Zgjedhjet amerikane dhe Shqipëria

Nga Afrim Krasniqi/USA po voton. Asnjë zgjedhje tjetër nuk ka rëndësinë, peshën dhe vëmendjen e botës sa zgjedhjet amerikane të 8 nëntorit. Studiuesit e politikës flasin për zgjedhjet më të veçanta në historinë moderne amerikane. Janë dy emra në garë, Klinton dhe Trump, e para e paralajmëruar prej më se 3-4 vitesh, i dyti surprizë e primareve republikane; e para me përvojë të gjatë politike dhe ish sekretare shteti, i dyti pa përvojë politike por një VIP i përhershëm i spektaklit, biznesit dhe marrëdhënieve publike. Zakonisht mbi zgjedhjet debatohet për emrat e kandidatëve, për platformat e tyre, për ndikimin në raportet mes shteteve dhe për detaje të fushatës së tyre.

Natyrisht që në një lexim procedural dhe në përmbajtje, zgjedhjet e 8 nëntorit janë mbi të gjitha zgjedhje amerikane për amerikanët, kandidatët kanë vlerë për mjedisin amerikan dhe produkti i tyre lidhet me lidershipin kombëtar e ndërkombëtarë të Amerikës. Ata dhe vetëm ata kanë të drejtë të hyjnë në detaje të platformave ekonomike e politike të kandidatëve, të diskutojnë për cilësi të karrierës dhe karakterit, për stafet elektorale dhe mbajtjen e premtimeve, për identitetin politik dhe sjelljen politike në primare, në fushatë dhe në administrimin e procesit. Ne të tjerët, përballë ekraneve të TV dhe burimeve të interesit mbetemi ndjekës të zellshëm, monitorues të rregullt dhe në ndonjë rast edhe tifoz të emrave apo stilit elektoral, por pa ndikim direkt dhe as indirekt në verdiktin amerikan. Gjithsesi duke qenë zgjedhje në vendin më të rëndësishëm demokratik të botës dhe aktualisht, superfuqinë e vetme politike, ekonomike, ushtarake e demokratike, si dhe duke qenë zgjedhje me profile të forta konkurruese, – interesi për to është po aq i madh jashtë SHBA sa edhe brenda tyre.

Shqipëria, gjithashtu, ka interes dhe prêt me interes ecurinë e tyre. Interesi ynë është shumëfish: interes shtetëror në raport me SHBA, interes politik në raport me trendin e demokracisë amerikane, interes qytetar në raport me ndikimin e tyre në gjeopolitikë dhe në vitet e ardhshme. I pari është e mbetet i njëjtë: për shqiptarët çdo zgjedhje për në Shtëpinë e Bardhë ka të njëjtin ndikim në raportin miqësor dhe strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA. Linjat e politikës së jashtme, prioritetet kundër terrorizmit, mbështetja ndaj Kosovës, partneriteti aktiv në NATO, asistenca aktive për shtetin e së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri si dhe elementë të tjerë thelbësore të pikëtakimit institucional SHBA-Shqipëri nuk ndryshojnë as me Klinton dhe as me Trump President. Më shumë se kaq, zgjedhjet amerikane nuk ka arsye të priten me frikë apo emocione në Tiranë, Prishtinë, Ulqin apo Tetovë. Shqipëria dhe Amerika janë në këto raporte miqësore prej themelesh të forta e të qëndrueshme, dhe me siguri secili kandidat amerikan për President do ta çmojë e promovojë këtë raport. Sistemi qeverisës amerikan në raport me shtete si Shqipëria është i formësuar në parime, zgjedhje, prioritete, strategji dhe vizione që tejkalojnë në çdo rast emocionet elektorale dhe që nuk ndryshojnë pavarësisht rotacioneve apo vazhdimësisë politike në Shtëpinë e Bardhë.

Interesi politik mbetet indirekt ndikues, por jo përcaktues në raportet amerikano-shqiptare. Për shqiptarët përbën interes dhe lajm të mirë nëse zgjedhjet amerikane bëhen, ashtu siç pritet të bëhen, me standarde të larta demokratike, që imazhi dhe prestigji amerikan në botën e sotme të rritet akoma më shumë, që demokracia amerikane të japë një leksion tjetër të qytetarisë dhe vlerës së votës së lirë e konkurruese për pjesën e botës ku kjo është e kufizuar ose e ndaluar dhe që SHBA të dalë nga ky proces më e fortë, më demokratike dhe më Perëndimore në vlerat dhe potencialet e saj. Vende si Shqipëria kanë nevojë për modele referuese, kanë nevojë për standarde të larta referimi, kanë nevojë të mësojnë nga praktikat e suksesshme të aleatëve dhe kanë nevojë të shohin sesi Amerika mbetet edhe më tej model frymëzimi dhe inspirimi për vlerat, idealet dhe vizionin e jashtëzakonshëm që ajo përfaqëson.

