Xhesika

“Ndoshta  dikush duhet t’i dalë për zot ofertës për Xhesikën e Hijshme. Për ofertuesin turp është të fshihet! E turpshme është vetëm lloji i ofertës dhe mënyra e bërë, por ky është diskutim tjetër. E rëndësishme është që shoqëria shqiptare është ende me nerv që i pulson dhe që dridhet nga Xhesika e Bukur. Dhe ky nuk është domosdoshmërisht lajm i keq, siç do të thoshin puritanët e moralit, ata që në moralitet i çon vetëm një krizë e mundshme e tregut për viagra”…

Nga Lorenc Vangjeli/

Masakra në Elbasan ishte si shpërthimi i një mine, fitili i së cilës ishte ndezur që më shumë se dhjetë vjet më parë. Zinxhiri i vrasjeve për hakmarrje dhe hakmarrja e nisur nga një sherr i rëndomtë, duket se vetëm do të pasohet nga hallka të tjera të përgjakshme. Elbasani mund të ndodhej kudo në hartën e Shqipërisë nga Veriu në Jug, kudo ku çdo shkëndijë mund të provokojë një zjarr.

Shpërthimi tragjik në lokalin e një fshati në Pogradec mund të kishte shkaktuar një masakër të frikshme në përmasa dhe absurde nga arsyeja pse ndodhi. Ajo është rrjedhoja logjike e një çoroditjeje ligjore dhe hallakatjeje të frikshme të shtetit shqiptar dhe raporteve të tij si arbitër në marrëdhënien e biznesit privat me konsumatorin privat në këto dy dekada e ca tregu të lirë. Një ditë më pas, meqë e liga nuk ka kufi, e liga goditi edhe më rëndë: një fëmijë vetëm katër vjeç, “u ekzekutua” po nga e njëjta lehtësi kriminale me të cilën trajtohet jeta dhe çmimi i saj në Shqipëri. Të gjithë janë fajtorë për atë vdekje dhe të gjithë janë viktima herët a vonë të të njëjtit lloj vdekjeje.

Absurdi është në shtëpinë e tij në Parlamentin shqiptar; ai nuk është vetëm deputeti i 141-të i tij, por është herë pas here debati, toni, fjalimi dhe fjalimi me ton patetik që debaton për nuancat e vetme që dallon politika daltonike në Tiranë: bardh e zi. Së fundmi, në të enjten e rradhës së Doktorit, u debatua për Byronë e Hetimit. Vështirë që kush vuan nga humbja e kujtesës, të kuptonte se kush ishte “i miri dhe kush i keqi”, kush ishte “pro dhe kush kundër” këtij instrumenti të luftës kundër krimit. Edhe pse foli Rama, edhe pse sqaroi Meta, edhe pse replikoi disa herë Paloka, kush e dëgjonte për herë të parë këtë debat, do ta kishte të pamundur të kuptonte se pse nuk ngrihej kjo Byro.

Në të majtë ka nisur garë për të shpallur garë se kush gjen refuzimin më të fortë për garën e munguar për postin e kryetarit të PS-së. Që në fakt, nëse do të ekzistonte, nuk do të ishte garë për selinë e PS-së, por do të ishte mtim direkt i postit të kryeministrit që po i kërkohet të rimandatohet në mes të mandatit. Dhe kjo është e vetmja e vërtetë praktike që nuk thuhet as nga vartësit e Edit që shajnë Benin dhe as nga ata që duan të shajnë Ramën duke mos dashur as Blushin. Në Tiranën politikë është ende shumë i fortë nguti për t’u bashkuar në emër të mohimit dhe jo të pohimit, tharmi për të bërë aleanca për hir të urrjetjes dhe jo të dashurisë. Si në votimet e përgjithshme, njëherë në katër vjet.

Telenovela e famshme që jep TV Klan dhe që ka krijuar një klan të tërë ndjekësish dhe mbështetësish, pati një vijim të papritur: një nga personazhet kryesorë të saj humbi jetën. Dhe kaq mjaftoi që një vaj pothuaj mbarëkombëtar të përhapej në botën shqiptare të internetit. Njëlloj, në mos ca më shumë si në natën e zisë kombëtare kësaj ane të Adriatikut, kur në anën tjetër të Adriatikut, mafia ekzekutoi komisar Katanin tek Oktapodi. Kush ka lindur në vitet 80-të e kupton fare mirë atë dhembje. Njëlloj siç kujton kuriozitetin fatal sesi do të shkonte e përpjeta e jetës për Izaurën, skllaven e famshme braziliane të telenovelës me të njëjtin emër, e cila asetin më të famshëm të femrave braziliane (sipas lundërtarëve të internetit) e fshihte nën fustane të gjerë. Madje në atë kohë, disa FIAT-e të vegjël italianë që erdhën për policinë komuniste, diku i quanin me përçmim “morri” e diku tjetër me dashuri “Izaura”. Sepse Izaura ishte padyshim morri i paepur i mediokritetit të djeshëm.

Kjo javë pati megjithatë një kulm diku gjetkë. Xhesika e bukur vendosi të ishte thjesht dhe vetëm e sinqertë. Vajza e hijshme e ekranit, e sfilatës e fotografisë dhe mbartëse e një morie talentesh të tjera, hodhi një bombë rozë në treg. Kaq mjaftoi që shpërthimi i saj të ishte më tronditës se breshëritë e Elbasanit, më i fortë se klithma e të plagosurve në Pogradec, më frymëmbajtëse se gara për trë gjetur nëse do të ketë garë mes Ramës-Blushit dhe Deputetit me Kapele e kështu me rradhë. Për fat të mirë, në këtë hapësirë, si në gjithë hapësirën ku dikur shtrihej Perandoria Otomane dhe shumë më shumë se kaq, në dy anët e Atlantikut dhe kudo tjetër gjetkë, një bukuroshe si Xhesika është shumë herë më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Ajo është shumica e padiskutuar që synon dhe ëndërron vetëm një gjë: të jetë në këmbët e Xhesikës si nën Harkun e Triumfit, të merituar me shpirt, para, pushtet e luftë.

Pjesa tjetër e debatit, ajo që e ka bërë gjithë këtë histori edhe më grishëse, në fakt është pjesa me e parëndësishme e saj. Pyetja se cili është njeriu i robëruar nga hiret e Xhesikës, ndoshta nuk duhet bërë fare. “Të mençurit debatojnë për idetë, budallenjtë merren me emra”, parapëlqente të citonte Rama dikur.

Megjithatë, për hir të thelbit të debatit, ndoshta  dikush duhet t’i dalë për zot ofertës për Xhesikën e Hijshme. Për ofertuesin turp është të fshihet! E turpshme është vetëm lloji i ofertës dhe mënyra e bërë, por ky është diskutim tjetër. E rëndësishme është që shoqëria shqiptare është ende me nerv që i pulson dhe që dridhet nga Xhesika e Bukur. Dhe ky nuk është domosdoshmërisht lajm i keq, siç do të thoshin puritanët e moralit, ata që në moralitet i çon vetëm një krizë e mundshme e tregut për viagra. (Java)

SHKARKO APP