Zgjedhje pa humbës apo fitues absolutë
Nga Alfred Lela/
Të lexosh postumin e zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, dy ditë më pas, kupton se Shqipëria vazhdon të jetë një vend parademokratik. Në njërën anë të spektrit politik lexon një ngazëllim e hapje bythësh të shkallës olimpike, dhe në tjetrën, një dëshpërim e hakërrim haluçinant.
Çfarë ka ndodhur? Asgjë më shumë se një palë zgjedhje, një kalendar i zakonshëm një herë në dy vjet, i jetës politike të një vendi në demokraci. Dhe, në këtë sistem të qeverisuri fiton herë një palë e herë tjetra. Ndodh që një palë të fitojë edhe katër herë. Pa sjellë fundin e botës. Ka ndodhur kjo edhe në demokraci të vjetra si Britania e Madhe. Majtas e djathtas. Nën shenjën e Konservatorëve të Thatcher-it apo Laburistëve të Blair-it.
Kështu që çdo përpjekje për ta lexuar rezultatin e zgjedhjeve të këtij fundqershori me regjistrin militar të tipit mors tua vita mea është një mjerim i mendjes dhe i shpirtit.
Nuk e kanë bërë këtë disa kandidatë: Halim Kosova e ka uruar Erion Veliajn dhe ky i fundit ka thënë fjalë të mira për rivalin e tij. Genc Deromemaj, i mundur thellë në Vlorë, dhe që ka garuar vetëm e i braktisur nga Partia Demokratike lokale, gjithashtu i ka uruar sukses rivalit të tij të majtë Leli, duke thënë se pavarësisht kush e udhëheq i intereson progresi i Vlorës.
Edhe Hasan Halilaj i LSI, ai për të cilin Ben Blushi shpiku një neologjizëm dhe nekrologji njëkohësisht hasanizimin i ka uruar fitoren Bashkim Shehut të opozitës.
Në detin e përgjithshëm të ngazëllim-hakërrimit këta janë veç ca ishuj të vegjël optimizmi qytetar.
Zgjedhjet e fundit, vetëm dy ditë të vjetra, nuk kanë prodhuar as humbës absolutë dhe as fitues absolutë. Palët do të bëjnë leximet e tyre dhe do të hedhin dritë mbi suksesin duke fshehur dështimet, por një përshtypje e përgjithshme mund të përqendrohej në tri plane.
Së pari, shqiptarët ende i besojnë dhe e mbështesin Edi Ramën dhe reformat e tij, të cilat u ofrojnë një model anti-anarkik. Shumica e atyre që i paguajnë dritat duan që edhe pakica mashtruese ose shmangëse ta shlyejë faturën e vet. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që nuk ndërtojnë pa leje kërkojnë që edhe pakica që vë një piketë e hedh themele ku t’i shkrepet të mos e bëjë më këtë. Edi Rama ka kapur te shqiptarët nevojën për t’u ikur viteve ‘90 dhe sindromave të asaj dekade. Opozita bën mirë që të mos shkojë në kah të kundërt të kësaj. Te Edi Rama shqiptarët kanë dalluar edhe shenja autoritarizmi. I kanë pëlqyer. Për arsye që lidhen edhe me të shkuarën e një populli që bëri pak rezistencë ndaj një diktatori.
Së dyti, opozita e udhëhequr nga Lulzim Basha dha shenja ripërtëritjeje. Penetrimi i saj edhe në jug, në zona ku as që mendohej një ngjyrosje me blu e hartës, shpjegon një pjesë të kësaj. Demokratët kanë rikuperuar një pjesë të votave të veta që i humbën në mënyrë dramatike në vitin 2013, dhe tashmë u duhet të luftojnë për ato 200 mijë vota, që rezulton të jetë rënia e mazhorancës në këto zgjedhje. Beteja e re e Bashës dhe ekipit të tij është tërheqja e atyre që abstenuan në këto zgjedhje dhe e të pavendosurve. Nëse bën për vete edhe këtë grup, në vitin 2017 opozita bëhet një alternativë e fortë për zgjedhjet e përgjithshme.
Së treti, modeli i LSI si parti e llojit ‘përherë në pushtet’ ka prodhuar bumerangun e parë, dhe ky është sinjali pozitiv historik i këtyre zgjedhjeve. LSI dështoi pikërisht aty ku u shfaq me makinerinë e madhe të forcës së pushtetit dhe parasë: në Shkodër, Lezhë, Vorë dhe Kukës. Por, gara e fortë që kandidati i opozitës i dha LSI në Berat, në Zonën e Parë Operative të saj, flet më shumë se gjithçka. LSI do mundohet ta përthyejë historinë e vet të këtyre zgjedhjeve përmes votave për këshillat bashkiakë, por ato janë më së shumti fletë qokash dhe jo ballafaqime nominale apo politike. Elektorati shqiptar i ndezi dritën e verdhë Ilir Metës, duke i propozuar edhe pak frymë e ideologji në vend të gjithë-çka-jamështë pragmatizëm dhe llogari.
Mapo
KOHA JONË SONDAZH