Interesi i tretë është qytetar dhe lidhet me një kompleks lokal frike ndaj çdo zhvillimi të pazakontë në qendrat e politikave vendimmarrëse, sidomos në Uashington. Në Tiranë kemi dëgjuar skenarë e deklarime nga më të ndryshmet, deri në paralajmërimi absurd se nëse fiton njëri kandidat, marrëdhëniet mes dy vendeve do shfaqin probleme apo tek miti ynë lokal se nga fituesi i zgjedhjeve amerikane do varet edhe fituesi veror i atyre pazareve klienteliste që ne akoma i quajmë zgjedhje parlamentare. As njëra dhe as tjetra nuk janë të sakta. Me Klinton dhe Trump për shqiptarët nuk ka lajm të keq, por mund të ketë lajm më të mirë sesa lajmi i mirë. Nuk ka dilemë se Klinton është shumë më e lidhur, më ë njohur, më e përfshirë dhe më afër problematikës shqiptare e rajonale, dhe nuk ka dilemë se zgjedhje e saj, i shkon më shumë interesit tonë. Por në çdo rast, nuk ka dilemë se edhe zgjedhje e Trump nuk do të cenojë këto raporte dypalëshe dhe nuk ka arsye të jetë lajm negativ për shqiptarët.

Parë në këtë prizëm, nga zgjedhjet amerikane është koha të mësojmë se çdo vend serioz do të duhej të kishte sjellje e agjendë serioze, diçka që Shqipërisë i mungon. Ne duhet të përfitonim nga zgjedhjet amerikane për të mësuar sesi funksionon demokracia, sesi vota e lirë krijon surpriza dhe garë të fortë politike, sesi potencialet e demokracisë përdoren për ta forcuar dhe jo penguar atë, sesi jetojmë në një kohë ku transparenca është zgjidhje më e mirë dhe më e besueshme sesa refuzimi i saj, sesi garancia e institucioneve është më funksionale sesa garancitë e individit me pushtet dhe sesi një fushatë intensive 1 vjeçare nuk ndikon në agjendën shtetërore, politike dhe gjeopolitike të shtetit, në administratën dhe as në prioritetet afatgjata të saj.

Pra, në SHBA po ndodh shumëçka që ne e përjetojmë si një film hollywood-i dhe që këtu e kemi të pamundur ta jetojmë, me demokracinë tonë të emëruar dhe të brishtë, me sistemin tonë gjysmak përfaqësues, me institucionet e munguara dhe varësinë e shumëfishtë nga vullneti i liderit të radhës, me refuzim permanent të transparencës dhe pamundësi të demokracisë funksionale në votë, në frymë, në vlera dhe në projekte afatgjata. Është e drejtë e çdo individi këtu në nahijen tonë të komentojë kandidatët presidencialë amerikanë dhe të ketë një mendim personal, siç e bëjmë rëndom përfshirë edhe këto ditë, – por mbi të gjitha është përgjegjësia jonë të komentojmë standardet e të tjerëve pasi t’i kemi gjërat tona të zgjedhura, pasi të kemi diçka vetë për të ofruar në standarde, – diçka që nuk e kemi pasur, nuk e kemi dhe pritet të mos e kemi as në dekadën e ardhshme. Pikërisht këtu do të duhej të niste mesazhi në Tiranë mbi zgjedhjet amerikane dhe raportin tonë me votën, përfaqësimin, vlerat, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Diçka që nuk ka ndodhur dhe nuk po shihet të ndodhë.

Deri atëherë, le të presim të shohim fituesin e radhës në një vendin e madh të demokracisë, ku përmes garës fitojnë të gjithë, – le ta bëjmë këtë pa emocione militantesh të palexuar, pa mite ballkanike, pa teori konspirative, pa pritshmëri maksimale, pa zhgënjim provincial dhe me bindjen e garantuar se edhe pas 8 nëntorit apo 20 janarit 2017, SHBA është dhe mbetet, fuqia më e fortë demokratike në botë, shteti më mbështetës dhe më pranë shqiptarëve, edhe kur ne periodikisht gabojmë dhe shpërdorojmë besimin e miqve!

SHKARKO APP