Zgjedhje sot? 150 mijë pjesëmarrës më pak se vjet
Nga Eduard Zaloshnja
Nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, numri i votuesve me banim në Shqipëri, që janë gati të votojnë për partitë aktuale, do të ishte 150 mijë më pak, se sa numri i atyre që morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme.
Kështu më rezultoi nga sondazhi elektronik i këtij muaji, në serinë e sondazheve që kam zhvilluar muajt e fundit, për një revistë që botohet këtu në anglisht. Konkretisht, të anketuarit iu përgjigjën (përmes klikimit), këtyre dy pyetjeve:
Për kë do të votonit, nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet sot?
1- PS/PSD;
2- PD/PR/PAA/LZHK/PBDNJ/PDK;
3- LSI;
4- PDIU/LIBRA/FRD/SFIDA/PDS/etj.;
5- S’e di/S’votoj
Për kë votuat në qershor 2017?
1- PS/PSD;
2- PD/PR/PAA/LZHK/PBDNJ/PDK;
3- LSI;
4- PDIU/LIBRA/FRD/SFIDA/PDS/etj.;
5- S’votova
Sondazhi u krye me 2150 të anketuar në rang kombëtar, për ta përfaqësuar elektoratin shqiptar sa më mirë, demografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit për këtë sondazh, ishte plus/minus 2.2%.
Rënia e pjesëmarrjes nuk duket të ketë favorizuar ndonjë parti, sepse ndër zgjedhësit që janë gati të votojnë sot, PS+PSD do të merrnin 51% të votave, PD+PR+etj., do të merrnin 34% të votave, LSI 12% të votave dhe PDIU+etj., do të merrnin 3% të votave (shihni grafikun 1).
Nga analiza e përgjigjeve të të anketuarve, rezulton se rritja e numrit të mospjesëmarrësve, ka ardhur kryesisht nga tkurrja e partive të vogla (LSI, PDIU, LIBRA, FRD, SFIDA, PDS etj.). Për çdo 100 të anketuar që kishin votuar vjet për këto parti, sot janë gati të votojnë për to vetëm 63. Dhe kjo shpjegohet me faktin se, parti si LIBRA, Sfida, FRD e PDS etj., pothuaj janë shkrirë, ndërkohë që LSI-ja dhe PDIU-ja kanë dalë tashmë nga “tepsia” e pushtetit.
Për ta përmbledhur, mbi 3/4 e 150 mijë mospjesëmarrësve që i janë shtuar elektoratit gri, votuan vjet për partitë e vogla, por nuk janë gati të votojnë sot për asnjërën nga partitë aktuale. Dhe ky është një problem serioz për PD-në …
Që PD-ja të shpresojë për të ardhur në pushtet, duhet që të grumbullojë rreth vetes të gjithë të pakënaqurit me qeverisjen. Ndërsa në fakt, të pakënaqurit nuk i afrohen asaj, por i bashkohen elektoratit gri. Ky lloj elektorati ka njohur vetëm rritje, qysh nga dita kur PS-ja rierdhi në pushtet. Dhe nga kjo gjë nuk e ka pësuar PS-ja, por opozita.
Kështu, në zgjedhjet e 2013-ës, numri i mospjesëmarrësve me banim në Shqipëri, ishte rreth 400 mijë. Në zgjedhjet e 2017-ës, numri i mospjesëmarrësve arriti në 550 mijë; pra u rrit me 150 mijë. Ndërkohë, PD-ja dhe partitë e vogla rreth saj, pësuan një tkurrje prej 200 mijë votash. Partitë që patën rritje të ndjeshme (në krahasim me 2013), ishin LSI (me 45 mijë vota) dhe PDIU (me 30 mijë vota).
Aktualisht, janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje rreth 300 mijë më pak votues, se sa votuan në zgjedhjet rekord të 2013-ës (shihni grafikun 2). Ndërkohë, PS-ja (së bashku me aleaten e vogël PSD), do të grumbullonte sot 51% të votave të pjesëmarrësve në zgjedhje, ndërsa PD-ja vetëm 34%.
Përvoja e vendeve demokratike tregon se, kur rritet pakënaqësia ndaj qeverisjes, rritet numri i atyre që duan të votojnë për opozitën. Tek ne, thjesht rritet elektorati gri…
“Albanian Free Press”