Ylli Manjani: Makinat e listave elektorale

Nga Ylli Manjani
Hartimi i listave reflekton taktikat e ndryshme elektorale. Secila parti ka përdorur teknikën e saj në funksion të taktikës së zgjedhur.
1. PD ngjan si makinë me rrota aktive para. Motori dhe rrotat aktive janë të lidhura drejtpërdrejt me sistemin e drejtimit. Motori në këtë rast tërheq. Udhëheqësit e listave janë në krye për të dëshmuar marrje përgjegjësie. Votuesi ka disi luks sepse i duhet të zgjedhë drejtuesin që tërheq makinën, pa u shqetësuar shumë për pjesën e pasme të makinës. Pra nuk ka presionin nëse do bëhen udhëheqësit deputetë, apo jo. Lista në këtë rast është me këtë mesazh: ne që drejtojmë marrim përgjegjësinë.
2. PS ngjan si kamion me rrota aktive pas. Pra drejtimi nuk është në krye. Nuk tërheq, siç thotë Rama, por shtyn. Shtyn kamionin duke presuar votuesin. Votuesi në këtë rast është nën presion sepse drejtuesi është i rrezikuar. Kështu mund të fiket motori dhe ngec kamioni. Motori ndërkohë është me kilometra të mbaruara, por faji për fikjen mund ti mbetet votuesit, jo shoferit… Super presion. Kjo listë që ngjan më shumë si bast sesa si llogari. Basti është po fitova i marr para po humba fajin e ka populli, por bëra reformë të madhe pastrimi. Pandi, Gramozi, Fatmiri apo edhe vetë Rama mund të hyjnë në parlament me skemën e djegies së mandateve, të aplikuar në Lezhë mandatin e shkuar ose nga PD e LSI këtë mandat…
3. LSI ngjan si foristradë me 4 rrotat aktive, ku të gjitha rrotat punojnë me motor në vete. Harxhon shumë karburant, sepse rruga ku ecën është shumë e keqe. Motorët e rrotave i lidh vetëm një telekomandë bateria e të cilës nuk është dhe aq e fortë… Mesazhi që jep është: secili për vete, por partia përfiton.
4. Partitë e tjera janë si makina në offiçinë, me rrota në ajër që bëjnë prova si lidhet motorri me rrotat… Këto janë vërtetë KÇK elektorale. Më në fund e përsëris: Përmbajtja e listave nuk përcakton thuasje fare idenë nëse do ruhet tradita në favor të rotacionit apo jo. Ndaj nuk ka as jë vlerë debati mbi emra të përveçëm. Janë drejtuesit politikë të partive që garojnë, pavarësisht renditjes taktike nëpër lista, jo emrat e tjerë.

SHKARKO APP