Zgjedhje lokale, premtime kombëtare?!

 

Nga Skënder Minxhozi

Do ulim çmimin e energjisë me 25%, do falim kamat-vonesat, do rifusim në listat e asistencës sociale ata që u hoqën prej aty, do rrisim pagat dhe pensionet. Të gjithë këto janë premtime që po dëgjohen përditë në fushatën elektorale, nga goja e kreut të opozitës Lulzim Basha. Të krijohet përshtypje se po asistojmë në një fushatë elektorale kombëtare, e jo në zgjedhje lokale. Kreu i opozitës ka zgjidhur thesin e premtimeve në një mënyrë që jo vetëm është jokorrekte, por edhe totalisht e larguar nga formati dhe pesha e votimeve administrative të 21 qershorit.

Basha premton a thua se po rinovohet Parlamenti dhe ekzekutivi, e jo struktura e pushtetit vendor. Të gjitha premtimet e mësipërme janë atribut i qeverisjes qëndrore. Pushtetet vendore nuk kanë asnjë tagër, për të ndryshuar çmimin e energjisë apo për të rritur pagat e pensionet. Kjo taktikë synon ta kthejë garën aktuale për 21 qeeshorin, në një test politik për maxhorancën, duke e spostuar pikën e gravitetit të këtyre zgjedhjeve, nga propozimet konkrete për qytetet dhe fshatrat e vendit, në problmet me rezonancë kombëtare. Lulzim Basha nuk ka një bilanc të tijin në Tiranë. Ai i ka ikur me kohë garës që po zhvillohet në kryeqytet, duke e lënë vetëm kandidatin e tij Kosova.

Kryetari i PD po mundohet ta kompensojë këtë tërheqje taktike, me sulmet ndaj qeverisë Rama dhe me një listë premtimesh që nuk prekin thelbin e problematikave që ka sot pushteti vendor në Shqipëri. Mbetet të shihet se cili do të jetë produkti i kësaj strategjie elektorale, por një gjë është e sigurtë qysh tani: se pas 21 qershorit, edhe në opozita do të fitonte gjithkund, as energjia nuk do të kushtojë më lirë, as rrogat e pensionet nuk do të jenë më të larta se sot.

javanews.al

SHKARKO APP