Ylli Manjani: Dy qëllimet e betejës me portalet

Nga Ylli Manjani – Në këndvështrimin tim, beteja me portalet dhe me rrjetet sociale ka dy qëllime:

Së pari të rikthejë tregun e reklamave vetëm tek televizionet. Është fakt që sasia e reklamave në treg është njësoj ose më e rrudhur se ç’ka qenë edhe para portaleve dhe masivizimit të rrjeteve sociale. Por këto të fundit mesaduket kanë arritur të shkepin një llokëm të mirë nga reklamat që ishin mësuar ti merrnin vetëm televizionet.

Së dyti ti japë një pozitë dominante, sunduese fare, qeverisë që të përhapë propagandën për të fshehur realitetin. Natyrisht ndonjë goditje apo arrestim i bujshëm për përhapje paniku apo Fake News, bëhet e do bëhet për të krijuar klimën e sundimit, më shumë sesa për të ndëshkuar të arrestuarit e lirisë së shprehjes. Qëllimi është që të ngulin mirë në mendje njerëzve që të “mos krruhen me qeverinë”… Fiks llogjika e sunduesve komunistë me agjitacionin e propagandën.

Të dyja këto qëllime bien ndesh me interesin e shoqërisë demokratike për sundimin e lirisë së shprehjes, sipas nenit 10 të Konventës Europiane dhe Kushtetutës së Republikës.

Ndaj, nuk mendoj se shoqërisë do tja garantojë lirinë e shprehjes protesta e medias. Media jonë në tërësinë e saj nuk është pushtet i pavarur që të jetë në anën e shoqërisë. Përkundrazi ajo është në anën e qeverisë.

Qëllimi i saj është reklama, jo fjala e lirë.

Nuk dua të përfshi gazetarët në këtë arsyetim, për aq sa ata janë në anën e lirisë së shprehjes.

SHKARKO APP