Zgjedhjet i fiton ai që dëgjon (më mirë)

LUÇIANO BOÇI

Është krijuar përshtypja se zgjedhjet janë një garë deklaratash programore mes palësh konkurrente. Në thelb, ato janë një debat programor dhe ideologjik palësh përfaqësuese (jopërjashtuese), që lejojnë zgjedhësin të përftojë interesin e tij më të mirë, ndërsa identifikohet me një program.

Aksioma bazë e komunikimit është se njerëzit në tërësi kuptojnë atë që presin t’u thuhet. Pra, ata e dinë atë që duan të dëgjojnë – dhe nëse koj gjë ju thuhet qartë – e kuptojnë dhe e mveshin si zgjedhje personale.

Kjo aksiomë bën të çmuar procesin e dëgjimit: grupet politike shkëlqejnë sipas aftësisë së tyre për të dëgjuar, jo për të folur. Duke dëgjuar ato kuptojnë çfarë pret publiku që t’i thuhet. Duke dëgjuar, ato identifikohen me publikun dhe bëhen zëdhënës të kredos së brendshme publike. E njëkohësisht fitues.

Kjo do të thotë se zgjedhjet i fiton ai që dëgjon.

Qeveria ka pasur 8 vite për t’i dëgjuar njerëzit. Ajo ka zgjedhur t’i shpërfillë. Kryeministri vetëm ka folur: sikur edhe frigoriferin të hapje, po fytyra e Kryeministrit do të të shfaqej. Personalizimi i qeverisjes prej tij ka pasur një seri synimesh dhe po ashtu pasojash.

Tendenca e tij për të ndërtuar një kult individi njohu majën me sfidën ndaj lirisë së medias dhe me futjen e ERTV-së në skenë: një tumor mediatik në trupin e medias së lirë. Po ashtu, ai vendosi filtra personalë që ndajnë kush meriton të dëgjohet nga kalorësit e heshtur të tryezës së tij. Diktatura organizacionale e Rilindjes lëshoi metastaza në të gjithë trupin e shoqërisë dhe përfshiu edhe segmente të paimagjinueshme për një vend të lirë e demokratik.

Deliri zëvendësoi logjikën. Poshtërimi u bë metodë. Dhuna verbale (dhe joverbale) u bë praktikë. Histori me ministra të rrahur në zyrë, me kryetarë bashkie që qajnë prej shuplakave, me ministre që fyhen në publik, të gjitha kanë një bazë të dyfishtë. Si histori reale ato shpjegojnë Ramën. Si thashethem, ato konsolidojnë frikën prej tij.

Rrëzimi i Ramës duhet të shënojë jo vetëm rënien e tij, por edhe të modelit të tij.

Opozita e ka dëgjuar FJALËN e publikut për ndryshim dhe ka trupëzuar etjen e tij për rrëzimin e diktaturës së delirit. Fundi i njeriut të shurdhër të ngritur në kult politik ka marrë fund në këtë vend. Është momenti të dëgjojmë mirë jo vetëm ata që bërtasin me zë të lartë për ndryshimin. Por edhe ata që me mençuri dhe me drojën e inteligjencës shpallin të vërteta jetësore që I duhen ndryshimit.

Fitorja kësaj here është me ata që dëgjojnë. Për të folur, PUBLIKU po e thotë me zë të plotë vullnetin e tij dhe do ta shpallë këtë me votë.

SHKARKO APP