Zgjidhja e krizës dhe e ardhmja e demokracisë kërkon bashkëpunim gjithëpërfshirës
Nga Kristaq Kume
Zhvillimet aktuale politike është e vështirë të lexohen si rrugë dhe mundësi për zgjidhjen e krizës me të cilën është duke u përballur vendi dhe shoqëria e jonë. Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore ishin një mundësi që nuk u arrit të përdorej nga klasa politike e vendit. Mazhoranca dhe opozita nuk arritën të gjenin rrugët për të përafruar qëndrimet. Përkundrazi, sa më shumë që afrohej dita e zgjedhjeve, aq më e fortë dhe më e ashpër behej fjala politike, aq më shumë mazhoranca dhe opozita largoheshin nga njëra tjetra. Përherë e më shumë zvogëloheshin mundësitë për gjetjen e fjalës së përbashkët. Të vendosura për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre dhe, shpesh edhe vetëm në kërkim të argumenteve për thellimin e ndarjes dhe mosdakortësisë, partitë politike e çuan vendin në një situatë, që dukshëm është e larguar nga parimet dhe rregullat e një shoqëri demokratike. Opozita praktikisht është jashtë sistemit.
Deputetët e listave të PD dhe LSI, megjithëse ligjërisht janë të legjitimuar si ulës në sallën e Kuvendit, në fakt nga një masë e konsiderueshme e zgjedhësve dhe nga partitë politike të opozitës, nuk pranohen si përfaqësues legjitim të tyre. Në fjalën politike tashmë ka bërë vend koncepti opozitë “jashtë parlamentare”. Zgjedhjet e 30 qershorit treguan se, pavarësisht nga përpjekjet që u bënë për ta injoruar këtë fakt, një opozitë e tillë ekziston. Pjesëmarrja ditën e votimit e tregoi vërtetësinë e këtij koncepti.
Zgjedhje e 30 qershorit patën si rezultat të tyre krijimin e një konfiguracioni të ri politik ne vendin tonë. Partitë e opozitës tashmë nuk janë vetëm parti jashtë parlamentit, por ato janë jashtë të gjithë sistemit qeverisës të vendit. Kjo situate konsiderohet normale vetëm ne vende ku nuk funksionon parimi i pluralizmit politik. Ajo nuk mund të jetë e tillë edhe për vendin tonë. Ne si vend e shoqëri jemi deklaruar, kërkojmë, jemi të vendosur dhe kemi pranuar si objektiv madhor, të jetojmë dhe te zhvillohemi sipas parimeve te shoqërisë demokratike, si pjesë e familjes së vendeve të Europës së Bashkuar.
Situata aktuale, në një pjesë të konsiderueshme të saj, është pasojë e sjelljes së partive politike. Ajo është rezultat i luftës së tyre për pushtet. Për pushtetin partitë politike përherë kanë qenë të gatshme, kush më shumë e kush më pak, të përdorin çdo mjet. Si rregull ato nuk i janë shmangur edhe rrugëve që kanë shkaktuar kosto të lartë për ecurinë demokratike dhe për zhvillimin e ekonomik e social të vendit. Për pushtetin ato po tregojnë se janë të gatshme të sakrifikojnë çdo gjë.
Sakrifikojnë, pa treguar asnjë shenjë pendese, të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Ndërkohë është vendi të theksohet se përgjegjësia për këtë situate mund dhe duhet të shtrihet edhe tek pjesa jo politike e shoqërisë tonë. Në aktivitetin e mediave të ndryshme dhe të organizatave të shoqërisë civile, në mjaft rasteve, dallohen pa vështirësi sjellje dhe qëndrime mbështetëse të veprimin politik te partive edhe në rastet kur ky veprim ka qënë vetëm dhe kryesisht në funksionit të interesit politik të partive.
