shkelur kushtet e një marrëveshje imuniteti dhe të bashkëpunimit, të hyrë në fuqi shtatorin e vitit të shkuar në lidhje me hetimin kundër Majkëll Kohen, ish-avokatit të Trump, dhe fondet e mbledhura prej tij në emër të presidentit të ardhshëm gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.

“Ami’ pranoi se ishte përpjekur të favorizonte Trumpin në zgjedhje, duke i paguar 150 mijë dollarë të dashurës së pretenduar të kandidatit republikan, që të mbyllte gojën në lidhje me marrëdhënien e tyre, një praktikë e njohur si “catch and kill” (kap dhe vrit).

Sipas marrëveshjes së imunitetit, “Ami” kishte premtuar të mos kryente asnjë aktivitet të paligjshëm, për të paktën 3 vjet. Më 10 shkurt, një avokat i “Ami” tha për televizonin ABC Neës, se botuesi Peker nuk ka kryer ndonjë krim, dhe se “Enquirer” kishte folur vetëm mbi një lidhje jashtëmartesore të Bezos, për ta përfshirë shefin e “Amazon” në bisedime, në të cilat të dyja palët kërkojnë të marrin diçka (sipas e-mailit të publikuar nga Bezos, “Ami” kërkonte që sipërmarrësi të thoshte, se aktiviteti si botues nuk kishte motive politike).

Sipas një avokati ekspert mbi paditë kundër tabloidëve, rasti është mjaft i ndërlikuar nga pikëpamja ligjore, edhe sepse është veçanërisht i pazakontë:”Zakonisht dikush thotë:Më paguaj, përndryshe do të publikoj fotot. Këtu situata është e ndryshme”.

Për më tepër, nuk duhet harruar se ligjet dhe interpretimi i tyre, mund të ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Sipas ligjit federal, një kërcënim mund të konsiderohet zhvatje, kur synimi është të fitohet diçka “me vlerë”. Përveç implikimeve ligjore, historia nxjerr në pah disa elemente simptomatike të natyrës së pushtetit në botën moderne.

E para është brishtësia e pushtetit, në një kohë kur privatësia është gjithnjë e më shumë në rrezik. Bezos arriti t’i kundërvihet Peker, antagonistit të tij të dyshuar, por burra të tjerë të pushtetshëm mund të ndjehen më të prekshëm. Sa njerëz janë shantazhuar me sukses, pa e ditur ndonjëherë opinionin publik?

Elementi i dytë, ka të bëjë me problemet e paraqitura në të parën:pushteti përqendrohet gjithnjë e më shumë, në duart e disa titanëve të globalizuar. Bezos është një shembull emblematik, pasi kontrollon një platformë teknologjike, që është bërë një element themelor në çdo sektor, dhe që nëpërmjet shërbimeve online të Amazon, ofron infrastrukturën cloud (të magazimit elektronik të të dhënave) për shumë kompani në të gjithë botën.

Edhe “Ami”, duket se është një klient “Amazon cloud”. Kundërshtarët e Trump, dyshojnë se presidenti ishte i ndikuar nga Rusia ose Arabia Saudite, ku familja e tij ka interesa biznesi, ose se edhe vetë ai ka qenë viktimë e një kompromat (shantazhi nëpërmjet materialeve komprometuese), të urdhëruar nga Vladimir Putin.

Por ndërkohë, vlen të theksohet se në ditët e sotme, përqendrimi i fuqisë teknologjike dhe të tregut, rrezikon të shndërrojë njerëz si Bezos dhe Mark Zukerberg në “pikat e vetme të brishtësisë” (në zhargonin e kompjuterit, pjesët individuale, në të cilat mosfunskionimi mund të rezultojë në kolapsin e një sistemi te tërë).

Një përpjekje e suksesshme për të shantazhuar Bezos, ndoshta në një dekadë kur dispozitivët Alex të Amazon, do të jenë nder më të përhapurat, mund t’i japin shantazhistit një platformë të fuqishme mediatike. Paradoksi është se platforma mediatike, që në mënyrë teorike duhet ta ketë thikën në anën e dorezës në këtë histori, ose “Enquirer” duket se është në prag të rrënimit.

Sipas të dhënave të Aleancës për Mediat e Audituara, edicioni i shtypur i kësaj gazete ka rënë nga 2.6 milionë kopje në vitin 1996, në vetëm 218 mijë kopje në fund të vitit 2018. Kompania mëmë, “Ami”, ka humbur 138 milionë dollarë gjatë viteve 2013-2015, dhe në vitin fiskal që u mbyll më 31 mars 2016, ajo deklaroi një fitim prej 17 milionë dollarësh, por me një borxh prej 394 milionë dollarësh, sipas të dhënave zyrtare .

Në janar, kompania arriti të rifinanconte borxhin e saj, duke mbledhur 460 milionë dollarë, me sa duket pas shumë vështirësish. Një drejtues britanik i industrisë së medias, që ra dakord të flasë në kushte anonimati, pyet nëse financimi ka ardhur nga Arabia Saudite, që nën kontrollin e Princit të Kurorës Muhamed bin Salman, ka treguar shumë interes për mediat perëndimore.

Në vitin 2018, Peker takoi një grup investitorësh sauditë, që po përpiqen të blejnë revistën “Time”. Vitin e kaluar, “Ami”, botoi një revistë propagandistike për të lavdëruar Arabinë Saudite dhe udhëheqjen e Princit të Kurorës. Më 11 shkurt, një zëdhënës i “Ami” i tha “The Economist” se “nuk ka asnjë investim në Ami që vjen nga Arabia Saudite”. Megjithatë, në kohën e njoftimit të rifinancimit të fundit, “Ami” nuk specifikoi identitetin e kreditorëve të saj më të fundit. Një tjetër mister, në një dramë të vërtetë amerikane të shekullit XXI.

“The Economist” – Bota.al

SHKARKO APP