Zoti Basha për 200 mijë eurot duhej të thoshte edhe emrin kujt ia ofruan
Kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri këtë të mërkurë në mbrëmje një tjetër denoncim në vijim të akuzave ndaj ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj. Në një konferencë urgjente Basha deklaroi se Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj po tentojnë të blejnë dhe kërcënojë dëshmitarin “X”, Albert Veliu. Qëllimi i blerjes dhe kërcënimit, sipas Bashës, është ndryshimi i dëshmisë kundër vëllait të ministrit.
Sipas kreut të PD, njerëz me rekorde kriminale nga Vlora dhe Fushë-Kruja u kanë ofruar të afërmëve të Veliut 200 mijë euro. “Sot të dërguarit e Fatmir dhe Agron Xhafajt, njerëz të skeduar për vrasje të tipit mafioz nga zona e Vlorës dhe e Fushë Krujës i kanë ofruar një të afërmi të dëshmitarit x, Albert Veliu 200 mijë euro nga paratë e pista që familja mafioze Xhafaj përfiton nga trafiku i drogës dhe veprimtari të tjera kriminale, që ai të përgënjeshtrojë deklarimet e bëra publike”,- tha Lulzim Basha.
Në denoncimin e Lulzim Bashës thuhen akuza të rënda, por nuk jepen fakte konkrete që mund të ndihmojnë hetimin. Kush ja ka ofruar konkretisht paratë? Kujt i janë ofruar paratë? Përse denoncimi nuk është bërë në prokurori? Përse Basha nuk tregoi emrat e atyre që i quan kriminelë dhe kanë shkuar me para? Përse nuk tregon emrat e atyre që u janë ofruar paratë? Minimalisht, një prej palëve duhet të ishte përmendur sot me emër nga Lulzim Basha.
Kreu i PD-së tha se kishte informacione që tregonin për kërcënimin apo blerjen e dëshmitarit. Gjë që do të thotë se PD dhe Basha e dinë se kush ka shkuar me lekë tek afërmit e dëshmitarit. Po ashtu, derisa familjarët e Albert Veliut janë ankuar të PD ata kanë emra dhe adresa konkrete të atyre që u bënë ofertën e jashtëligjshme.
Nga ajo që ka thënë Basha kemi të bëjmë me një vepër penale mjaft të rëndë e cila duhet të merret seriozisht. Por për ta marrë seriozisht akuzën dhe për ti kërkuar llogari Edi Ramës apo Fatmir Xhafës duhet që Basha, ashtu siç doli me urgjencë për të bërë denoncimin, të jap emrat e personave konkret. Minimalisht duhet të tregonte se kush ka shkuar në emër të ministrit apo vëllait të ministrit me “lekë në dorë” për të blerë dëshmitarin. Ose një prej të afërmeve të Albert Veliut, të dilte bashkë me Bashën dhe me zë dhe figurë të pranonte se po i ushtrohej presion apo po i ofroheshin para.
Çështja e audio-përgjimit, për shkak të mjaft dilemave që ka për vërtetësinë, e ka bërë edhe më të pabesueshme opozitën në ato që thotë. Sot Lulzim Basha ka detyrimin si kryetar i opozitës të bëjë denoncim bindës. Pikëpyetjet e audio-përgjimit vënë në dyshim çdo denoncim të PD aq më tepër kur i bën Lulzim Basha, që më shumë se faktet ka hallin e lojës politike.
Nëse kemi të bëjmë me një vepër penale dhe krim, atëherë autorët dhe pala tjetër kanë emra që Basha i di. Është detyrimi i tij t’i tregojë se kush janë, gjithnjë nëse ekzistojnë.