E trajtuar në këtë mënyrë, situata me të cilën është duke u përballuar vendi dhe shoqëria e jonë, për mendimin tim, duket se i ka shumë të pakta mundësitë dhe shanset për t`u zgjidhur, nëqoftëse për të nuk angazhohen të gjithë, parti politike, shoqëri civile, stafe akademike, specialistë e grupe interesi etj.. Por që të bëhen bashkë të gjithë këta dhe, në mënyrë të veçantë partitë politike të mazhorancës e opozitës, duket sikur është një mision shumë i vështirë, gati i pamundur. Duke analizuar dhe marrë parasysh faktorët dhe arsyet pse sot jemi duke u përballur me një situatë të tillë, për mendimin tim e vetmja rrugë për zgjidhjen e saj dhe për të krijuar kushtet për mospërsëritje, është marrja përsipër e përgjegjësive, angazhimi, pjesëmarrja dhe kontributi në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që e gjeneruan, e mbajnë gjallë dhe e ushqejnë atë. Besoj se një qasje e tillë ndaj mundësisë për zgjidhjen e krizës, që unë e vlerësoj si krizë të demokracisë jofunksionale, pranohet dhe mbështetet edhe nga të tjerë që ndjekin zhvillimin e saj dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të japin kontribute për ta zgjidhur.
Të tjerë që mund të jenë skeptik dhe që mendojnë se një trajtim i tillë i situatës, në rastin më të mirë është i tepruar, përpara se të mbyllnin diskutimin për nevojën për veprim e bashkëpunim për zgjidhjen e krizës së demokracisë, i ftojë të gjykojnë dhe të shprehen:
– Në se sovraniteti i popullit realizohet vetëm kur demokracia përfaqësuese dhe demokracia e drejtpërdrejtë janë funksional apo mund të ndodh edhe ndryshe.
– Në se për të realizuar sovranitetin e popullit është i domosdoshëm apo jo angazhimi bashkëveprues i partive politike, institucioneve ligjbërëse, të qeverisjes qendore e lokale dhe shoqërisë civile, për të zbatuar parimet kushtetuese dhe legjislacion e miratuar.
– Në se proçeset zgjedhore të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike janë proçese mbi të cilët dhe vetëm nëpërmjet të cilëve arrihet të ndërtohet dhe të zhvillohen bazat e qeverisjes demokratike në shoqërinë tonë.
– Në se legjislacioni aktual së bashku me sjelljen dhe vullnetin, jo gjithmonë të mjaftueshëm për zbatimin e tij, nga institucionet dhe partitë politike, si dhe pamjaftueshmëria e reagimit qytetar, janë faktorët kryesorë që kanë si pasojë përballjen e shoqërisë tonë me kriza të përsëritura.
– Në se në bazën e krizës aktuale qëndrojnë shmangiet nga mënyrat, rregullat dhe standartet e gjithëpranuara në ushtrimin e demokracisë.
–Në se mungesa e angazhimit dhe bashkëpunimit për zgjidhjen e krizës aktuale mund të shkaktojë efekte të mëdha politike, sociale dhe ekonomike, me pasoja negative në jetën e popullit dhe në zhvillimin e vendit.
– Në se kusht i nevojshëm për realizimin e demokracisë funksionale është hartimi dhe zbatimi i një legjislacioni në të cilin duhet të jenë të pasqyruara:
(a) Parimet dhe standardet e gjithëpranuara që garantojnë liritë dhe te drejta themelore të njeriut
(b) Niveli i kulturës demokratike dhe kushtet konkrete në të cilat zhvillohet shoqëria e jonë,
(c) Përvojat tona në përpjekjet për ndërtimin e shtetit të të drejtës dhe shtetin ligjor,
(d) Pritshmëritë dhe objektivat afatë mesme dhe afatëgjata që synojmë të arrijmë.
Në se kur qëndrimet dhe veprimet kushtëzohen vetëm nga objektivat politik të e lidhura me luften për pushtet të partive politike, efektet e tyre mbartin me vehte rrezikun për devijimin nga shinat e demokracisë funksionale. Pasi të kenë reflektuar për problemet e mësipërme, i ftoj të shprehen në se angazhimi dhe bashkëpunimi gjithëpërfshirës, i mbështetur dhe i realizuar sipas parimeve të bashkëjetesës demokratike, është apo jo i domosdoshëm për të trajtuar dhe zgjidhur problemet me të cilat është duke u përballuar vendi dhe shoqëria e jonë. Dhe në se bien dakord, për nevojën e këtij bashkëpunimi, i ftoj të bëhen pjesë e përpjekjeve për realizimin e tij.
Koha për veprim dhe bashkëveprim është tani.
Marrë nga Telegraf