Zhdukja e kushteve të BE dhe vizita e panevojshme e Roth
Nga Enton Abilekaj –
Tani që duan ata, ai nuk do. Ata insistojnë, ai toleron. Në 22 qershor, Edi Rama do ua japë edhe një mundësi drejtuesve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të hapin negociatat me Shqipërinë. Kjo pasi Michael Roth, ministri gjerman për Europën, bëri autokritikë. I shkujdesur, me një bluzë të bardhë të lëshuar poshtë xhaketës jo-ceremoniale, Edi Rama, ia dha shansin, por e kërdisi me sharje përfaqësuesin e shtetit më të madh të BE.
Ndërsa Roth fliste me pasion për integrimin e Shqipërisë dhe me shpresë për një vendim unanim në Këshillin Europian, Edi Rama e akuzonte për vonesa pa arsye deri tani, për diskriminim të qytetarëve të vaksinuar me vaksina lindore, për pengmarrje të Kosovës. Pasi u lodh nga interesimi i Roth, vendosi ta mbyllë konferencën e shtypit, pa e konsideruar dëshirën e mikut. Përpara mbylljes nuk la pa i kujtuar se Gjermania po lufton të arrijë suksesin e Shqipërisë me vaksinat.
Ishte ndryshe përpara zgjedhjeve. Kushtet e Budenstagut që ishin adoptuar nga Bashkimi Europian, rëndonin mbi dështimin 7-vjecar të Edi Ramës. Sfida e 25 prillit për zgjedhje të lira shkëlqente në ftohtësinë ndaj nevojës së Kryeministrit për një fjalë të mirë. Fjalët e mira ishin të gjitha për Lulzim Bashën që organizonte konferenca elektorale me Komisionerë të Komisionit Europian, derisa Edi Rama e quajti ndërhyrje në fushatë dhe protestoi publikisht. Sinjali i ndryshimit të qeverisjes ishte ndezur në Bruksel, aq sa e detyroi Edi Ramën ta zhdukte fjalën “integrim” nga fushata elektorale dhe të gëzonte dhuratat e vëllait të madh nga Turqia.
Nëse deri në fund të marsit kishte dështuar me vaksinat dhe pandeminë, papritur erdhën vaksinat kineze të prodhuara në Turqi, si dhuratë e partnerit të vetëm ndërkombëtar. Spitali rajonal i Fierit, arriti të mbarojë 2 ditë përpara zgjedhjeve për të mbushur gropën e madhe të “shëndetësisë falas”, të dështuar veçanërisht me pandeminë. Lagjja e qeverisë turke në Laç po mbushte me shpejtësi gropën tjetër, atë të rindërtimit që shënonte më pak se 10 për qind në 15 muaj pas tërmetit.
Pa Erdoganin ishte zero, dështoi me pandeminë, dështoi me rindërtimin. Sllogani i fushatës nënkuptohej “votoni Ramën të qeveriseni nga Erdogani”. Edi Rama po ia dilte me Erdoganin dhe jo vetëm. Pak më në Lindje, një tjetër mik, emiri i Dubait, sillte ndihma dhe projekte. Me pak fryrje propagandistike dhe Bashkimi Europian po bëhej i panevojshëm.
Kushtet e BE, ndihmat e kushtëzuara me antikorrupsionin dhe transparencën, integrimi i kushtëzuar me demokracinë dhe Shtetin ligjor, vaksinat me pakicë të kushtëzuara nga nevojat e vendeve më të pasura, u zëvendësuan me aleancat lindore. Ashtu si Vuçiç që prej kohësh gjen tek Rusia, Kina dhe Turqia, partnerët e vërtetë, ata që nuk kërkojnë demokraci, as transparencë, as të drejtat e njeriut, kur hedhin spirancën. Parajsa lindore, përfundon atëherë kur bëhen llogaritë, si Kina po bën me Malin e Zi dhe Europa po thirret në ndihmë.
Pushteti totalitar merr serume të domosdoshme nga qeveritë jodemokratike deri kur oferta mbaron. Atëherë është shumë vonë jo vetëm për autokratin e plakur, por edhe për vendin e tij, që nuk mund të heqë më litarin nga gryka. Deri atëherë ka kohë, tani autokrati ynë po shijon momentin kur bujaria e miqve lindorë, po i bën të plasin nga zilia dhe frika perëndimorët, që me tepsi në dorë kanë dalë të bëjnë sadaka.
Kushtet janë harruar, zgjedhjet u njohën pavarësisht zhgënjimit të BE që me ndryshimet e njëanshme Kushtetuese. Pikërisht përfaqësuesi i vendit që vuri kushtet, erdhi ta deklarojë këtë. Nuk është lajm i keq, asnjë shqiptar nuk mund të ankohet që vendi i tij po ecën drejt Perëndimit, madje edhe drejt lindjes njëkohësisht. As Edi Rama nuk po ankohet, nëse nuk do i kërkohet më shumë demokraci, më shumë liri të medias, nëse nuk i tundin marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit për të anuluar ligjin special që i jep Portin e Durrësit, mikut të tij Alabar, nëse nuk I kërkojnë më që të luftojë pastramin e parave, përmasa e të cilit, u kuptua vetëm pas insistimit të BE në mbledhjet e dhjetorit dhe marsit, nëse nuk i kërkojnë më uljen e numrit të azilkërkuesve dhe ruajtjen e kufijve nga emigrantët që e përdorin Shqipërinë si korridor për BE.
As opozita nuk ka pse të ankohet. Nuk po e dëgjon më askush kur flet për zgjedhjet e tjetërsuara, por i rrahin krahët kur pranon megjithatë të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe, “për të mirën e vendit”, të shkojë në Parlament, të kërkojë hapjen e negociatave, të bashkëpunojë me qeverinë. Do të ankohet vetëm një pakicë që vërtetë besonte se zgjedhja e Perëndimit është zgjedhje e vlerave demokratike, që shikonte te integrimi në BE garancinë për zgjedhje të lira, që shikonte te kushtet e Brukselit dhe Berlinit garancinë për median e lirë, tek insitucionet garancinë për iniciativën e lirë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Një pakicë e papërfaqësuar që po mbetet vetëm.
Dosja.al