Zoti Rama mbaje fjalën, merre “peng” Gianni De Biasin!
Nga Skënder Minxhozi/
Ditën që Kombëtarja u kthye nga Armenia, në mesin e haresë kolektive që shkaktoi kualifikimi në Euro 2016, kryeministri Edi Rama, së bashku me trajnerin e ekipit kombëtar Gianni De Biasi dhe kapitenin Lorik Cana, komentuan ngjarjen e madhe sportive në “Procesin Sportiv” në Top Channel. Mes të tjerash, Rama atë natë tha në mënyrë të përsëritur dhe me vendosmëri, se fati i kontratës së ardhshme të De Biasit ishte i vendosur tashmë. Me fjalë të tjera, as që diskutohej se ai do të ishte trajneri i Kombëtares edhe në vitet e ardhshme. Rama madje përdori edhe shprehjen “këtë do ta marrim peng, do t’i bllokojmë edhe pasaportën italiane”, për ta përforcuar idenë se ekipi ynë kombëtar duhet të vazhdonte të kishte trajner italianin e natyralizuar shqiptar, edhe pas Euro 2016.
Që një kryeministër të hyjë në procesin e diskutimit dhe firmosjes së kontratës së një trajneri, qoftë ky edhe i ekipit kombëtar të futbollit, kjo nuk është parimisht normale. Kontrata në fjalë është çeshtje e vetë trajnerit dhe e FSHF, e cila paguan vlerën financiare të kontratës dhe vendos de facto se cili do ta drejtojë ekipin kombëtar. Por Rama atë natë duket se kishte lexuar me instiktin e politikanit, atë që sot është një dëshirë mbarëkombëtare e tifozerisë, por edhe e opinionit të gjerë publik shqiptar: që Gianni De Biasi të jetë edhe në të ardhmen trajner i Kombëtares shqiptare.
Lajmet që vijnë orët e fundit, po zbulojnë se mes De Biasit dhe FSHF ka një “tërheqje” të vërtetë litari, sa i përket rritjes ose jo të pagës së trajnerit italian. Është një gjë mëse e zakonshme në botën e futbollit, ku vlerat, rezultatet dhe shifrat financiare janë një bursë në lëvizje të vazhdueshme. Gianni De Biasi merr sot, sipas lajmeve që kanë dalë në shtypin sportiv, rreth 200 mijë euro në vit. Një pagë gjithsesi modeste për një ekip futbolli që luan në nivelet e Kombëtares tonë dhe që tashmë është futur në klubin e skuadrave më të mira të kontinentit. Kemi hyrë në një restorant ku kushton 100 euro pjata dhe kemi 10 euro në xhep, kështu shprehej dikur trajneri i Juventusit Antonio Konte, në lidhje me blerjet jo të kënaqshme të klubit para pak vitesh.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kombëtaren tonë. Kemi hyrë në klub ekipesh të përzgjedhura, ku luhet futbolli më i mirë i Europës së sotme. Edhe ky klub ka rregullat e veta, mes të cilave edhe shpërblimin e drejtuesve teknikë. Është e kuptueshme që Federata Shqiptare të Futbollit të përpiqet të shohë bilancet dhe arkën e saj, pasi kualifikimi në Francë na gjen gjithsesi të varfër e pa mjetet e nevojshme për të konkuruar me të njëjtin hap që kanë Franca, Spanja, Britania apo Italia.
Por De Biasi i duhet Shqipërisë në këto momente! Dhe për kontratën e tij s’mund të flitet në momentin që ajo skadon, në tetor 2017. Sepse e para nuk është kjo mënyra me të cilën funksionon negociimi i kontratave në futbollin e sotëm dhe e dyta, sepse nuk mund të dërgojmë në Francë një trajner Kombëtareje që do ta ketë njërin sy tek skuadra dhe ndeshjet, e tjetrin tek kontrata apo eventualisht, tek skuadra e re, në rast dështimi në bisedimet me Dukën.
Në këtë kolaps shifrash duhet të ndërhyjë qeveria. Edhe duke thyer rregullat formale, ndarjen e kompetencave dhe “pavarësinë” e FSHF në materien në fjalë. Rama duhet të mbajë fjalën që i dha shqiptarëve: pra, që do ta marrë “peng” De Biasin. Kombëtarja ka nevojë për stabilitet dhe qetësi në Francë, sepse ajo ka bërë jo pak për imazhin e këtij vendi. Aq sa vlera e kontratës së trajnerit tonë të duket realisht si një detaj pa rëndësi. (Javanews.al)