Zgjidhja e Ramës, dialog me derdimenët për zgjedhjet që do fitojë PS

Nga Enton Abilekaj –

Plani i kryetarit të maxhorancës është i qartë; të ulet me derdimenët, t’i fusë në zgjedhje ku dihet rezultati dhe të vazhdojë të qeverisë i qetë me pushtetin absolut që, jo vetëm do t’i  shtohej, por edhe do t’i legjitimohej nëse rrugëhumburit do të ndiqnin këtë plan. Edi Rama e shpalosi projektin e tij për zgjedhje pa opozitën përpara 61 kandidatëve për Bashkitë. Pasi u tha derdimenë, të çmendur, humbës, të papërgjegjshëm, pasi fyeu Bashën, Kryemadhin, Dulen, Ndokën, Shehin dhe sigurisht Berishën, tha që nuk është kundër dialogut. Pasi u tha se rruga e tyre është kundër Shtetit që po krijon Rilindja, pasi tha që nuk do të tërhiqet nga kjo rrugë dhe nuk do t’i lëshojë asgjë opozitës në kërkesat e paraqitura, nuk e përjashtoi mundeshe e dialogut.

Pasi i quajti parti e dhunshme, që nuk dinë as të gjejnë një slogan të ri, por kanë ndryshuar vetëm gjysmën, pasi u kujtoi se nuk i kanë lëshuar asgjë kur ishte në opozitë dhe se ai u ka lëshuar shumë, pasi u betuar përpara të vetëve që nuk do të japë më shumë, pro vetëm më pak se në 2017, tha se ishte o gatshëm për dialog. Në çdo kohë, Edi Rama mund të flasë me ta për fatet e vendit. Nëse do u drejtohet me termat derdimenë, dështakë, analfabetë, artist apo fallxhore në tryezë, apo do të sillet si politikan, këtë nuk e sqaroi. E sigurtë është se nuk do të ulet për të diskutuar të gjitha mundësitë, por do vërë kufirin për larg se në 2017, nuk do të pranojë asgjë të ngjashme me 17 majin, që sipas tij dështoi për fajin e PD-së. Jo vetëm kaq, por zgjedhjet dihet që i fiton Partia Socialiste, madje, sipas Ramës, nuk do t’i fitonte kurrë PD, nëse socialistët nuk do t’i linin të bënin kërdinë me votat. Megjithatë ai e ftoi këtë pakicë që është tkurrur akoma më shumë se në 2017 që të futet në zgjedhje…për të humbur.

Plani i kryetarit të maxhorancës është i qartë; të ulet me derdimenët, t’i fusë në zgjedhje ku dihet rezultati dhe të vazhdojë të qeverisë i qetë me pushtetin absolut që, jo vetëm do t’i shtohej, por edhe do t’i legjitimohej nëse rrugëhumburit do të ndiqnin këtë plan. Nëse nuk vijnë në zgjedhje, nëse votuesit e ndjekin opozitën duke bojkotuar kutitë, për Edi Ramën nuk ka asgjë. Kur nuk ka konkurrencë, bie interesi dhe është normale që njerëzit të mos votojnë. Zgjedhjet për kryetarin e Qeverisë janë si ankand, ku secili vjen me ofertën e tij politike dhe njëri fiton. Po t’u referohesh tenderave dhe ankandeve në 6 vitet e qeverisjes së Edi Ramës, ka fituar gjithmonë oferta me më shumë kosto, tenderat dhe ankandet kanë qenë fiktivë, deri aty sa një firmë, “DH Albania tek Unaza e Re”, ishte e gjitha fiktive dhe fitoi. Me këto që tha përballë 61 kryetarëve të emëruar të Bashkive, Edi Rama ka parasysh pikërisht këtë. Rilindja, njësoj si “DH Albania” do të fitojë tenderin me konkurrentë fiktivë, me të njëjtin falsifikim, me të njëjtën grykësi, me të njëjtën sfidë ndaj përgjegjësisë politike dhe ligjore. Ky është Shteti, sipas Edi Ramës, dhe për këtë arsye nuk e lejon një marrëveshje me opozitën. Do të shembte Shtetin, do të shkelte Kushtetutën.

 

Rruga tjetër, e dialogut, e një mundësie për zgjedhje më pjesëmarrjen e opozitës, e një marrëveshjeje që mund të zgjidhte konfliktin apo mosbesimin, për Edi Ramën është shkatërrim i shtetit që prej 6 vjetësh po ndërton me mund. Të njëjtën logjikë ka ndjekur me siguri kur nuk ka shkarkuar askënd për skandalin e Unazës së Re apo kur ka ndaluar prokurorinë të hetoje dosjen 184, për të cilën tha se është përgjim ndaj Partisë Socialiste, sigurisht edhe për blerjet e 2017 në hetimin 339/1. Rama ka dëshmuar se nuk e bën shtetin duke i nxjerrë përpara ligjit kriminelët dhe hajdutët, por duke i bashkuar rreth vetes, në një aleancë kundër opozitës politike. Roshi, Ndoka, Vangjushi, Rrahmani dhe Damiani, nuk janë ata që duhet të japin llogari përpara Shtetit, por ata që duhet të bëjnë shtetin, bashkë me Edi Ramën, pa kundërshtarët, madje kundër tyre.  “Nuk na përçan askush dhe asgjë”, tha kryetari i qeverisë. Nuk e kishte për kombin, e kishte për socialistët.

Dosja.al

SHKARKO APP